“Qëlloni mbi civilët”, piloti i MIG zbulon urdhrin që mori në 1997: Kur pashë që kishte njerëz zgjodha të…
27 vjet pas ngjarjeve të vitit 1997, një ish-pilot i bazës ushtarake të Kuçovës u nderua nga bashkia e Tepelenës me titullin më të lartë lokal për “shmangien e vëllavrasjes në vitin 1997”.
Fatmir Meçaj tregon se u urdhëruan të bombardojnë nga ajri depot e armatimit në fshatin Turan të Tepelenës ndërsa zona ishte e populluar dhe brenda depove kishte shumë njerëz të irrituar që po merrnin armë.
“Pasi u dha urdhri të gjithë ishin të emocionuar dhe njëkohësisht mendonin, ç’është ky urdhër në kundërshtim me interesat e popullit. Lufton e mira me të keqen e në këtë rast fitoi e mira sepse ne ishim të detyruar të zbatonim betimin që kishim bërë dhe urdhëri ishte në kundërshtim me betimin prandaj vendosëm të mos veprojmë.
Edhe shokët e mi që u ngritën pas meje të njëjtën gjë bënë. Ne na u dha urdhër që të qëllonim në Turan, mbi depot e Turanit, mbi njerëzit që ishin atje duke marrë armatim. Kur pashë që kishte njerëz u ktheva në bazë. Kolegut tim Agim Matraku që u ngrit pas meje i thashë: pashë, por nuk pashë gjë” pra nuk duhet të veprosh. Edhe ai të njëjtën gjë bëri”, tregon ish-piloti.