Pena e artë e Pavarësisë dhe 40 firmëtarët që ende nuk i njohim kush ishin

Nga ROLAND QAFOKU

Kjo është pena me të cilën 40 burra hodhën firmën e rëndë të pavarësisë së Shqipërisë atë 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë. Në fakt, nënshkrimet e tyre nuk ishin firma të zakonshme, por vetëtima që pastruan qiellin dhe ngritën një shtet të ri. Me majën e kësaj pene dhe me bojën e zezë u nënshkrua akti themeltar i shtetit që ata burra na e lanë trashëgim ne, brezave pasardhës. Shikoni me kujdes kaligrafinë e firmave. Mua më duken firmat më të bukura në botë. Shikoni firmën e Ismail Qemal Vlorës, të Zihni Kaninës, të Xhelal Koprënckës, të Hajredin Cakranit, të Murat Toptanit, Mustafa Krujës, Spiridon Ilos, Thanas Floqit, e deri te firma e fundit e Zyhdi Ohrit. Duket se me sa kujdes dhe dashuri kanë firmosur.

Sot jam i bindur që shumica e shqiptarëve mund të dinë vetëm disa nga emrat e atyrre që kanë hedhur firmën, por jo të gjithë. Janë shumë të rrallë ata që i dinë saktë emrat e 40 firmëtarëve dhe kjo nuk na nderon. Dimë dhe njohim shumë mirë ata që në histori kanë lënë famë, por jo vepra të mira për Shqipërinë dhe nuk njohim këta firmëtarë. Pikërisht ata 40 burra e deshën Shqipërinë kur nuk kishte Shqipëri dhe e shkrinë pasurinë e tyre për ta bërë këtë Shqipëri. Nderim për ata 40 burra dhe për të gjithë ata që dhanë kontribut në themelimin e shtetit tonë. Gëzuar 111 vjetorin e 28 Nëntorit!

Scroll to Top