Mefail Shehu (Mefaili i madh) – Udha jonë është Shqipëria Etnike..
Mefail Shehu ose si njihej në popull Mefaili i Madh ose Mefaili i Zajazit, ishte i lindur në Zajaz të Kërqovës, në vitin 1898. Ai kishte lindur në një familje që për kohën ishte përparimtare dhe që ndjenjat kombëtare, dashuria për atdheun dhe vendin ishin kultivuar dhe ekzistonin brez pas brezi. Në kohën kur konfliktet e luftërat në Ballkan ishin shtuar, po në atë kohë kur sulmet e zullumqarëve shtoheshin për çdo ditë në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve, dhe mu në këtë kohë Mefaili i vogël lëshon shtat.
Familja në të cilën u lind Mefaili ishte e kamur dhe për rritën e tij nuk kursenin asgjë. Ndodhi që në moshën 15 vjeçare Mefaili ishte dëshmitar i një krimi makabër që e kishte organizuar dhe ekzekutuar ushtria serbe në fshatin e tij, duke i sulmuar dhe marr me dhunë nga shtëpitë e tyre mbi 300 burra shqiptar, që më vonë i mbyllin në xhamin e fshatit duke i dhënë zjarrin. Duke i djegur të gjallë që të gjithë. Mafaili i ri, nuk ishte njeri që mund të harronte ato tmerre, dhe ndoshta, mu kjo, kishte ndikua që në memorien e tij të skalitet urrejtja ndaj armikut dhe ndoshta mu këtu u betua, se kurrë nuk do të ndalet së luftëtuari, derisa ta shporr edhe armikun e fundit nga trojet shqiptare.
Dashuria ndaj vendit dhe nacionalizmi shqiptar i Mefail Shehut u kultivuan gjatë viteve të rinisë, ngase ai ishte i cili e përjetoi dhe e pësoi gjenocidin e terrorin që ushtruan serbo-sllavet në 22 fshatra shqiptare në rajonin e Kërçovës. Gjatë gjithë jetës së tij, deri sa të vritet Mefail Shehu do të ëndërrojë për një Shqipëri të pavarur, dhe si pjesë e pandashme e saj do të jetë edhe Kërçova dhe të gjitha viset shqiptare. Është i njohur amaneti i tij, që shumë shpesh e thoshte para qytetarëve të vet se: “Në bëfshim vëllazërim me sllavët, na mallkon gjaku i pafajshëm që është derdhur, na mallkojnë nënat që nuk jua dinë varret, na mallkojnë bunarët e mbushura me kokat e familjarëve tanë, ai që ka guxim të ther një fëmijë, nuk ka besë, kjo u dëshmua edhe sot. Udha jonë është Shqipëria etnike, nuk ka rrugë tjetër”.
Fshati Zajaz, ku kishte lindur Mefail Shehu, ishte njëri nga fshatrat më të mëdha në komunën e Kërçovës, por edhe në Republikën e Maqedonisë. Shtrihet në fushën e Kërçovës, nën malin Bistra. E gjejmë pranë rrugës Kërçovë – Gostivar, 10 km nga qyteti i Kërçovës dhe 36 km nga Gostivari. Siç dihej, gjatë historisë, Zajazi e Kërçova ishin cak i sulmeve të kriminelëve sllavë, sidomos gjatë dhe pas pushtimit të tokave shqiptare në vitet 1912 – 1914. Historia dëshmon se tre bunarë të Zajazit në ato luftëra ishin mbushur me shqiptarë të pushkatuar apo të djegur e të masakruar. Njëri bunar i braktisur, me rreth 40 kufoma, është zbuluar në oborrin e shtëpisë së liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit. Gjithashtu, afër kësaj shtëpie dhe përballë saj ishin varrosur mbi 60 burra të masakruar nga pushtuesit sllavë. Një varrezë masive kohë më parë ishte zbulua gjithashtu afër Kërçovës, në një shpellë afër vendit të quajtur Dardhë. Një ekip ekspertësh zbuloi në të shumë kafka dhe mbetje mortore.
Mbetjet mortore janë nxjerrë në vitin 2016. Pas këtyre viteve të rënda, si rezistencë ndaj pushtimit dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, por edhe në Zajaz, ku kishte lindur Lëvizja Kaçake nën udhëheqjen e Sefer Zajazit i njohur me emrin Sefer Kaçaku, Sadin Selmani, Kalosh Dani-Zajazi me të vëllain Lazamin etj.
Duhet theksuar se Mefaili i Madh gjatë tërë jetës është dalluar nga moshataret për trimëri dhe për mençuri. Gjatë viteve të 30, deri sa kjo pjesë ishte nën okupim, Mefaili caktohet të jetë xhandar në Zajaz. Në këtë pozitë, ai qëndron deri më 1941. Nga ky vit mund të thuhej se, fillon aktiviteti i madh i tij atdhetar, duke ikur nga Zajazi në Kërçovë për të filluar një jetë të re. Me ardhjen e tij në këtë qytet, ai formon Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e kufijve dhe popullatës shqiptare nga sulmet e bullgarëve. Pra, Komiteti ishte edhe zanafilla e parë e çetave vullnetare shqiptare për mbrojtjen e kufirit nga sulmet e ushtarëve bullgar. Në një miting (tubim) të madh, të organizuar në Sheshin e Qytetit, në afërsi të xhamisë së madhe në Kërçovë, populli që ishte tubuar, atë e zgjedh për Komandant të përgjithshëm të forcave vullnetare, si dhe komandant lufte për Zajaz Xhuma e Kollarë. E Mefailin e Vogël e zgjedhin për Zajaz Teqe, Greshnicë e Llapkidoll. Ndërsa, Begzat Vulin e zgjedhin për anën e Rretheve të Berikovës e deri në Garanë, në të cilat fshatra kishte shumë trima, që me sukses udhëhiqnin luftën kundër forcave sllave.
Pas zgjedhjes së tij komandant i forcave vullnetare, ai bashk me Mefailin e Vogël kaloi fshat më fshat duke i folur popullatës se si duhet të organizohen dhe të mbrojnë vendin dhe duke iu folur se si një ditë këto toka, do të jenë pjesë e pandashme e Shqipërisë Etnike. Prandaj, duhet luftuar pa kursyer jetën. Mefail Shehu (Mefaili Madh), mbajti edhe disa tubime si në Zabel të Zajazit dhe te “Gurra e Kaçakëve”, afër Tajmishtit.
Mefaili i Madh, në këtë kohë mori për obligim që së bashku me mikun e tij Mefail Mehmetin-Mefailin e Vogël, të organizonintakime të shumta, që ti informonin fshataret se rreziku i luftës është afër, dhe është mirë që të gjithë burrat e moshës madhore të regjistrohen dhe të formojnë çeta vullnetare për mbrojtjen e vendit dhe të popullatës shqiptare. Gjatë këtij aktiviteti, të dy Mefailet, nga populli shqiptar kërkoni që ata kurrsesi të mos angazhohen në ushtrinë italiane, por të ishin të gatshëm me çdo gjë që kishin, të mbronin kufirin shqiptar. Dihej se, në këto anë, urrejtja ndaj okupuesve ishte shumë e theksuar dhe në tokat e tyre nuk duronin që të shkelte këmbë e huajt dhe okupuesin mbi kokë. Luftonin edhe kundër atyre që mendonin se duke luftuar në anën e partizanëve do i sjellin lirin popullit.