Personalitet i penës arbëreshe, përkujtohet Gavril Dara! Nga vjershat intime, te dëshira për ndryshime demokratike në Itali
Gavril Dara lindi më 8 janar 1826 në Palac Adriano të Sicilisë, në një familje të shquar arbëreshe. Ai është poeti më i shquar arbëresh pas De Radës, i cili u bë pjesë e lëvizjes letrare të kohës, duke vijuar në gjurmët e të atit. Gavril Dara i Riu (1826 – 1885) është poet dhe politikan, një nga shkrimtarët e parë të Rilindjes shqiptare.
Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos, ku kreu edhe studimet e larta për drejtësi. Më 1858-ën botoi gazetën letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”. Dara ka lënë në dorëshkrim një ndër veprat më të arrira të letërsisë sonë, “Kënga e sprasme e Balës”, i vetmi botim në shqip i mbetur nga krijimtaria e tij.
Ndoqi lëvizjen kombëtare dhe i shërbeu tokës mëmë përmes penës, duke zgjedhur si tematikë qendrore të veprës së tij, të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, sikurse De Rada. Dara u nda nga jeta, në Girgeti, më 15 nëntor të vitit 1895. Bashkëlidhur, fotokopje dorëshkrimesh nga Arkivi i Palermos, të nxjerra nga Ponqueville, Zef Skiroi etj., lidhur me origjinën e fisit shqiptar “Lala”, të përmendur nga Gavril Dara në “Kënga e sprapsme e Balës”.
KRIJIMTARIA
Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha, që më tepër ishin intime. Shkëndija që i dha zjarr talentit të tij ishin idetë liridashëse, ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë derdhur në vëllimin “Disa poezi”, shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848.
Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike të vëllimit e dëmtojnë karakteri abstrakt dhe retorizmi. Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, “Palingenesi” (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani.
Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje, ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më 1860. Në të njëjtën kohë, ai s’i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të gjatë italisht, po me subjekt shqiptar “Ana Maria”.
Poema është shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokësh, është e gjatë (1.300 vargje) dhe e ndarë në dy pjesë. Ka dy protagonistë: Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të cilit i kushtohet pjesa e parë dhe Ana Maria Kominiatën, mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut, së cilës i kushtohet pjesa e dytë, më e gjatë. Dara mishëron në këto dy personazhe idealin e burrit dhe të gruas shqiptare. Poema tingëllon si një himn për atdheun e të parëve. Këto personazhe i patëm gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj romantikë që kryejnë një faj tragjik dhe shkojnë për këtë drejt fundit tragjik, kurse Dara i ri thekson aspektin heroik të karakterit të tyre. Në poemë spikatin për vlerën e tyre estetike pjesët lirike.
Në vitet 1871- 74 Darën e gjejmë në Romë ku drejton gazetën politike “La Reforma” (Reforma), që shpreh ide përparimtare të së majtës. Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia e përgjithshme e arbëreshëve për rezultatet e arritura për bashkimin e Italisë, Gavrili la gazetarinë dhe politikën. Pikërisht në këto vite Dara shkruan italisht vjershën epistul “Të zezat tona”, ku jepet një tablo rrëngjethëse e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit të dyfishuar që rëndonte mbi popullin.
Ai e pikturon këtë tablo me epitete dhe metafora nga më të vrazhdat, nga më të ashprat, që të kujtojnë penën e Dantes në përshkrimin e skenave të Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin, taksat, gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues është tepër i fuqishëm, ndihet revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet sërish në poemën “Djalli dhe Muza”. Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe u mor me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq në nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur.
LËVIZJA
Gavril Dara e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe duke kuptuar me mprehtësi rrezikun e synimeve të shovinistëve fqinjë si dhe të imperialistëve austriakë dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai ishte për një bashkëpunim të ballkanasve, kundër zgjedhës osmane. Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, “Kënga e sprasme e Balës” është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.
Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqimisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë, e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t’i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit. Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh. Gavril Dara lindi në Palac Adriano të Sicilisë, në një familje të shquar arbëreshe.
Mësimet e para i mori në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi. Më 1858 botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871- 1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë. Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria”. Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Ai ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprasme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji. Ai u nda nga jeta, në Girgeti, më 15 nëntor të vitit 1895.