“Marrim lojtarë nga Kosova e Maqedonia dhe i zëmë vendin Muçit”, Hafizi nuk përmbahet: Këta që formohen këtu…
Ernest Muçi ka konfirmuar momentin e mirë që po kalon me Legian e Varshavës duke shkëlqyer në Poloni dhe Europë. Gjithsesi sulmuesi shqiptar nuk mori asnjë minutë në dy sfidat që Kombëtarja zhvilloi në shtator me Republikën Çeke dhe Poloninë.
Për këtë gjë ka zgjedhur të flasë dhe ish-trajneri shkodran, Astrit Hafizi, i cili ka kritikuar trajnerin brazilian Silvinjo, i cili nuk i ka dhënë përparësi ish-sulmuesit të Tiranës.
I ftuar në emisionin “Studio Sport” në “Vizion Plus”, Hafizi shprehet gjithashtu se lojtarët e formuar në Shqipëri nuk marrin vëmendjen që i takon, teksa kjo vëmendje shkon për lojtarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“(Muçi) Është grumbulluar herë pas here. Nuk i është dhënë mundësia, me raste shumë të pakta, në mos gabohem në Ishujt Faroe. Sinjalet i ka dhënë këtu në Tiranë. Për çudi, ne kemi dëshirë të grumbullojmë lojtarë që i kemi gati ose na vijnë nga jashtë, përgjithësisht janë shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe i zihet vendi këtij. Për mua është e pafalshme, duke pasur parasysh që ky kontribuon diku. Është lojtar që luan me kokën lart.
Duke ardhur njëri apo tjetri, që bën pasaportën shpejt, do mbesë ky i joni që është lojtar. Si Muçi mund të kemi pasur edhe lojtarë të tjerë. Metoda që përzgjidhet është e tepruar. Jo se lojtarët nuk duhet të vijnë. Ata që janë shqiptarë të Shqipërisë, Maqedonisë, apo Kosovës kanë të drejtë të vijnë, por jo në këto përmasa të jashtëzakonshme. Këta lojtarë që janë formuar në akademitë tona, duhet të presin radhën”, u shpreh Hafizi.
PANORAMASPORT.AL