Njihuni me historinë e Flamurit Shqiptar dhe ndryshimin grafik të shqiponjës nga gjeneza deri në ditët e sotme
Historia e Flamurit tonë ka një rrugë po aq të komplikuar sa vetëhistoria jonë si komb. Nga fillesat e kësaj historie kur dokumentohet për herë të parë forma grafike e shqiponjës e deri më sot, ka shumë fakte interesante e kthesa të befta historike.
Me studiuesin Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të mesjetës shqiptare, do të flasim pikërisht për rrugëtimin historik të flamurit tonë kombëtar.
Brahaj sapo ka botuar librin “Flamuri i Kombit Shqiptar”, ku shpjegohet në bazë të hulumtimeve të suksesshme, të bazuara në materiale konkrete arkeologjike e etnologjike, se cila është zanafilla e shqiponjës dykrenore, motiv që kombi ynë e ka edhe simbol të flamurit që prej pesë shekujsh.
Ku zë fill kjo histori?
Meqenëse simbolin e flamurit tonë ne kemi shqiponjën me dy krerë, duhet që patjetër të rikthehemi në historinë e lashtë të popullit tonë dhe të bëjmë pyetjen: e kishim apo nuk e kishim kultin e shqiponjës ashtu siç e kanë pasur edhe popuj të tjerë?
Nga dokumentet arkivore, mitologjike apo kultet, faktohet se shqiponjën, shqiptarët e kanë pasur tipar të botës së tyre shpirtërore.
Kjo derisa vijmë në shekullin e VI para erës së re, ku e kemi shqiponjën të dokumentuar në artefakte arkeologjike. E kemi në Ilirinë e Veriut, në mburojën e një luftëtari ilir të gdhendur në gur, e kemi në tumat e Matit në disa variante, e kemi edhe tek kultura ilire e zbuluar nga prof Muzafer Korkuti në afërsi të Apolonisë.
Kjo pati një vazhdimësi tek ne si iliro-shqiptarë, derisa u shfaq në Europën e zhvilluar të shekullit XI-XI heraldika, e cila ishte e përcaktuar saktësisht në mënyrë grafike se cila do ishte shenja që do të mbanin administratat, administrata kishtare, formacionet e ndryshme ushtarake, shtetet, princërit, etj.
ë aty ne sërish kemi të dokumentuar shqiponja qoftë me një kokë, që e kemi tek shteti i parë i Arbërit në shek XII dhe në shek XII-XIII tek familjet feudale shqiptare si tek Muzakaj, Dukagjinët, tek Kastriotët tek Gropajt e
Ohrit dhe Dibrës, etj”. Meqë jemi te Kastriotët duhet thënë se sipas dokumenteve këtë stemë nuk e kishte vetë Skënderbeu, pasi ai e trashëgoi nga familja e tij, pra shqiponja dykrenore në fushë të kuqe ishte e trashëguar nga paraardhësit e tij.
Në 1444 në Kuvendin e Lezhës, u vendos se ky do të jetë simboli i ri i kombit shqiptar, pasi Skënderbeu u zgjodh si kryekomandant.
Pas këtij momenti e deri në vitin 1899, Flamuri nuk pësoi më asnjë ndryshim, apo jo?
Kemi dy probleme në këtë periudhë. Shpesh herë në shkrime publicistike është thënë se ka humbur shqiponja e Kastriotëve deri në pragun e Rilindjes Shqiptare.
Dokumentacioni që ofrohet, qoftë arkivor, qoftë grafik, vërteton se shqiponja dykrenore dhe flamuri i Skënderbeut nuk është harruar dhe është përdorur nëvfaza të ndryshme.
Kemi të dokumentuar shqiponjën e flamurit tonë në një hartë të vitit 1459, ku janë gjithsejv54 flamuj. Pra më 1459, kohë kur Skënderbeu ishte ende gjallë, kjo hartë vërteton se në flamur ishte shqiponja dy krenare.
Po ashtu kemi shqiponjën dykrenore të flamurit të Skënderbeut në afreskun e kishës së Rodonit, si edhe në monumentin e nipit të Skënderbeut Kostandin Kastrioti, i cili është varrosur më 1500 dhe varrin bashkë me gdhendjen e shqiponjës dykrenore e ka realizuar Donika Kastrioti.
Më 1593 kemi vulën e pleqësisë së Arbrit, ku shqiponja është ekzaktësisht ajo e Skënderbeut.
Kemi dokumentacion që thotë se shqiponjën e Skënderbeut e përdorin në flamurin e tyre malësorët e veriut që i ishin bashkëngjitur Bushatllinjve në luftën kundra Bosnjës.
Po ashtu ka shumë fakte interesante mbi Lidhjen e Prizrenit ku është përdorur flamuri shqiptar.
Në 1879 forca të panumërta ushtarake u nisën për të shkretuar e shkatërruar, Shqipërinë dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Ka një ferman të sulltanit, i cili i drejtohet kryegjeneralit turk dhe i thotë të verifikojë në mënyrë të veçantë nëse ka pasur flamuj shqiptarë gjatë Lidhjes së Prizrenit.
Dhe ai i përgjigjet se gjatë luftës që ka bërë Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit dhe Grudës ka patur nga çetat luftarake flamuj shqiptar të kohës së
Skënderbeut, por nuk kanë qenë shumë rreth 20 apo 30. Kjo tregon se deri edhe Porta e Lartë ka qenë e interesuar për simbolin e tyre, i cili ishte simbol vërtetues për ta, që të ndjenin krenari për identitetin e tyre si shqiptar, e jo identitetin përgjithësues siç donte t’i paraqiste Perandoria Osmane.
Që në vitin 1879 ky simbol ka vijuar për përhapej masivisht edhe në ornamente e qëndisma popullore, megjithëse kemi etnografë të huaj që thonë se shqiponja dykrenore ka qenë në stolitë, sidomos të xhubletës dhe të disa zonave të thella malore, motiv dekoracioni artistik paraskënderbejan. Kjo vërteton që simboli ynë nuk ka lidhje me kulturën bizantine.
Në qoftë se ne e kemi të dokumentuar në shek e VI para erës së re, në truallin ilir në disa vende shqiponjën dykrenore, atëherë nuk mund të themi se e morëm nga Bizanti, por duhet të pyesim:
Bizanti nga kush e mori dhe si u krijua?
Bizanti u krijua duke asimiluar dhe përthithur kulturat e popujve që kishte pushtuar.
Bizanti mund ta ketë marrë nga ne dhe më pas ne e kemi rimarrë në një formë tjetër grafike.
Sepse në heraldikë në perandorinë bizantine si simbol përcaktues e kemi vetëm në fund të shekullit IX dhe në fillim të shekullit X. Kjo është gjendja e formës grafike të shqiponjës, formë e cila erdhi deri në vitin 1899.
Nga ky moment deri në shpalljen e Pavarësisë, cila qe rruga e flamurit?
Më 1899 Faik Konica në Bruksel fabrikoi një sasi flamujsh kombëtar. Aty shohim që ndryshoi forma grafike e shqiponjës. Kjo ishte një mençuri për të përballuar vështirësitë të kohës sepse shqiptarët kishin një vend të panjohur. Kishte disa shtete të afirmuara e me traditë si Rusia, Serbia, Mali i Zi, Austro-Hungaria, Lidhja e Shenjtë Romake, që kishin shqiponjën dykrenore. Ndaj doli detyra që ta individualizonin shqiponjën shqiptare. Ata arritën t’i ngrenë pak flatrat e saj në mënyrë që ajo të dallohej prej të tjerave. Kjo solli për hir të së vërtetës një farë pështjellimi, pasi filluan të përdoren disa variante. Këto variante vijuan të praktikohen nga çetat kryengritëse, nga shoqatat nga klubet kulturore, etj derisa vjen 28 nëntori i 1912-s, kur ngrihet një flamur, të cilit ia njohim formën klasike të tijën. Me shpalljen e Pavarësisë të gjithë shqiptarët filluan të përdorin flamurin e Ismail Qemalit të 28 nëntorit.
Flamuri kombëtar pa yll ku përdorej?
Fjalori enciklopedik shqiptar i botuar në vitin 1985 thotë se flamuri kombëtar shqiptar është flamuri itrashëguar nga Ismail Qemali me ndryshimet e tij në vazhdimësinë e kohës, por pa yll. Flamuri me yll përdorej në institucione shtetërore. Ndërsa në shtëpitë e shqiptarëve në festa familjare, sikurse edhe ndër shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë etj., përdorej flamuri pa yll.
Pas vitit 1990, a ndodhën ndryshime të tjera në Flamur?
Me lëvizjet demokratike të fundvitit 1990 dhe fillimit të 1991, në administratën shtetërore shqiptare pati një rrëmujë sa i takon përdorimit të flamurit. Disa përdornin flamurin me yll e disa të tjerë flamurin pa yll, megjithëse zyrtarisht ishte e caktuar përdorimi i flamurit me yll. Po në mënyrë demokratike, por jo legjislative është ngritur në sheshin e Tiranës në një miting shumë të madh në verën e 1990, flamuri pa yll.
Me këtë rast edhe disa institucione e hoqën yllin. Dhe pas kësaj u prit derisa u vendos në kushtetutë për flamurin pa yll e nga ky moment e deri më sot është ky flamur që kemi sot dhe është e sanksionuar me ligj forma e tij grafike.