Naim Frashëri, kushtrimi qiellor i zërit të përmallshëm të këndimit shqip
Nga Albert Vataj
“Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t`u ap pakëzë dritë,/ Natënë t`ua bënj ditë./ Do të tretem, të kullohem,/ Të digjem, të përvëlohem,/ Që t`u ndrinj mir` e të shihni,/ Njëri-tjatërin të njihni./ Për ju do të rri të tretem, /Asnjë çikë të mos mbetem, /Të digjem e të qanj me lot,/ Se dëshirën s`e duronj dot./ Unë zjarrit nuk i druhem/ Dhe kurrë s`dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/ Sa të munt t`u ndrinj më mirë… Janë këto “Fjalët e Qiririt” të Naimit. Eshtë ky një kushtim i mallshëm kushtrimi. Janë këto vargje të një zemre që digjet prej zjarrit të truallit. Këto mendime janë ata që gurrojnë prej shpirti që përpushet në hojet e një hovi të zëshëm kraharori që buçet.
E shpërthen ajo zemër e Naimit, gurron ai shpirt i mëmëdhetarit, e hymnizon me kaq ëmbëlsi e kaq dëshirimi, me kaq jehonë e kaq mall, e i’a nis këngës, e kungon të shenjtën e shtrenjtë të gjakut që i vlon e syrit që i’a shterr mungimi i magjepsjes të asaj bukurie që i ka mbetur larg e i’a zhurit ëndrrën.
- O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
- fushat e gjera me lule q`u kam ndër mend dit `natë,
- ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt` e kulluar,
- çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar,
- do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
- o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.
Ky mall për atdheun zë fill e merr jetë në këto vargje. Ky prush e përcjellë varg pas vargu e strofë pas strofe krejt poemën epike “Bagëti e Bujqësi” një prej himneve më të vetvetishme të historisë së kungimit shpip të fjalës dhe amës. Larg vendlindjes që e përkundi me ninulla epesh e legjendash, larg maleve dhe fushave që e frymojnë në çdo pore dhe e ngjethin në çdo kujtim, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore që e përshkojnë në kurmin që i’a zhurit mungimi.
Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë “vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë”. Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet “fluturës krahëshkruar” ose “dallëndyshes bukuroshe” që t`ia marrin zemrën e përmalluar e t`ia shpien në Shqipëri. E shpërthen ky zë, e gjëmon rrokaqiellës ky kushtrim, gurron në çdo përrua e pikon me çdo rigë shiu, bulon në çdo vesë e ligjëron në çdo blegërimë kur mëton:
- Kur dëgjon zëthin e s`ëmës qysh e lë qingji kopenë
- blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
- edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
- e ta trembin ai s`kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
- Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,
- vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.
E rrugëton nëpër fjalë e kumtime ai zë i Naimit, mallohet nëpër vargje e mrekullohet nëpër kujtime, e mbledh gjithë zjarrin që e djeg e flakadanin që i’a ndrin natën e mërgimtarit, e shpërthen, e shtraton, e fëshfërinë, e hymnizon:
- “Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
- zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.”
Më 25 maj 1846 u lind në Frashër të Përmetit, Naim Frashëri, poeti më i zëshëm i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetari, mendimtari dhe veprimtari i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare. Ai vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937.
Naim Frashëri, si një hyll i mallshem e percjell ky emen rokullitjen e botes s’onë shqipëtare. As fort i flakshem as fort i zbet, por gjithmon i pagjshem e gjithmon plot dritë. E i pandrueshem ner gjith këta shndrime e ngjarje të jetes edhe sot aj asht „qëndruar“ dhe asht „duke u përveluar“
(Fjalët e Qiririt) në mezin t’on, shkruan për të pena Krist Maloki.
Ndërsa Skënder Luarasi, mëton se:
Me gjithë se Muza e poezis ia ka falun poetit të Zanës malsore kurorën e dafintë si shpërblim për rëndësin klasike, prap se prap ka edhe Naim beu vlerë fort të madhe, pik ma së pari si themelues i literaturës shqipe dhe pasandaj si lëvrues i aftë i gjuhës dhe si vjershëtar i thjeshtë i popullit.
‘’Naim be Frashëri dallohet aq shqueshëm ndër të tjerët sa që s’takojmë as ma të voglin pengim me karakterizue personin, sidomos jetën dhe veprën e tij në këtë botë: I pamërrishëm na qëndron nalt përpara syvet në tri pika: si patriot, si poet, si njeri… Asokohe, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869). Bëri pastaj pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirika sh Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua le tërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria”(1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar. Më 1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme Bagëti e bujqësia, atë greqisht Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala flutarake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare Qerbelaja etj. Naim Frashëri vdiq në 20.10.1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku dhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887 etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema “Bukuria”, një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema “Historia e Skënderbeut”qe një kurorëzim i veprës së tij, “testamenti i tij politik e poetik”, me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia. Poema është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në “Qerbelaja” dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare). Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha “Perëndia”1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizmin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizmin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t’u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një ” demokraci prej pleqet», pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjtë në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë ,përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua). Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture. Ndikimi i Naim Frashëri, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.