Medalioni i parë i Gjergj Kastritot Skënderbeut nga viti 1449 që ruhet në Zagreb

Studimet dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skenderbeut, po japin rezultate të reja në fusha dhe lëmi të ndryshme, për të cilat më parë nuk kishte fare njohuri. Është deri diku e çuditshme që nëpër arkiva e biblioteka shtetërore e private, muzeume e koleksione të ndryshme të ruhen thesare kaq të çmuara.

Në Zagreb, në Muzeun Arkeologjik, në fondin e: “Numizmatikës Mesjetare / Srednjovjekovne numizmatike,” ruhet një medalion origjinal i Gjergj Kastritoit Skenderbeut. Ky medalion është prej bronzi me dimensione: 95 x 97 mm dhe peshon 169.96 gr. Autori është i panjohur, po kemi të dhëna të sakta se medalioni është punuar në Venedik në vitin 1449.

Në dy dokumente, gjejmë të dhëna për vitin e punimit të medalionit, po jo edhe për autorin. Dokumentet janë të pa botuara dhe ruhen në fondin: “Senato Mar. Bust. V”. Si duket ky medalion është punuar me porosinë e një familje fisnike shqiptare që jetonte në Venedik, sipas të gjitha gjasave, degës së Engjëllorëve të Drishtit, që jetonin atje që nga fundi i shek. XIV-të.

Medalioni ka formë të rrumbullakët, është i gdhendur dhe ka shënime, vetëm në njërën anë, në avers, ndërsa në revers, nuk ka ndonjë dekorim, shënim apo diçka të ngjashme. Në avers, Skenderbeu është në profil, i kthyer në të djathtë. Në kokë ka një kapele venedikase, të thyer në të dy këndet, ndërsa veshur ka një pelerinë venedikase, nga ato që mbanin bujarët vendas, venedikas, me disa dekorime të bukura, që bën për të kuptuar, se autori e kishte shikuar Skenderbeun të gjallë, e jo nga ndonjë përshkrim, me siguri gjatë qëndrimit të tij në Venedik. Mjekrën e ka të gjatë, por, jo të zbardhur.

Në medalionin e Zagrebit, Skenderbeu nuk më i madhë se, 50 vjet

Është me rëndësi të ceket se Skenderbeu në këtë medalion duket shumë i ri, gjë që e bën shumë më të vlefshëm dokumentin që ne kemi shfrytëzuar për të datuar medalionin. Vijat e fytyrës, tregojnë se nuk kishte më shumë se pesëdhjetë vjet. Hunda, nuk ka pozicionin e një “Hundë shqiponje”, po është e drejtë.
Brenda shiritit anësor, në gjërsi prej: 11 mm, është i gdhendur teksti:
GEORGIVS CASTRIOTT DE SCANDERBEG INVICTISS.

Ky tekst duhet të lexohet:

[D/OMINUS/] GEORGIUS CASTRIOTT[VS] DE SCANDERBEG INVICTISS[IMVS];

ndërsa i përthyer në gjuhën shqipe lexohet:

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU [MË] I PAMPOSHTURI.

Teksti fillon në anën e majtë, në nivelin e supit dhe mbaron në anën e djathtë, te cepi i jelekut, që dallohet nga pelerina.

Për rrugën historike të këtij medalioni, për fat të mirë ekzistojnë disa të dhëna. Në Zagreb, në fondin e numizmatikës mesjetare, ka arritur në vitin 1912, pasiqë është blerë, për një shumë jashtëzakonisht të madhe parash: 251 kruna ose 10 dukat floriri dhe një krune të argjendit, në ankandin e Frankfurtit nga Josip Brunschmid, /1858-1929/, në atë kohë drejtor i Muzeut Historik të Zagrebit. Në këtë ankand, ky medalion i Skenderbeut kishte arritur çmimin më të lartë nga gjithë eksponatet tjera që shiteshin.

Ne kemi bërë një studim të veçantë, po edhe kemi konsultuar specialistë të kësaj fushe. Dr. Ivan Mirnik, si udhëheqës i Fondit të “Numizmatikës Mesjetare” pranë Muzeut Arkeologjik të Zagrebit, na ka mundësuar të bëjmë analiza përkatëse studimore, duke na ofruar ndihmë të pakursyer profesionale dhe literaturë të shumtë; po edhe ka lejuar fotografimin dhe publikimin e këtij medalioni. Me këtë rast, e falënderojmë publikisht.

Rëndësia e veçantë histroike e këtij medalioni

Medalioni i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, ka një rëndësi të shumfishtë. Fakti se ai u punuan derisa ishte gjallë Skenderbeu dhe pos kësaje dhe në një moshë mjaft të re, ka një peshë të veçantë, ngase autori [mjeshtri], e kishte shikuar me sytë e tij heroin shqiptar. Të dhënat i kishte të sakta, dmth. nuk bazoheshin në gojdhëna, rrëfime apo përshkrime të të tjerëve. Tiparet dhe karakteristikat që i gjejmë në këtë medalion, bëjnë shumë të qartë fytyrën e Skenderbeun, veshjen e tij dhe moshën; gjëra këto, që kanë qenë shumë pak të njohura deri sot.
Medalioni i Zagrebit, është shumë ekskluziv, ngase është punuar në vitin 1449, pra, vetëm 11 [njëmbëdhjetë] vjet më vonë, pas medalionit të parë [nga viti 1438] që njihet në histori, të cilin e ka punuar Pisanello, me rastin e pjesmarrjes së Gjon Paleologut të VII-të, në koncilin e Ferrarës.

Fjala medalion, në gjuhë të ndryshme ka funksion të njëjtë, psh. në latinishte: metallum; në italishte: medaglio; në anglishte: medal; në frengjishte: médaille; në gjermanishte: Medaille; në kroatishte: kolajna, etj. Medalioni mund të jetë nga: floriri [ari], argjendi, bronzi, plumbi dhe legura të tjera.

Origjina dhe zhvillimi i medalioneve gjatë historisë

Gjatë historisë kishte funksion të ndryshëm. Psh. në Greqinë antike, nuk njihej termi medalion, edhe pse në disa monedha, gjejmë elemente që janë shumë të afërta me medalionin. Në Romën antike, medalioni që punohej atëherë, i ngjan shumë, medalionit të sotëm, modern; me një ndryshim, që në Romë, mdealioni punohej vetëm me urdhër të mbretit romak dhe nuk kishte askush tjetër të drejtë, të punonte apo ndante medalione. Në Bizant, medalinoni është fare i panjohur. I panjohur është edhe në mesjetën e hershme. Për herë të parë, medalioni punohet në vitin 1438.

Medalioni ngjan shumë me monedhat, por është diçka më i madh. Dukja e jashtme dhe elementet përbërëse, janë të njëjta me ato të monedhave, por ka funksion tjetër. Është punim artistik, me karakter përkujtimor ose jubilar. Punohet në një kopje të vetme, e në raste veçanta në disa kopje, po çdoherë në numër të kufizuar. Zakonisht, në avers ka gdhendje portreti të ndonjë figure të shquar, po në raste veçanta mund të ketë edhe reliev. Ndërsa në revers, zakonisht paraqitet ndonjë reliev, gdhenjde grafemave të ndryshme, dekorime stilistike, data të caktuar, dhe gjëra të tjera të cilat përdorën në raste të tilla. Dielli

Prof. Dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies – Budapest

Scroll to Top