Ndryshon historia e Serbisë, zbulim i madh arkeologjik në Kurshumli!
Arkeologët e Muzeut Kombëtar të Toplicës nga Prokuple dhe Muzeu Kombëtar nga Beogradi vazhduan kërkimet e tyre arkeologjike në komunën e Kurshumlisë, të cilat po zhvillohen në çdo vjeshtë tash e pesë vite.
Deri më tani, ata kanë zbuluar 11 qytete të humbura në shpatet e Kopaonikut dhe Malit të Radanit, shkruan Agjencia serbe e Lajmeve Beta, transmeton InfoPress.
Për pesë qytete që u zbuluan rreth Banjës Lukovo deri më tash asgjë nuk dihej. Arkeologu i Muzeut Kombëtar të Toplicës, Julka Kuzmanoviq Cvetkoviq tha se këto pesë qytete ende paraqesin një mister dhe se nevojitet kërkim më i gjerë arkeologjik për të mësuar më shumë rreth tyre.
“Këto qytete nuk ishin të evidentuara kurrë në hartën arkeologjike të Serbisë. Këto janë qytete në majat malore, rreth Banjës Lukovska. Ajo që mund të them tani është se këto qytete kanë të bëjnë me një lloj veprimtarie në atë zonë, ka shumë të ngjarë me minierat”, tha Kuzmanoviq Cvetkoviq.
Në disa vende, rrëzë qyteteve të fortifikuara, arkeologët kanë gjetur rrënojat e vendbanimeve, të cilat tregojnë se ata jetonin këtu nga parahistoria në Mesjetë.
Arkeologja e Muzeut Kombëtar të Beogradit, Emina Zeçeviq, tha se gjetjet arkeologjike në të gjithë territorin e komunës së Kurshumlisë kanë ndryshuar krejtësisht njohuritë e mëparshme rreth historisë së rajonit.
“Gjithçka që kemi gjetur dhe zbuluar pothuajse plotësisht ndryshon atë që ne kemi ditur deri më tani. Për shembull, tani e dimë se ky rajon, fshatrat e sotme Kurshumlia dhe rrethinat e saj, ishin shumë më të populluara se sot, por edhe shumë më të pasura”, tha Zeçeviq.
Arkeologët kanë evidentuar rreth 140 lokalitete nga periudha të ndryshme kohore.
Arkeologu Milan Saviq nga Kurshumlia tha se ndihma e shtetit dhe e komunës së Kurshumlisë është e nevojshme për të bërë kërkime më të hollësishme arkeologjike, sepse ato janë me rëndësi të madhe, jo vetëm për Kurshumlinë, por edhe për Serbinë.