Neritan Ceka letër të hapur Edi Ramës: Më ke fyer djalin do kërkoj që qytetarët të mos të të votojnë
Miku im i dikurshëm Edi,
Me keqardhje, nuk di si të të drejtohem, sepse sjell ndërmend kohët e largëta të miqësisë sonë, një kafe tek Bar Western në Tiranë, një drekë në Quartier Latin në Paris, apo një bisedë në zyrën tënde në Bashkinë e Tiranës. Dhe pyes veten se si mund të ndryshojnë njerëzit nën efektin shkatërrimtar të pushtetit. Ke bërë diçka për të cilën duhet të më kishe marrë mënjëherë në telefon. Tashmë duhet të më kërkosh falje publike. Ke fyer djalin tim, Eginin, dhe jo vetëm atë, por edhe familjen time. Ke fyer edhe disa dhjetra diplomatë të rinj, që na përfaqësojnë denjësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Dje, në Vjenë, ke pasur një takim me shqiptarët që jetojnë atje. Egini, që punon prej disa vjetësh si diplomat, por edhe si lektor i historisë moderne në universitetin e Vjenës, kishte ardhur në sallë pë të dëgjuar. Në fjalimin tënd je shprehur negativisht për diplomacinë shqiptare dhe veçanërisht për diplomatët shqiptarë. Egini ka menduar se nuk ke qenë i mirëinformuar dhe pas përfundimit të fjalimit të ka takuar dhe është prezantuar si diplomat në Vjenë dhe si djali i Neritanit. Të ka thënë se do të ishte mirë që më parë të kishe parë CV-të e diplomatëv dhe pastaj të gjykoje për kapacitetet dhe punën e tyre. Je përgjigjur në mënyrë arrogante, duke e akuzuar Eginin si provokator dhe të dërguar nga pushteti për të vëzhguar takimin. Dhe kur të ka thënë se kishte ardhur si një qytetar i thjeshtë, përsëri e ke ofenduar dhe e ke kapur prej veshi si një fëmijë kopshti. Dhe cilin, një burrë tashmë 37 vjeçar, baba të një fëmije. Por si mund të mendoje se mund të vinte të provokonte dhe të raportonte për ty nipi i Petro Nini Luarasit, i Migjenit, i Hysen Cekës, i Skënder Luarasit, i Hasan Cekës dhe i Neritan Cekës? Si mund të guxosh të kapësh prej veshi historinë shqiptare? Qoftë edhe historinë e emigrantit Egin Ceka, që shkoi tek studentët që mëngjesin e 9 nëntorit 1991? Që mbajti fjalimin para studentëve të grevës së urisë në emër të nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” ditët kur Partia e Punës, që ti drejton sot, mbylli shkollat e kryeqytetit. Shqiptarit që në moshën 17 vjeçare mori rrugët e kurbetit dhe jetoi si emigrant deri në vitin 2008, kur u pranua me konkurs në rradhët e diplomacisë shqiptare, duke qenë i diplomuar nga universitetet më të mira gjermane.
Për fat të keq, skena e sjelljes harbute ndaj Eginit më kujtoi të njejtën skenë të sjelljes tënde ndaj një fermeri të thjeshtë në një takim në Krutje gjatë fushtës së zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Të pyeti thjeshtë se çfar do të bëhej me fshatin në se fitonte PS. Ju përgjigje se ishte një provokator dhe një i dërguar i PD. E kam edhe sot parasysh fytyrën e habitur të tij dhe revoltën e bashkëfshatarëve të tij socialistë.
Edi, ti ke probleme me ata që flasin ndryshe. Je mësuar me rreshterët e PS që punojnë vetëm në marrje.
Kështu të ka ndodhur edhe me Eginin dhe ky je ti përpara atyre qindra mijë shqiptarëve që janë formuar ndryshe në këto 20 vjetët që kemi iniciuar së bashku në dhjetor të vitit 1990. E kupton se ku ke përfunduar dhe sa larg je me kurajën qytetare të shqiptarëve të vitit 2013? Dhe si është e mundur që nuk ke kurajën të kërkosh falje për një veprim turkoshak? Si është e mundur që nuk pate minimumin e kurajës civile, por dërgove për tu mbrojtur në parlament Gramoz Ruçin. Akoma ti me sekretarët provincialë të Partisë së Punës? Po të pyes se çfar e lidh djalin e Gramos Ruçit me djalin tënd dhe Eginin? Si mund të zërë ai në parlament emrin e djalit tim , kur djali i tij është kontingjent i raporteve të policisë?
Edi, këtu nuk bëhet më fjalë për socialistë dhe demokratë, por për sojsëzë dhe sojli. Më vjen keq se pushteti të ka tërhequr në anën e tyre dhe çështja nuk është më midis djalit tim dhe teje. Është midis zgjedhjes tënde, i rrethuar nga ish rreshterët e Bllokut dhe pinjollëve të tyre dhe një brezi të tërë shqiptarësh të rritur të lirë në këto 20 vjet, në bangot e universiteteve evropiane, apo shqiptare, apo thjesht në parcelën e tyre të fshatit. Janë njerëz të lirë, por ti je i rrethuar nga skllevër dhe sahanlëpirës.
Egini është edhe vëllai i Redonit, i fëmijës që unë kam ngritur para qytetarëve tek ura e Lanës, në ftesën për të mos sulmuar ndërtesat, por për tju drejtuar kutive të votimit.
Kam të drejtën tani që ti them atyre se janë përsëri para një dileme.
Do t’i ftoj ata mijëra qytetarë që më ndoqën atëherë, por edhe ata qindramijë shqiptarë që ishin me zemër atje, që ta gjykojnë mirë këtë ngjarje. Do t’i ftoj edhe të gjithë sojlitë e Shqipërisë që të kujtojnë përballjen e qytetarit Egin Ceka me partiakun Edi Rama ditën që do të gjykojnë votën e tyre. Shpresoj që ajo të jetë dita e së vërtetës dhe ata të jenë në anën e sojlive.
- Neritan Ceka
- Qytetar shqiptar në Romë.
BOTUAR NË VITIN 2013 NË SOT.COM.AL