Medalje të artë në Serbi! Amanda, 11-vjeçarja e cila stërvitet 6 orë në ditë: Dua të bëhem kampione bote
Fëmijërinë e saj Amanda Dedej ia ka dedikuar sportit të karatesë ku edhe shkëlqen prej vitesh. 11-vjeçarja nga Dushku i Lushnjës dominoi mbi 1400 garues nga 13 shtete, duke marrë medaljen e artë në kampionatin ballkanik për të rinj.
“Unë mora vendin e parë duke bërë katër ndeshje, duke fituar ndaj sportistes serbe, sllovene, Bosnje-Hercegovinës dhe turkes. Jam ndierë shumë e lumtur,”-tha Amanda.
Është ende shumë e re, por sakrificat e Amandës për karatenë i kalojnë limitet.
“Unë stërvitem 6 orë në ditë dhe kam 27 medalje deri më tani. E kam filluar që prej moshës 4 vjeçe dhe ëndërr kam të dal kampione botë në të ardhmen,”-u shpreh Amanda.
Amanda stërvitet në palestrën ‘Bijtë e Shqipes’ ku praktikojnë karatenë edhe dhjetëra fëmijë të tjerë.
“Më pëlqen karateje dhe kam gati 1 vit që e praktikoj. I bëj apel moshatarëve të mi të merrem me këtë sport sepse i zhvillon trupin, mendjen dhe gjithashtu i ndihmon me fizikun e tyre,”-deklaroi një fëmijë.
“Jam Euglent Bakiasi, 12 vjeç dhe kam 4 vite që bëj karate,”-u shpreh një fëmijë.
“Jam 13 vjeçe dhe kam disa muaj që e praktikoj këtë sport që më pëlqen shumë,”-tha një fëmijë.
“Unë jam Alvin Dedej jam 7 vjeç. Kam rripin blu, ndërsa me karaten merrem prej dy vitesh,”-u shpreh një tjetër fëmijë.
Rezultatet e Amanda Dedejt, por edhe përhapja e sportit të karatesë në Dushk të Lushnjës është për meritë të trajnerit Lirim Dedej, gjithashtu edhe trajner i ekipit kombëtar. Në këtë palestër stërviten fëmijët nga mosha 4 deri në 14 vjeç nga disa qytete të Shqipërisë.