“Me shqiptarët e kemi bërë edhe më parë. I vrasim të gjithë”, gjenerali Wesley Clark tregon çka i tha Millosheviqi në vitin 1998
25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.
Gjenerali Clark, me rastin e këtij përvjetori, thotë se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar.
Ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjeneral Clark, ka kaluar një çerek shekulli që kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të ndaluar spatrimin etnik. Ju ishit komandant i lartë i NATO-s në atë kohë, (drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999), cilat janë reflektimet tuaja tani, pas 25 vjetësh?
Clark: Jam krenar për veprimet që ndërmori NATO-ja në atë kohë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. NATO veproi duke përdorur minimumin e forcës, duke marrë çdo masë parandaluese për të shmangur lëndimin e civilëve të pafajshëm dhe megjithatë e përmbushi synimin për t’i dhënë fund spastrimit etnik.
Gjeneral Clark, në atë kohë pati shumë debat në rang ndërkombëtar, pasi ndërhyrjet humanitare nuk ishin diçka që ndodhte shpesh. Në një vështrim retrospektiv, si e shihni sot këtë lloj ndërhyrjeje në përgjithësi, si çështje e marrëdhënieve ndërkombëtare?
Clark: Do të thosha se ishte një ndërhyrje e nevojshme e cila u krye në mënyrë rigoroze (posaçërisht) për qëllime humanitare dhe e përmbushi misionin e saj.
Kur e shihni sot Kosovën, a është ashtu siç e kishit imagjinuar para 25 vjetësh se do të ishte?
Clark: Ajo që dinim në fillim të fushatës, ishte se do të angazhonim forcat e NATO-s. Në atë kohë nuk e dinim që serbët do të largoheshin plotësisht. Nuk ishte kurrë synimi ynë që të ndanim Kosovën, në asnjë lloj mënyre, apo të ndikonim që ajo të bëhej e pavarur.
Por veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë fushatës, vrasja e pamëshirshme e civilëve, përpjekjet për të shkatërruar pronat e shqiptarëve të Kosovës, sjellja brutale e fqinjit kundër fqinjit në këtë fushatë, e bëri realisht të pamundur që serbët të qëndronin.
Prandaj NATO-ja e bëri si një nga prej objektivave të saj, që forcat serbe duhet të largoheshin. Më pas Kosova u mbikëqyr nga ndërkombëtarët, nën drejtimin e OKB-së dhe pastaj vendosi se duhet të ishte e pavarur.
Por të them të vërtetën, gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme, sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë.
Gjeneral Clark, të flasim mbi situatën aktuale të cilës juve iu referuat dhe veçanërisht marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova ka qenë një prej vendeve më pro-amerikane dhe kjo në masë të madhe edhe falë ndërhyrjes që juve drejtuat atëherë. Por tani, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ose së paku mes dy qeverive, janë në pikën më të ulët. Cili është mendimi juaj për këtë? Pse kanë arritur në këtë moment dhe çfarë mund të bëhet për të tejkaluar këtë situatë?
Clark: Unë i shoh gjërat nga jashtë, nuk jam në brendësi të tyre, ndaj është pak e vështirë të komentoj mbi këtë. Por është e rëndësishme të kuptohet se dy shtete që janë krah më krah, Kosova dhe Serbia, nuk mund t’i çojnë përpara marrëdhëniet nëse vazhdojnë të përfshihen në konflikt mes tyre. Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar. Por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.
Por kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiq në Serbi. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm dhe që ka mundësinë më të madhe për fleksibilitet në këtë rast, mundësitë më të mëdha për kompromis. Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide. Është një pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë.
Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Millosheviq në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit ’98 e cila parashihte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova.
Presidenti Millosheviq tha në mënyrë të prerë: “E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë”, tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha “i vrasim të gjithë”.
Në këtë kuptim, i vetmi rezultat për këto tensione historike me rrënjë të thella, ishte ndarja në dy shtete. Dhe tani, dy shtetet, duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar, për të përparuar, për të bashkëpunuar me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të tyre. Kjo është një sfidë, është një sfidë shumë e vështirë që duhet të kapërcehet. Kujtimet janë ende të freskëta për të dyja palët dhe mendoj se kjo është diçka që nuk mund të bëhet e sforcuar, duhet të vijë natyrshëm.
Problemi është se veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës e kanë vështirësuar edhe më tej situatën, sepse gjithkush e kupton se Serbia ka një lidhje historike me Rusinë dhe Rusia po e përdor Serbinë për të përgatitur terrenin që nëse shënon sukses në Ukrainë, të shkaktojë kaos më të madh përsëri në Ballkanin Perëndimor. Kjo dihet.
Vuçiq duket i dyzuar mes dy alternativave: Të rreshtohet në krah të Perëndimit apo të mbajë marrëdhënien historike vëllazërore me Rusinë. Mesa duket ai po përpiqet t’i ketë të dyja. Së paku kështu duket nga jashtë. Po duke e parë nga jashtë, duket se populli i Kosovës, një vend më i vogël, varet nga mbështetja e huaj, nga Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë për të mbijetuar dhe për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Në një fare mënyre duhet të tregohemi të duruar. Duhet të vazhdojmë përpjekjet mbi këtë situatë. Duhet të kuptojmë se zgjidhja e çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e pavarur nga rezultati i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë
Gjeneral Clark, ju përmendët kontekstin e ri gjeopolitik pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Duke marrë parasysh se ka kritikë të cilët thonë se është pikërisht kjo arsyeja se përse po bëhet më shumë trysni ndaj Kosovës, në mënyrë që të mos shtohen sfidat, cili është mendimi juaj. A bini dakord me këto qëndrime?
Clark: Mendoj se trysnia ndaj Kosovës nisi gjatë administratës së Presidentit Trump, ku të dërguarit e Shteteve të Bashkuara në Ballkan donin të shënonin një sukses diplomatik. Dhe pikërisht aty nisi trysnia. Tani, me luftën (në Ukrainë), sigurisht që është normale dhe e natyrshme që Perëndimi kërkon ta shohë të zgjidhur këtë çështje, ta shohë Serbinë plotësisht në kampin e Perëndimit dhe të lidhur me Bashkimin Evropian në mënyrën më pozitive të mundshme. Por pikërisht për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës kjo ka pak gjasë që të ndodhë. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë janë të lidhura me atë që ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe këto probleme pasqyrojnë tensionet më të mëdha gjeopolitike në rajon.
Gjeneral Clark, ju e njihni ambasadorin amerikan në Serbi, Chris Hill prej një kohe të gjatë, që nga koha e ndërhyrjes (së NATO-s). Dy ditë më pare ai tha se tani “Serbia është më afër me NATO-n sesa Kosova. Kemi patur stërvitje të përbashkëta dhe shumë gjera më ushtrinë serbe. Tani punojmë shumë më shumë së bashku (me Serbinë) sesa me UÇK-në apo çfarëdo që ka dalë prej saj”. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?
Clark: Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë.
A mund të shpreheni më konkretisht?
Clark: Mendoj se ajo që thotë ai është absolutisht e vërtetë.
Që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe se sa me Kosovën?
Clark: Nuk mund të flas me detaje sepse nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje. Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë.
Por kjo në fakt bie ndesh me qëndrimin e vetë Beogradit që nuk ka shprehur gatishmëri për të qenë anëtar i NATO-s ose për të qenë më pranë aleancës, apo jo?
Clark: Mendoj se kjo është një përpjekje për ta çuar Beogradin në drejtimin e duhur. Shpresoj që ambasadori të arrijë sukses në atë që po bën, sepse është shumë e rëndësishme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme.
Të kthehemi pak tek qëndrimi i qeverisë së Kosovës. Ju thatë se po ushtrohet më shumë trysni ndaj Kosovës, por a mundet që Kosova dhe veçanërisht drejtuesit e saj të jenë më konstruktivë, përsa u takon përpjekjeve për të bashkëpunuar drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve?
Clark: Si dikush që i sheh këto çështje nga jashtë, nuk mund të jap një mendim të detajuar. E vlerësoj dhe është nder që më kërkoni një koment mbi këtë, por nuk mundem. Nuk mund të jap asnjë koment të dobishëm mbi këtë sepse nuk jam në brendësi të këtyre diskutimeve dhe do të ishte e gabuar që të guxoja të jepja një opinion.
Në raportin e fundit të komunitetit amerikan të zbulimit mbi rreziqet globale, për Ballkanin, përmendet pikërisht situata mes Kosovës dhe Serbisë si edhe Bosnje-Hervegovina si pika ku mund të shpërthejnë konflikte. Kjo në mesin e tensioneve që u acaruan vitin e kaluar, pas sulmit në veri të Kosovës. Si i shihni ju këto shqetësime mbi gjendjen e sigurisë duke mbajtur parasysh ato që kanë ndodhur në këto muajt e fundit?
Clark: Mendoj se është një situatë që duhet ndjekur me kujdes. Jam i sigurt që ambasadori Hill po bën gjithçka që mundet që ta shohë situatën nga perspektiva amerikane. Shpresoj që NATO-ja po bën gjithçka që mundet për të qenë në gatishmëri dhe për të marrë masat për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi në anën e Kosovës. Sikurse e thashë këto tensione ndizen nga përpjekjet ruse. Rusia kërkon të ndezë mosmarrëveshje dhe kaos në rajon dhe e gjitha puna që kemi bërë në Ballkan nuk do të ketë rezultat të frytshëm nëse nuk trajtojmë çështjen mes Ukrainës dhe Rusisë.
A mendoni se në këtë rast, është e nevojshme që të ketë ndryshim të taktikave dhe strategjisë lidhur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi qasen ndaj Kosovës dhe Serbisë?
Clark: Mendoj se tani nuk e kam të mundur të bëj komente mbi strategjinë aktuale. Nuk është e mundur sepse nuk jam aq pranë sa të jap një koment të dobishëm. Mendoj se cilado strategji që ne zbatojmë, përsëri është peng i asaj që po ndodh 1600 apo 1300 kilometra në lindje të Ukrainës, në rajonin e Donbasit, ose në zonën e konfliktit dhe cilat janë synimet e Rusisë. Kjo është ajo që përcakton qëndrimet e Evropës, nga njëra anë po e shtyn Evropën që të dojë të zgjidhë krizën mes Serbisë dhe Kosovës dhe nga ana tjetër duke ia bërë më të vështirë arritjen e një gjëje të tillë.
A mendoni se kjo është e drejtë për të ardhmen e procesit ndërmjet dy vendeve?
Clark: Mendoj se procesi do të vazhdojë për një farë kohe dhe mendoj se është e rëndësishme që ky proces të mbahet gjallë dhe të vazhdohet me dialogun. Nëse do të kishim një përparim të rëndësishëm, do të ishte e mrekullueshme, por nuk parashikoj një gjë të tillë. Prandaj, sikurse e thashë, kjo është një çështje dytësore në Evropë dhe në shumë aspekte varet nga ajo që do të ndodhë mes Rusisë dhe Ukrainës.
Më parë ju përmendët historinë. Ka një prirje, zakonisht, mes diplomatëve dhe politikanëve për të harruar historinë, ose për ta lënë atë pas krahëve, kur duan të zgjidhin një çështje aktuale. Duket se kjo po ndodh edhe me Kosovën dhe Serbinë dhe me diplomatët që janë përfshirë më shumë në përpjekjet për të zgjidhur çështjen që kanë në tryezë, jo duke e harruar, por në një fare mënyre duke injoruar apo neglizhuar kontekstin historik A është e mundur të ketë zgjidhje të çështjeve, pa trajtuar problemet e së shkuarës?
Clark: Jam i sigurt se ka këndvështrime të posaçme rreth asaj që po më pyesni. Nëse do jepja një përgjigje të përgjithshme, do thoja se duheshin trajtuar aspekte specifike mbi marrëveshje specifike që janë mbi tryezë. Por sigurisht që nuk dua të jap një përgjigje të përgjithshme për këtë. Historia ka rëndësi. Sigurisht, edhe ndjeshmëria e njerëzve ka rëndësi. Humbja e njerëzve të dashur, poshtërimet që kanë vuajtur, frika, çdo gjë ka rëndësi. Por është detyrë e diplomatit, që aq sa ka mundësi, të gjejë interesin e përbashkët dhe të shohë drejt së ardhmes, për të shtyrë përpara këto interesa. Dhe jam i sigurt se askush, në shërbimin diplomatik amerikan, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë më mire se sa ambasadori Chris Hill. /VoA/