“Mora katër kryetar partie…” – Bamir Topi zbulon prapaskenat e bisedës me Ramiz Alinë se si u formua elita e viteve ’90-të
Këtë dhjetor 2023, Partia Demokratike mbush 33 vite prej themelimit, një histori sa e tranzicionit shqiptar. U themelua më 11 dhjetor 1990, pikërisht atë natë kur u shpall pluralizmi politik në Shqipëri.
Kanë ndodhur shumë ngjarje entuziaste e dëshpëruese në Partinë Demokratike: përjashtime, largime, ndarje, pajtime, bashkime, kthime e rikthime… edhe bastisje. Beteja e fundit është për vulën e saj.
33 vite histori, vijnë në “Inside Story” përmes dokumenteve autentike të papublikuara më parë, rrëfimit të themeluesve të kësaj partie e personazheve që kanë ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri.
Ish-presidenti Bamir Topi tregon detaje të rëndësishme të bashkëpunimit të tij me Berishën por edhe një bisedë me ish-presidentin Ramiz Alia që hedh dritë nëpër korridoret e errëta të politikës së dhjetorit 90, kur po projektohej elita e re.
Bamir Topi zbulon prapaskenat e bisedës me Ramiz Alinë se si u formua elita e viteve ’90-të
Ish-presidenti, Bamir Topi, ka një tjetër analizë, më të drejtpërdrejtë.
Ai nuk ishte në PD në dhjetorin ‘90 dhe nuk e merr krejt të mirëqenë versionin e treguar prej themeluesve. E shpjegon fillimin e tranzicionit përmes një bisede që kishte pasur me udhëheqësin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Një bisedë e rrallë që në vetvete, sot pas 33 vitesh zbulon shumë për realitetin e forcave të reja politike që supozohej se do të sillnin ndryshimin.
“Për të qenë racional dua t’ju tregoj një bisedë të rastësishme me Ramiz Alinë dhe nisur nga dritëhijet e asaj periudhe, ku mjaft zëra komentonin se në ç’mënyrë erdhi pluralizmi në Shqipëri, erdhi vetë apo erdhi i induktuar dhe më dha një përgjigje të zgjuar: Në një pritje që kam organizuar për një personalitet të huaj, kam prezantuar katër kryetar partie, Fatos Nano, kryetar i PS, ish-anëtar i PPSH, Sali Berisha kryetar i PD-së, ish-anëtar i Partisë së Punës, Skënder Gjinushi, Sabri Godo besoj e keni shpjegimin brenda për çfarë më pyesni, më tha”, u shpreh ish-presidenti, Bamir Topi.
Për protagonistët e dhjetorit ‘90, liderët e elitës së re politike, nuk kishte ku të gjendeshin përveçse mes radhëve të PPSH-së.
Por cili ishte mekanizmi që e çoi Berishën në krye të partisë dhe përbetimet e tij për votën e lirë, se “do të ishte i pari mes të barabartëve”.
“Unë jam marrë me programin me Gramoz Pashkon dhe bashkë me Genc Rulin kemi bërë statutin. Morëm tre a katër të ngjashme nga vende Perëndimore dhe e bëmë. Në atë version ishte një pikë në të cilën theksohej se kryetari i partisë zgjidhet vetëm për një mandat dy-vjeçar. U mblodh grupi organizativ që ishte me nëntë veta. Shtatë ishin që në themelim dhe më pas grupit iu bashkua edhe Berisha me Bardhyl Reson. dolën të gjithë kundër këtij propozimi të kësaj pike. U ndryshua kjo pikë dhe u bë dy vjet dy herë radhazi, pastaj u prish edhe kjo pikë dhe u bë më shumë e kështu me radhë. Aty është fillimi i asaj që njerëzit në Shqipëri nuk duan ta konceptojnë të qenit jo të përjetshëm”, u shpreh themeluesi i PD, Rexhep Uka.