‘Mit’hat Frashëri synonte që Çamëria, t’i mbetej Shqipërisë, kurse Ismail Qemali, s’ka patur asnjë shpresë’/ Ngjarjet e panjohura të shpalljes së pavarësisë, në ‘1912-ën

Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.

Mbas formimit të qeverisë në Vlorë, Ismail Qemali i ftoi të gjithë oficerët dhe patriotët shqiptarë, që ndodheshin ndër fronte të ndryshëm të Luftës Ballkanike, që të mos e vazhdonin më luftën e, të kthehen ndër shtëpitë e tyre. Mit’hat Frashëri ka qenë kundër këtij mendimi dhe ka shkuar dy herë nga Vlora në Janinë, për t’i inkurajuar rezervistët shqiptarë, ta vazhdonin luftën gjer në fund, mbasi ky mendonte se, sa më gjatë të qëndronte Janina në dorë të Turqisë, aq më tepër shans do të kishte Çamëria, t’i mbetej Shqipërisë, kurse Ismail Qemali, s’ka patur asnjë shpresë. Ky ka qenë një nga shkaqet e ndarjes të Mit’hat Frashërit nga Ismail Qemali. Më vonë Mit’hati, e ka pohuar se Ismail Qemali, ka pasur të drejtë. Janina rezistoi gjer më 6 mars 1913 dhe iu dorëzua ushtrisë greke.

Dorëzimi i Shkodrës

Lufta e Shkodrës vazhdonte me tërbim midis ushtrisë turke e vullnetarëve shqiptarë, nën komandën e Hasan Riza Pashës e më vonë të Esat Pashës, dhe të ushtrisë serbo-malazeze. Një pjesë e malësorëve të Malësisë së Madhe, të shtrënguar të emigronin në Mal të Zi, në kryengritjen e 1911-ës, kishte bërë kauzë të përbashkët me Malin e Zi dhe muarr pjesë në luftë kundra ushtrisë turke.

Komandanti i ushtrisë turke, Hasan Riza Pasha, një ushtar i dalluar i Shtatmadhorisë turke, ka qenë një ushtar i madh dhe i paisur me të gjitha cilësitë e njeriut të lartë e të mirë. Gjatë rrethimit të Shkodrës, Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Serreqi dhe abati i Mirditës, dërgonin fshehtazi Mark Onbashin në Vlorë te Ismail Qemali, kështu që të dy palët, kanë qenë në kontakt të rregullt gjatë luftës.

Kur lufta vazhdonte në Shkodër, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, merrej me bisedime për caktimin e kufijve veriorë të Shqipërisë. Alush Lohja, mik personal i Hasan Riza Pashës, i thotë një ditë kapiten Xhemil Prizrenit, axhutant i Pashës: “Nga ana ime, t’i thuash këto fjalë Hasan Riza Pashës, mbasi unë vetë, nuk guxoj t’ia them. Pasi Turqia e humbi luftën, tash e tutje s’ka asnjë kuptim, të luftohet nën flamurin e Turqisë në Shkodër”!

Hasan Rizai, mbasi u informua mbi fjalët e Alush Lohjes, shkon në shtëpinë e këtij të fundit, i shoqëruar me dy oficerë xhonturq, njëri prej tyre komandant i Taraboshit dhe tjetri komandant i Bërdicës dhe te dera e shtëpisë, i thotë Alush Lohjes: “Më vjen keq të flasim me ndërmjetësi, duke qenë se jemi miq”. Alushi ia përsëriti fjalët në prezencën e dy oficerëve, të cilët nuk folën asnjë fjalë. Hasan Rizaj, këta të dy oficerët i kishte marrë me qëllim që ta dëgjonin me veshët e tyre, se ç’mendonte populli për luftën e Shkodrës.

Hasan Rizaj qysh atë ditë, bashkë me Alushin, merren vesh me Arkipeshkvin e Shkodrës, Jak Serreqin, për t’u nisur dy letra malësorëve, që ishin në bashkëpunim me ushtrinë malazeze, dhe një letër tjetër, nga ana e Klerit Katolik për partizanët e tyre, duke i ftuar ata, që të mbrojnë Shkodrën nën flamurin e Shqipërisë. Letrat nisen. Nga ana tjetër, Shtatmadhoria xhon-turke, qysh atë ditë vendos për vrasjen e Hasan Riza Pashës. Këtë vendim ia komunikojnë Esat Pashës, komandant i rezervistëve, dhe i propozojnë që pas vrasjes, së Hasan Rizajt, të emërohet si komandant, në vend të këtij të fundit.

Esati pranoi. Hasan Rizaj ftohet atë natë në shtëpi të Esatit, për një mbledhje ushtarake dhe, kur del mbas mbledhjes për të shkuar në shtëpi, qëllohet duke mbetur i plagosur rëndë. Qani Korça, polici që Pasha e mbante me vete, shkon menjëherë në shtëpi të Alush Lohjës dhe e lajmëron për ngjarjen. Kur Alushi mbërrin në shtëpinë e Pashës, këtë e gjen në minutat e fundit. Pasha e mbyll jetën e tij, me këto fjalë: “Këto dy dekorata (plumba) doja t’i merrja në luftë e jo kështu, dhe, mbasi vritem këtu, djemtë e këtij vendi, duhet të ma marrin gjakun”. Kështu Hasan Riza Pasha, që donte ta shpëtonte Shkodrën, duke luftuar nën flamurin shqiptar, vdes nga dora e xhonturqve, armiq të betuar të pavarësisë shqiptare dhe kjo vrasje bëhet me pëlqimin dhe kontributin e Esat Toptanit, më 3 janar 1913.

Mbasi Hasan Rizaj vdes, Alushi shkon në dhomën tjetër për të pritur ngushëllime, ku gjen Esatin bashkë me dy komandantët xhonturq të lartpërmendur dhe disa oficerë të tjerë, edhe këta xhonturq. Esati pas disa fjalëve të rastit, i thotë Alushit: “Ti je personi më i cilësuar, për me gjetë vrasësin e Hasan Rizajt, por mbas mendimit tim, vrasësi duhet të jetë Ndoc Deda i Shoshit, i cili ka qenë i shtyrë prej Malit të Zi, për të kryer vrasjen”.

Alushi i përgjigjet: – “Sa për mue, gjaku duhet të kërkohet nga personat që ndodhen në këtë dhomë”.  – Esati: “Sa të jem në Shkodër, jam miku yt”. – Alushi: “Me konditë që miku të jesë në shtëpinë time, sa mbas zakonit të vendit”. Të nesërmen Esati shkon në shtëpinë e Alush Lohjes dhe fiton miqësinë e tij, të njeriut më të zgjuar e, më guximtar të Shkodrës, me anën e të cilit më vonë, ka lozur role me rëndësi në krahinën e Shkodrës, për t’i vënë në zbatim planet e tij djallëzore.

Mbas një muaji tratativash, më 12 prill 1913, Shkodra, kështjella madhështore e Veriut, i dorëzohet ushtrisë malazeze me konditë që forcat ushtarake, t’i marrin me vete gjithë mjetet që zotëronin. Kjo ngjau në një kohë kur në Konferencën e Ambasadorëve, bisedohej që përveç Shkodrës, t’i jepej Shqipërisë edhe Gjakova. Por mbas dorëzimit të Shkodrës, pozita diplomatike e Austro-Hungarisë komprometohet dhe kështu u vu përpara dilemës: Shkodra apo Gjakova, duhej siguruar për Shqipërinë dhe natyrisht u preferua e para.

Ngritja e Esat Pashës

Esati, pasi ia dorëzoi Shkodrën ushtrisë malaziase, në bazë të një akordi që është botuar në kalendarin e 1918-ës në Shkodër, erdhi në Tiranë me ushtrinë e përbërë prej turqve e shqiptarëve. Kjo ushtri, në bazë të akordit, u prit me nderime prej ushtrisë serbe në Lesh. Esati, kur erdhi në Tiranë, ushtarëve shqiptarë ua la armët, duke i porositur që t’i mbajë gjithsecili në shtëpinë e vet, për t’i përdorur kur të vinte koha, që do të nevojitej për ta. Ushtria turke e mbetur në Tiranë, me një vapor turk, u imbarkua prej Durrësit për në Turqi.

Në këtë kohë, Esati shkon në Vlorë, ku në kabinetin e Ismail Qemalit, ishte caktuar ministër i Punëve të Brendshme. Pas pak ditësh, prapë u kthye në Tiranë, ku ftoi parinë e vendit dhe të Shqipërisë së Mesme, si; Zogun, Elez Jusufin, Dinë Hoxhën, Mersin Demën e Shaqir Demën, Selim Nokën, Dervish Biçakun, etj. Midis këtyre Esati, i bëri pritje të veçantë Zogut, në atë kohë 18 vjeç, të cilit i ishte rritur influenca, si për pjesëmarrjen e tij në luftën e Shkodrës, ashtu edhe për mbajtjen e krahinës së Matit, të pa okupuar nga ushtria serbe gjatë Luftës Ballkanike (Zogu, me një fuqi të përbërë prej matjanësh, deshi të merrte pjesë në luftën e Shkodrës, por në Kakarriq, ra në një pritje të ushtrisë malaziase dhe atje u shpartallua).

Zogu ishte mysafir në shtëpinë e Pashës

Në mbledhjen e delegatëve, Pasha, pasi i përmirëseardhi delegatët, u tha: “Siç ju do ta kini marrë vesh, Fuqitë e Mëdha, e njohën pavarësinë e Shqipërisë. Pra, përpara këtij fati të lumtur, gjithkush duhet të mendohet për mënyrën e sundimit të vendit tonë dhe për udhëheqësin e tij, për të cilin unë mendoj se, mbasi Shqipëria përbëhet prej një shumice myslimanësh, duhet ta ketë një udhëheqës mysliman. Për këtë gjë besoj se edhe zotëria juaj, do të jeni dakord me mua”. Si mbaroi këto fjalë (në shtëpinë e Selim pashë Toptanit), pa i dhënë rastin ndonjërit prej delegatëve për të dhënë përgjigjen e tyre, del jashtë.

Pra, pasi nuk u bë ndonjë kundërshtim nga kushdo qoftë, kuptohet vetiu, se mendimi i Esatit qe pranuar prej tyre me përjashtim të Zogut, i cili ndër ato ditë, kur Esati shkoi në Durrës për të përgatitur formimin e qeverisë së Shqipërisë së Mesme, përgatiti një telegram fallso, që gjoja i dërgohej Osman Balit nga ana e Esatit. Osman Bali në atë kohë, ka qenë komandant i fuqive të Pashës, në Tiranë.

Në telegram, urdhëronte Osman Balin t’i jepte Zogut armë e municion, të cilat i nevojiten fuqive të tij, që kishte prurë me vete. Esati u zemërua tepër përpara kësaj tradhtie. Por ky, pasi merrej me formimin e qeverisë së Shqipërisë së Mesme në atë kohë, nuk e pa oportune, të merrte masa kundër Zogut. Abdi, Murat dhe Refik Toptan,i nuk ishin dakord me mendimet dhe veprimet e Pashës. Zogu, duke përfituar nga preokupimet e Esatit, rrethoi Matin dhe e mbrojti derisa erdhi Vidi. Kështu që gjatë periudhës së Esatit, Mati mbeti i pavarur.

                                                                        ***

Esati, kur u kthye i pakënaqur, më 18 shtator 1913, nga Vlora, dërgon kushëririn e Abaz Kupit në Lesh, te Mano beg Lesha, me një letër me porosi, që delegatin t’ia çojë Preng Pashës në Kallmet. Esati, në letrën që i dërgonte Preng Pashës, i thoshte: “Si ministër i Brendshëm, erdha me punë në Durrës. Të punojmë bashkë, ose të paktën të më përkrahësh, se Princ Vidi asht shënue si Mbret dhe s’kemi se çfarë me ba”. Esati i lutej Preng Pashës, që delegatin në fjalë ta përcjellte deri në Shkodër, se ka për të dërguar letra. Ai kishte katër letra për Shkodër: për Myfti Adem Efendinë, Alush Lohjën, Sulçe Begun dhe Muharrem Kazazin.

Ibrahim Kumnova, sekretari i Preng Pashës, mundi ta hapte njërën letër, ku shkruhej: “Si ministër i Brendshëm, erdha të punoj në Durrës, se me Ismail Qemalin nuk punohet. Pra të vini e të bisedojmë, për një princ turk”. Preng Pasha, nga ndryshimi i përmbajtjes së letrave, që nuk konkordonin, u trondit, bashkë me Musa Shehun (nga Prizreni), Hysni Currin (nipi i Bajram Currit) dhe Dan Hasanin, që ishin prezentë. Bajram Curri, ndodhej në Kthellë. Preng Pasha, me shokët e tij të lartpërmendur, vendosën të dërgohej Dan Hasani te Esati, me një kartëvizitë të Preng Pashës, ku ky i thoshte Esatit: “Përgjigjen time, asht ngarkue me jua dhanë Dani”.

Dani Esatin e gjen në Tiranë, ku ka qenë bashkë me Fadil Pashë Toptanin dhe me Dervish Himën. Kur pasha mbetet vetëm, Dani ia jep Esatit kartiviztën e Preng Pashës dhe gojarisht i flet fjalët që i kish porositur Pasha: “Nuk e shoh të arsyeshme, që në Durrës të ngrihet një qeveri e re, pse bën një përshtypje të keqe në botën e jashtme në dëm të Shqipnisë, ashtu si me dasht të ngreh edhe unë një qeveri në Mirditë, sikur Gjeto Coku ëndërronte të ngrinte në Lesh, gjë që na diskrediton jashtë. Unë mendoj dhe ju ftoj juve, si ministri i Qeverisë së Vlorës, dhe unë si nën kryeministër, të mblidhemi së bashku, e të diskutojmë situatën, e në qoftë se Ismail Qemali ka të meta, e rrëzojmë me anën e rrugës legale”.

Esati i përgjigjet Danit, duke i thënë: “Unë me Ismail Qemalin, nuk punoj kurrë, prandaj ma bani Preng Pashën, që të paktën të rrijë asnjanës”, dhe shton: “Të ma biesh në Tiranë edhe Bajram Currin, i cili ndodhet në Kthellë. E në qoftë se nuk mund të vijë në Tiranë, le të vijë në Krujë, se shkoj dhe shihem vetë me të. Dhe Bajram Currit, t’i nap një mijë kuintalë drithë, për malësorët e Gjakovës”. Dani kthehet në Kallmet.

Mbas largimit të Ismail Qemalit nga Vlora, Preng Pasha me shokë, vendosën të dërgojnë një komision të përbërë prej sheh Musa Prizrenit dhe Dan Hasanit në Nicë (Francë), i cili në emër të Preng Pashës e Bajram Currit, t’i lutej të vijë në Lesh për të ngritur përsëri Qeverinë e Vlorës, mbasi Shkodra ishte e okupuar prej fuqive ndërkombëtare, dhe kështu me ecë kundër Esat Pashës. Por Ismail Qemali, u përgjigjet: “Djemtë e mij, Shqipëria me gjak humbet, prandaj gjakun duhet ta evitojmë. Më puthni Preng Pashën dhe Bajram Currin”.

***

Esati e formoi Qeverinë e Shqipërisë së Mesme, më 14 tetor 1913, me Ali Bej Zajmin (dibran), Isuf bej Dibrën, Azis Vrionin dhe stabilizoi një administratë të rregullt. Mbas formimit të qeverisë, Komisioni i Kontrollit i propozon Esatit, që të formojë një komision të përbërë prej gjithë parisë së vendit, që të shkojë në Gjermani, për t’ia paraqitur Princ Vidit fronin e Shqipërisë. Esati pranon propozimin e komisionit me dy kondita:

1) Të pranohet Durrësi si kryeqytet:

2) Në kabinetin që do të formohet, t’i rezervohej atij Ministria e Brendshme dhe ajo e Luftës.

Komisioni i Kontrollit i pranoi dhe komisioni i parisë së Shqipërisë shkon në Gjermani, ia paraqet Princ Vidit fronin e Shqipërisë, i cili si Mbreti i Shqipërisë, zbret në Durrës, më 17 mars 1914.

Formimi i kabinetit të Mbret Vidit dhe intrigat e Esat Toptanit

Mbreti Vid, ngarkon Turhan Pashën të formojë kabinetin. Ky ka qenë i rekomanduar nga Cari i Rusisë, mbasi ka qenë 25 vjet me radhë, ambasadori i Turqisë në Peterburg. Kishte fituar simpatinë e pallatit si folës i mirë e spiritual dhe si një njeri që zotëronte shumë gjuhë. Në kabinet, Ministria e Brendshme dhe ajo e Luftës, i ishte besuar Esat Toptanit dhe N/Kryeministria, Preng Pashës.

Vidi për herë të parë vizitoi Tiranën, ku iu bë një pritje madhështore. Në këtë kohë pëshpëritej aty-këtu në popull, se Vidi me rrethin e tij, po na prishin fenë, për shembull, se oficerëve u kanë vënë kapë në formë kapele. Pak ditë pas vizitës së Vidit në Tiranë, në muajin mars, filluan të pëshpëriteshin fjalët, se xhandarët grekë, kishin filluar lëvizjet në kufi, lajm i cili u vërtetua pas disa ditësh. Për këtë punë, Esati erdhi vetë në Tiranë, ku mblodhi popullin përpara kazermës “Skënderbej”, ia njoftoi agresionin grek dhe e porositi popullin që; “për hir të atdheut, të marrë armët për me luftue anmikun”.

Esati para se të vinte në Tiranë, takohet në Vorë, pas marrëveshjes që kishte bërë më parë, me Man Picarin, Myrto dhe Dervish bej Arbanën, të cilëve u thotë: “Unë jam i mendimit që Vidi, sado i zgjedhur nga Fuqitë e Mëdha, mbasi asht i huaj, nuk i di zakonet tona, me të cilat ne mbahemi. Veçanërisht, mbasi nuk asht mysliman, kur shumica e vendit tonë, përbëhet prej tyre, këto kohë të fundit, ai nuk po e respekton fenë tonë. Për shembull, do të keni vënë re, se edhe oficerëve u kanë vënë kapë. Për këto arsye, unë mendoj se duhet bërë diçka për me e rrëxue këtë e, në vendin e tij, të vihet një mysliman”.

Këta mbasi aprovuan mendimin e tij, i dhanë besën duke i thënë: “Na ke gati, që të veprojmë kurdoherë, mbas urdhrave tuaj”. Mbasi ranë dakord, Esati u tha: “Unë po shkoj në Tiranë, ku do të ftoj popullin për të marrë armët, për me luftue kundër grekëve, që siç e dini edhe ju, na kanë mësy nga kufiri i jugut, por këtë fuqi, kur të niset nga Tirana për në front, e që do të kalojë këndej, ta ndaloni qoftë edhe me armë dhe t’u thoni se nuk u lëmë, se ne do të çohemi kundër Vidit”.

Kjo fuqi vullnetare nacionaliste, rreth 500 vetash, e udhëhequr prej Refik Toptanit, Musa Beqirit (Musa Qazimit, myftiu i Tiranës) sheh Musa Dushkut, e tjerë, të gjithë këta prej Tirane, kur mbërrijnë te Ura e Limuthit në Vorë, hasi fuqinë kryengritëse të Man Picarit me shokë që ndodheshin në pritë, e i ndaluan vullnetarët të vazhdonin rrugën. Kundërshtimet e të dy palëve, mbërrijnë deri në një luftë të vogël. Vullnetarët u detyruan të kthehen, më 6 maj 1914.

Sulmet e grekëve kishin filluar dhe lufta vazhdonte me rreptësi midis të dy palëve. Esati bënte çmos, për ta nxitur popullin injorant kundër Vidit dhe municionet e destinuara për luftëtarët që luftonin kundër grekëve, në shumicën e rasteve nuk shkonin atje ku ishin për të vajtur, por ia shpërndante pasuesve të tij. Nga ana tjetër, Esati e sabotoi organizimin e një fuqie ushtarake të destinuar për në jug kundër grekëve. Vetëm një batalion i formuar prej rezervistësh u dërgua në Korçë nën komandën e major Ali Fehmi Kosturit. /Memorie.al  

Scroll to Top