Policia e Kosovës, për pak ditë, e shpëtoi shtetin dhe Albinin
Armenët refuzuan të nënshkruanin një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin dhe sot janë 120 mijë syresh në Nagorno-Karabakh, të cilët po kthehen në refugjatë për vendin amë.
Të mbështetur kryesisht nga Rusia ndërkombëtarisht, armenët panë një inkursion 24-orësh të Baku-t në Karabakh, ku enklava u kap në 60 pika kyçe ushtarake dhe u dorëzua.
Lidhjet me Rusinë u provuan jo të efektshme për Yerevan-in, i cili një të ashtuquajtur themelim “asociacioni” armen në territor azer, e la thjesht në ide.
Eksodi armen ka nisur dhe 13 mijë janë rikthyer në territorin e atdheut.
Ky është një çast i ri gjeopolitik, i pamëshirshëm për ata, të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e fuqive të mëdha.
Çfarë duhet të mësojë Kosova nga kjo?
Sulmi terrorist i së dielës kundër Policisë së Kosovës ka shkaktuar polemika të mëdha në rrafsh vendor dhe ndërkombëtar.
Sa i përket debatit të brendshëm, vëmendja kryesisht është përqendruar në nivelin e hatashëm të profesionalizmit të dëshmuar nga njësitë e specializuara të Kosovës dhe qëllimet e mundshme të përdorimit të sasisë së stërmadhe të arsenalit ushtarak lënë prapa prej grupeve të organizuara terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Humbja e jetës së policit, Afrim Bunjaku, tashmë hero i Kosovës, me plotë domethënien e fjalës, zgjoi ndjenjat e përbashkëta për rëndësinë e besnikërisë ndaj shtetit të Kosovës (e cila fatkeqësisht është luhatur thellësisht pas pavarësisë edhe për shkak të investimit ideologjik të VV-së) dhe solidaritetit shoqëror në rrethana të një polarizimi të skajshëm politik.
jashtëzakonshme mbështetjen popullore ndaj Albin Kurtit.
Pas sanksioneve ndërkombëtare për sjelljet e tij të njëanshme, Kurti po ashtu ka fituar për herë të parë një avantazh politik ndërkombëtar. Pavarësisht masave ndaj Qeverisë së tij, ai tashmë duket jo vetëm pjesë e zgjidhjes politike, por edhe një faktor demokratik brenda një loje tejet të ndërlikuar, të panjohurat e së cilës kushtojnë me jetë njerëzish dhe me efekte zinxhir në stabilitetin rajonal.
Nëse Albin Kurti do ta shfrytëzojë këtë ngritje të shpejtë në funksion të veprimeve të mëtejme të njëanshme në Veri, atëherë kriza e radhës do të jete me shumë gjasë më shumë e natyrës politike, se sa e asaj të sigurisë. Edhe atë jo me Serbinë: këto zhvillime vetëm do të shtojnë trysninë ndërkombëtare për të vazhduar më tej me zbatimin e asociacionit si shtylla themelore e planit franko-gjerman.
Nëse Kurti nuk e pranon këtë kusht, ekziston rreziku se trysnia do të rikthehet prapë te Kosova për të themeluar sa me parë dhe për të zgjeruar sa me shumë fushën e kompetencave të asociacionit të komunave me shumice serbe. Nëse Vuçiç, ndërkaq, do të marrë veprimin për tërheqjen e njëanshme nga plani-franko gjerman, gjë që ka shumë pak mundësi të ndodhë, atëherë Kosova do të rikthejë epërsinë ndërkombëtare ndaj Serbisë edhe njëherë.
Në fund, nëse palët do të zgjedhin rrugën e konfrontimit dhe trajtimit të çështjes së veriut si temë të sigurisë, atëherë do të humbasin edhe Kurti edhe Vuçiç, edhe Kosova edhe Serbia.
Në fakt, derisa veprimet e Kosovës në atë pjesë së territorit mund të krijojnë përshtypjen e shtrirjes së mëtejme të sovranitetit, ekziston rreziku evident se KFOR-i do të rimarrë në kontroll atë pjesë të vendit.
Në këtë kuptim, veriu mund të përfundojë me një status të veçantë politik, juridik dhe të sigurisë, me ç’rast ai mbetet nominalisht, por jo domosdoshmërish funksionalisht, nën sovranitetin efektiv të Kosovës.
Me fjalë të tjera, rritja e emocioneve të përziera nga fitorja kundër terroristeve dhe nga humbja e një jete të çmuar nuk bën të shndërrohet në një ndjenjë triumfalizmi kombëtar apo qasje politike përjashtuese në një moment kaq delikat.
Në të vërtetë, fituesi i vërtetë i këtyre ngjarjeve do të shihet ditëve në vijim dhe kjo varet krejtësisht nga pozicionimi strategjik në raport me kërkesat e SHBA-ve, BE-së dhe aleateve të tjerë.