Poezia ‘Poçari’ e interpretuar mjeshtërisht nga aktorja Margarita Xhepa (Video)
Poezia “Poçari” e aktorit të madh shqiptar Dritëro Agollit, është një ndër poezitë më të njohura shqipe, e cila publikut shqiptar i është sjellë edhe në formë kënge nga këngëtari Selami Kolonja. Një interpretim mahnitës e sjell edhe ylli i kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.
Poezia “Poçari”, e Dritëro Agollit, ndër rreshta jep mesazhin e mallit të shqiptarit të dëbuar nga trojet e tij, prej armiqëve të kohës. Shkarja nga dora e vazos-poçit ndryshon rrjedhën e historisë, duke shpërthyer në lot mallëngjyes për gjuhën e nënës, nga e cila fati i kishte ndarë padrejtësisht. Këtë e tregon më së miri vargu “Fjala shipe s’blihet në pazar, në dyqan ka kohë që se kam ndjerë”.
KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.
Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!
Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.
Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!
Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.
Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”
Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com