Pse la amanet të prehet në Theth, studiuesi gjerman Robert Elsie!
Studiuesi gjerman me origjinë kanadez Robert Elsie i cili rrëfeu kaq shumë për tiparet e kombit tonë, tani prehet në Theth, mes Alpeve të Shqipërisë.
Ishte amaneti i tij që të prehej në këtë fshat turistik, të cilit i kushtoi edhe një nga librat e tij të shumtë, duke dëshmuar lidhjen e tij të fortë që kishte me tokën shqiptare.
Pavlin Polia, në një bisedë më gazetaren Rudina Xhunga tregoi më shumë se pse Thethi ishte amaneti i fundit i albanologut, ku varrimi u bë sipas riteve të fshatit.
“Unë kam patur fatin ta takoj kur ka qenë gjallë. Besoj që është pasuri e rrallë të arrish të bisedosh për pesë minuta me atë personazh, i cili nuk ka lindur në Shqipëri por ka bërë një kërkim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për albanologjinë.
Pastaj kur morëm lajmin që kishte vdekur më kontaktuan njerëzit e afërm të tij dhe thanë që kishte shprehur dëshirën që të varrosej në Theth. Gjëja e parë që unë kam bërë ishte të kontaktoja vllaznitë e Thethit. Kjo pasi nuk ka qenë vendas i Thethit.
Pastaj, duheshin edhe letrat nga bashkia dhe prefektura. Diçka e lezetshme asokohe, kur unë i kontaktova fillimisht nuk kishte dakordësi mes tyre. Madje asokohe prefektura na tha që kishin gjetur një vend në Vermosh dhe që mund të vendosej afër rrugës. Por ai e ka lënë amanet të prehej në Theth. Nuk është se thjesht ngeli pa një vend. Pas këtyre, arritëm të bënim dhe letrat.
Pastaj, Roberti ka shkruajtur librin “A Passion for Theth/ Albania’s Rugged Shangri-La”, i cili për ne është pasuria më e madhe apo promovimi më i madh që ka bërë për ne. Pavarësisht të gjithë atyre që ka bërë për të gjithë Shqipërinë, e vlerësojmë edhe për shkrimet dhe kërkimet që ka bërë gjatë viteve 1995-2005 për Thethin”, tregoi ai.