Në gjithë këtë kundërshtim të lashtësisë tetë mijëvjeçare të shqipes dikush po vrapon pas ‘djallit’!…
Shkruan: Ma.sc.Idriz Morina
E lexova me shumë vëmendje reagimin e akademik Memushajt, jo vetëm për të kuptuar qëndrimet e tij ndaj të dhënave të reja shkencore, tashmë të studimit filogjenetik që po bëhet më i respektuari dhe më intriguesi, jo vetëm për të njohur identitetin tonë, por edhe për të kuptuar realitetin shkencor, të gjithë asaj që është arritur në disa fusha të gjuhësisë, e madje që pashmangshëm e implikon historinë, jo vetëm të gjuhës, por edhe të popujve.
Po ashtu e lexova me shumë vëmendje, mbrojtjen që ia bën Eqrem Çabejt. Si shkencëtar dhe akademik duhej ta shmangte gjuhën hyjnizuese-retorikën, po ashtu, edhe gjuhën e urrejtjes dhe të përçmimit, veçmas për Petro Zhejin, pasi ai e ka të pamundur të mbrohet tani, i vdekur, dhe meqë nuk i studioi librat apo tezat e tij, kur ai ishte gjallë. Të njëjtën gjuhë – me përmbajtje rrugaçërie, e përdori edhe ndaj Agron Dalipajt, madje duke i njësuar dy teoritë e tyre apo metodat e tyre, si e ‘operatorit të lirë’ të të parit, dhe e ‘embrimorfemave’ e të dytit, duke i quajtur si një lloj çmendurie gjuhësore!
Kush është Eqrem Çabej?
Unë nuk bëj pjesë dhe as nuk kam bërë pjesë asnjëherë në mesin e atyre që edhe mund ta kenë fyer e nënvlerësuar gjuhëtarin e veçantë të shqipes. E para unë kam mësuar mjaft shumë prej tij, si ta dua gjuhën dhe atdheun, veçanërisht nga libri “Për gjenezën e literaturës shqipe”. Pra, e lexova që të kisha më shumë informacione akademike, por nga Memushaj, nga reagimi i tij nuk mund t’i vjelësh apo t’i marrësh ato, pasi ai flet kryesisht, edhe për të, nëpërmjet retorikës dhe jo nëpërmjet argumentit shkencor.
Sipas të dhënave jo të pakta, Çabej dikur, veçanërisht deri në vitet e ‘50-ta e mbante barrën kryesore gjuhësore që nga periudha e pas Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte mbrojtësi dhe afirmuesi kryesor i bijërisë së shqipes nga ilirishtja. Kjo teori sipas tij i jepte një identitet të plotë shqiptarëve dhe jo të pjesshëm, prandaj nuk mendoj se duhet ta fshikullojmë.
Çabej argumentonte se shkrimet, leksiku i konstituar kishtar, ishin prova se gjuha shqipe do të jetë shkruar edhe para dëshmive të shkrimeve shqipe, si e konsideron literatura jonë universitare dhe akademike. Duke jetuar në Shqipërinë e izoluar sigurisht se ishte tepër i kufizuar për të gjetur shumësi të mbishkrimeve në Greqi, Itali e Azi të Vogël, për të provuar për t’i deshifruar në gjuhën shqipe, mbase edhe nuk e zotëronte ‘aparatin’ e deshifrimit të tyre, sepse nuk është thjesht një proces etimologjik.
Sigurisht Çabej, me Kongresin e Drejtshkrimit (1972) u detyrua t’i nënshtrohet ideve apo premisave ideologjike të enverizmit, që të mos merrej shkenca shqiptare me teori pellazgjike apo të tjera, sepse në këtë rast nuk mendoj se është thjesht ndikim sllavizmi, për më shumë mbështetje helenizmi, që kishte dhe përkrahje të madhe europiane, kryesisht arbitrarisht për atë qytetërim. Teza pellazgjike, do ta trondiste rëndë helenizmin, me këtë edhe gjithë ngrehinën europerëndimore, për origjinën e lavdishme të qytetërimit të saj (eurocentriste), dhe me këtë premisat strategjike, politike, ekonomike, kulturore etj., që i kishte ndërtuar si superiore ndaj kulturave të tjera në botë!
Ua rikujtoj lexuesve, por edhe kundërshtarëve të Çabejt, se ai nuk e përjashtonte as tezën pellazgjike. Këtu po ua sjell citimin, sipas një studimit tim, ku i referohem një punimi gjuhësor të Rexhep Ismajlit të prezantuar në njërin prej seminareve për gjuhën dhe kulturën shqipe në Prishtinë. Ismajli, për këtë qëndrim e akuzonte si ‘koncesionar’ Çabejin.
“Një nga studiuesit më të njohur të gjuhës shqipe, Eqrem Çabej, mbrojtësi më i madh i tezës se shqipja rrjedh nga ilirishtja, nuk i ka kundërshtuar autorët e tezës pellazge, e as mohuar mundësinë që shqipja të jetë trashëgimtare e pellazgjishtes. Madje sipas Ismajlit, Çabej e pranonte me gjysmë zëri këtë, dhe për këtë qëndrim, përveç se e kundërshton, e quan ‘koncesionar’, Ismajli (2013).” (Morina, 2017).
Unë vazhdoj të mbajë qëndrimin tim, se personalitetet në mënyrë të veçantë duhet të vlerësohen, për të gjitha që kanë bërë dhe arritur, të mirat, dhe të këqijat, arritjet shkencore, ato të diskutueshme dhe të gabueshme, pastaj të vlerësohen edhe motivet.
Por, kush është Memushaj!?
Nga reagimi i Memushajt, që merret me ‘dështakët’ jo profesionistët gjuhësor, po i sjellë disa fakte, që shkenca është e pamëshirshme edhe për vetveten, e jo më për Memushajn dhe të tjerët që i mohojnë apo injorojnë jo vetëm rezultatet e gjuhëtarëve apo studiuesve alternativ, por edhe studimet kulminante, si ai për gjuhët indoevropiane, që tronditi botën akademike perëndimore e lindore, dhe veçanërisht besoj tezat sllave.
Së fundi kam shpërndarë një artikull shkencor, me titullin e përshtatur nga unë, “Shkencëtarët e kapin demonin…”!
E para siç përshkruhet në artikullin shkencor (Abbamonte at all, 2023) studiuesit nuk po e kërkonin fare, ‘grimcën e djallit’, ishin në kërkim krejtësisht të një gjëje tjetër. Eksperimenti i çoi në zbulimin e diçkaje krejtësisht të paparashikueshme, por që fizikanti teorik Pines më 1956 e kishte parashikuar dhe ishte munduar ta bindte komunitetin shkencor, se ajo ekzistonte. Por, ai nuk kishte arritur ta vërtetonte eksperimentalisht!
Çështja tjetër që e zbulon ky eksperiment është se studiuesit e fizikës dhe të degëve të elektroteknikës, nuk kishin mësuar kurrë, se ‘elektroni’ mund të kalonte në gjendje të tjera, veçmas se ai mund të ‘transformohej’ nga ngarkesa e tij elektrike negative, në gjendje neutrale, po ashtu të kalonte në një gjendje pa masë dhe që nuk ndërvepron me dritën, sipas Pines, i cili e kishte quajtur këtë grimcë demonike.
Por, edhe inxhinierët që janë gjallë dhe ende se kanë këtë informacion sikurse dhe shumë studiues, vazhdojnë të mbajnë diplomat dhe thirrjet, pavarësisht që kishin mësuar gabimisht apo që u kishin ligjëruar të tjerëve gabimisht!
Pra, për gati 70 vjet, dhe unë në fillim të viteve të 90-ta (kur studiova për pak kohë shkenca elektrike), kemi mësuar se ai (elektroni) kishte gjendje të pandryshueshme deri në zhdukjen e tij.
“Shumica dërrmuese e eksperimenteve bëhen me dritë dhe matin vetitë optike, por të qenit elektrikisht neutral do të thotë që demonët nuk ndërveprojnë me dritën,” tha Abbamonte, një profesor i fizikës në Universitetin e Illinois Urbana-Champaign, të cilët e kanë gjetur më në fund demonin e Pines 67 vjet pasi aie kishte parashikuar.
Pra, ky studim, na çon tek ideja, se nëse studimi filogjenetikë, po na zbulon më në fund, se etimologjia, që na kanë mësuar në fakultet, dhe të cilën ende e mbron Memushaj dhe përplot të tjerë, a na kanë mbajtur në një qorrsokak shkencor!? Ata, as nuk kanë arritur ta zbulojnë origjinën e gjuhës shqipe, dhe as nuk kanë arritur të na dëshmojnë vjetërsinë e saj, madje duke mos e thënë asnjëherë hapur se ajo do të kishte nja 4-5 mijë vjet, aq sa mund të arrihej duke e pranuar hipotezën ‘se ilirët erdhën nga Azia e vogël’. Pra, kur Memushaj flet për autoktoninë, nuk është koherent, sepse teza kryesore e historianëve në Shqipëri, si Korkuti dhe të tjerëve është se ilirët erdhën nga andej. Pra, nuk na lënë shumë gjatë autokton, së paku e përgjysmojnë identitetin tonë në kohë!
Përveç rastit të përmendur, pa hapur debatin se çfarë është shkencë dhe çfarë jo, ia kujtojmë rastin e fizikantit Faradei. Ai nuk e kishte statusin e shkencëtarit të mirëfilltë, sipas kritereve të sotme ‘akademike’, por ka dy shekuj që fizika i përkulet zbulimeve të tij, dhe ato nuk janë thjesht teori, por njihen të një grade superiore, Ligje të fizikës. Por, sipas të menduarit të Memushajt, ai nuk është shkencëtar dhe se ligjet e tij, as që mund të pranohen si të atilla, por as si teori apo teza! Sepse kështu mat dhe vlerëson Memushaj! Kjo pasi për shembull, eksperimentin e Faradeit për fushën elektromagnetike matematikisht e vërtetoi, Maksuelli.
Pra, në rastin e parë e kemi suksesin teorik, dhe më pas vërtetimin eksperimental, ndërsa në rastin e dytë, (Faradei), suksesin eksperimental, i cili vërtetohet teorikisht më pas (nëpërmjet matematikës), po ashtu nga studiuesit pasues.
Rasti tjetër, që për dekada ka mbajtur botën shkencore në dilema, duke ua ‘treguar muskujt’ shkencëtarët e ‘akademive’, fizikanëve (që më pas u vërtetua se janë të jashtëzakonshëm) është zbulimi i grimcës bozone Higs, e njohur si “Grimca e Zotit”, kur ajo u ‘kap’ në eksperimentin në Përplasësin e Madh të Hadronit (LHC) (2012) në CERN në afërsi të Gjenevës, që ndodhet në territorin franko-zviceran, 300 metra nën tokë.
Vetëm atëherë, ‘kravatat’ shkencore, iu përkulën atij dhe pranuan, se shkencëtari Peter Higs dhe ndihmësit e tij, kishin pasur të drejtë (që në 1964), në teorinë e tyre apo në shkencërimin e tyre. Higs u laureua me çmimin më të madh shkencor – Nobel po në vitin 2012 së bashku me bashkëpunëtorin e tij Francois Englert për zbulimin teorik … ndërsa grimca mori emrin e tij, Higs.
Rastet janë të panumërta, dhe mund të vazhdojmë të përmendim pa fund, pa u kapur për çështje të shkencës së gjuhësisë, e cila nuk njihet se e zotëron metodën eksperimentale apo se është e kufizuar, dhe e pamundshme për etimologjinë.
Por, shkenca, veçmas studimet multidisplinare, po na mësojnë se edhe në fushat tjera mund të zbulohet e kaluara njerëzore, sikurse na mëson kryesisht arkeologjia, për kohët premordiale, prehistorike apo para krijimit të shkencave të mirëfillta (si i njohim ne sot).
Memushaj dhe të tjerët do të duhej të na tregonin shkencërisht, teorikisht apo eksperimentalisht, nëse provat dhe teoritë që ofrojnë, Zheji dhe shumë më vonë, Dalipaj, se ku gabojnë, dhe jo me 2-3 shembuj ngatërrestarë, pa teoritizim shkencor, por vetëm me deklarim, duke përfituar nga ekzistenca e disa shembujve trivialë, që përdoren më shumë për ironizim se sa për argumentim shkencor.
Para se të hedhë poshtë Memushaj me të tjerët, Petron dhe Agronin, duhet të na hedhë poshtë, të gjithë mendimin albanologjik shqiptar tre shekullor, nga shekulli 18-të e deri më sot, nga libri i jashtëzakonshëm për kohën i Krispit, teoritizimet dhe “eksperimentimet” e De Radës, Kamardës, Pashko Vasës, Sami Frashërit… Katapanos, Falaskit, … deri tek ata që vepruan në të njëjtën gjedhe në Shqipërinë komuniste, si Spiro Kondo, Dhimitër Pilika, deri tek i fundit Zheji, jashtë Shqipërisë, si historiani Skender Riza, Dr.Arif Mati, e deri tek një rrjedhë e re në vitet e postkomunizmit, gjithnjë e përjashtuar, por edhe e anatemuar nga anëtar të institucioneve akademike, hulumtuese etj.
I gjithë ky hulli tre shekullor, shtypet pamëshirshëm nga akademitë dhe institucionet, të cilat do të duhej të paktën të kishin marrë mundimin për të argumentuar se pse ato teori apo metoda apo edhe përpjekje njohëse të tyre nuk janë shkencore dhe nuk mund të pranohen!
As Memushaj, as Vehbiu, as Lloshi, kurrë nuk u morën me shpjegimin etimologjik të emrave të perëndive “greke”, as të toponimeve të lashta, as të oronimeve apo etnonimeve që gjenden që në shkrimet homerike!
Kjo mungesë guximi flet, po ashtu, jo për paaftësinë shkencore, por për qëndrimin e gabuar ose të papranueshëm shkencor, por edhe njerëzor e kombëtar!
Emri, Zeus, Athina, Era (Hera), Theti (Deti), e deri tek Afërdita, s’ka se si flasin më shqip se shqip, dhe assesi në greqisht! Zhvillimi dhe krijimi i këtyre emrave ka qenë një proces i gjatë, dhe mund të tejkalojë edhe vet shkencën etimologjike…
Pra, prandaj ata injorojnë, përbuzin dhe fyejnë, qoftë edhe nëse për ‘hatër’ të akademikëve do ta quanim eksperimentim aëtë që bënë dhe bëjnë, Kondo, Pilika, Zheji e deri tek Dalipaj, Nikolla, Fatmir Iliazi etj.!
Por, është e pakontestueshme se këta kanë sjellur rezultate jo vetëm të zbërthimit etimologjik, por edhe të procesit të krijimit të këtyre koncepteve-fjalëve, në mënyrë shumë më të qëndrueshme e më kuptimplotë se sa shumë etimolog, që kanë sjellur për qindra fjalë, qoftë të indoeuropianishtes, qoftë të sanskritishtes, greqishtes, hititishtes, frigjishtes apo gjuhës sumere.
Po ashtu këta nuk janë thjesht një grup ‘injorantësh’ apo të çmendurish të vetmuar, sepse janë edhe qindra autor perëndimor, që e mbështesin këtë hulli të menduar, madje disa prej tyre janë emrat nga më të shquarit të gjuhësisë!
Pse heshten rezultatet e studimit shkencor të më se 33 shkencëtarëve, gjuhëtarë, dhe gjenetist europerëndimor?
Fakti se Memushaj, në gjithë reagimin e tij, nuk merret me rezultatet e studimit filogjenetik, të kryer nga njëri prej institucioneve më kredibile në botë, dhe po ashtu që është origjinal në aspektin metodologjik, dhe është tepër vështirë i rrëzueshëm, sepse në pak studime të tilla mund t’i bashkosh një mori shkencëtarësh, hiq më pak se 33 autorë, dhe dhjetëra të tjerë bashkëpunëtorë të tyre.
Rezultatet e këtij studimi de fakto shenjtërojnë gjuhën shqipe – me lashtësi rreth 8 mijë vjeçare, më të vjetrën, nga gjuhët në të cilën flasin gjysma e njerëzimit, dhe i japin të drejtë gjithë hullisë së mendimit shqiptar, që Memushaj e godet nëpërmjet Zhejit dhe Dalipajt, është provë e qartë, që ai është i goditur, nëse jo edhe i tronditur nga ato rezultate.
Ata nuk prisnin që gjuha shqipe të kishte një linjë, që sipas studimit shkon më së paku në shtatë mijë vjet (Hogart, 7-7.500) dhe mund të jetë në rreth tetë mijë vjet apo edhe më tepër (mbi 9 mijë vjeçare), nëse rezulton më vonë (nga studime të ngjashme), se gjuha Protoindoeuropiane (PIE), nuk ishte vetëm 8-9 mijë vjeçare, por rreth 11.500 vjeçare, gjë që studimi e lë të hapur mundësinë e fillimit të saj aq herët.
Memushaj dhe të tjerët duken të tronditur, se greqishtja rezulton të jetë rreth 8 shekuj më e re se gjuha shqipe;
Ata nuk mund ta besojnë se gjuha shqipe është rreth tre mijë vjet më e vjetër se gjuha sllave, që ai mundohet ta riemërtojë si sllavishtja e vjetër;
Nuk mund ta pranojnë se gjuha shqipe është rreth 6 mijë vjet ma e vjetër se gjuha ruse…
… apo shtatë deri në 7.500 vjet e mbase edhe shumë më e vjetër se serbishtja!
Pra, derisa këtyre fakteve ata nuk i gëzohen, por sipas reagimeve të Memushajt, Vehbiut dhe të tjerëve, i tërbon, atëherë, është e qartë, se cilës shkollë dhe cilave interesa i nënshtrohen ata, greko-sllave, që në fakt edhe është boshti kryesor ortodoks, Moskë-Athinë-Beograd!
Atëherë, dikush në gjithë këtë kundërshtim është duke vrapuar pas djallit!…