“Ne nuk na beson njeri, s’jemi alternativë” – Klithma e Agron Shehajt, që tregon gjëndjen reale të opozitës
Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, deklaroi se nuk është më pjesë e grupit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi, pasi ky i fundit e ka përjashtuar.
Ai theksoi se PD-ja duhet rinovuar me figura të reja pasi nuk është një alternativë e besueshme për qytetarët.
“Kjo nuk është alternativë. Asnjë nuk është alternativë tani, e Bashës jo e jo. Me Berishën kam folur dhe i kam thënë të njëjtën gjë që po them. Kanë qenë përgjigje që nuk më kanë bindur. Këto shqetësime i kam ngritur që në verë, duhej një rithemelim i vërtetë i PD-së, të vinin figura të reja, intelektual të rinj. Mund të ishte krijimi i një partie të re. Në këto momente nuk do ketë parti të re. Unë nuk jam pjesë e grupit parlamentar, jam përjashtuar. Gazment Bardhi më ka përjashtuar. Nuk i jam bashkuar mbledhjeve që ju përmendi, kam preferuar që të mos jem pjesë. Njerëzit te opozita nuk shikojnë shpresë sepse ka një ngërç dhe nuk besoj se jemi alternativë në zgjedhjet e ardhshme. Unë propozoj që ne duhet të ndërtojmë një alternativë të besueshme, të bënim një rinovim total. Duhen figura të reja” – tha Shehaj.
I pyetur nga selia e Kuvendit edhe për vendimin e deputetit Agron Shehaj për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se e respekton vendimin e tij.
Do të ketë zhvillime u shpreh Berisha, ndërsa shpjegoi se në mënyrë miqësore i ka pohuar deputetit Shehaj se kontributet e tij të pamohueshme marrin peshë me shumë se askund tjetër.
“Deputeti Agron Shehu është një deputet si çdo deputet tjetër, ka gjykimin e tij dhe në këtë aspekt respektoj mendimin e çdo deputeti. Unë kam folur, i kam thënë që respektoj vendimin e tij. I kam thënë në mënyrë më miqësore që ke kontribute të pamohueshme dhe kontributet tua më shumë se këtu nuk marrin peshë kund tjetër. Njeriu që nuk frikëson tjerët, nuk frikësohet vetë. Do ketë zhvillime”, tha Berisha.