Publikohet videoja e atentatit ndaj Salvator Kaçaj (Video)
Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot videon e atentatit ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, Salvator Kaçi.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se kjo video mbetet dëshmi flagrante e farsën elektorale të 14 majit, ku sipas tij krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim.
“Më datën 14 maj kam denoncuar atentatin e dështuar, të organizuar nga bandat kriminale, ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokratit Salvator Kaçi, i cili po kalonte së bashku me të birin, po udhëtonte, dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit, e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal”, tha Berisha.
Sipas Ish-kryeministrit të vendit në video tregohet qartë se si kriminelët i zunë rrugën makinës së tij dhe të armatosur dolën për të kryer krimin makabër, por dështuan.
“Kjo video, ky dokument vërteton edhe njëherë se mandatet e krimit kurrë nuk duhet të pranohen dhe kurrë nuk duhet të njihen” tha Berisha.