Marin Mema ‘godet’ grekët: Ne ju dhamë 90 nga 100 heronj, fustanellën dhe mitet që kujtoni se janë tuajat, e keni gabim!
“Ju flsini për liri, për të drejta, për mundësi, për konventa europiane, por harroni se unë një gazetar shqiptar jam ende ‘’Non Grata’’ jo sepse kam trafikuar drogë, as se kam vrare e dhunuar njeri, as se kam mbajtur armë apo jam terrorist, por thjesht e vetëm sepse kam thënë të vërtetën. Ju keni dënuar të vërtetën zoti Kotzias aspak Marinin.”
Nga Marin Mema
E vërtetë zoti Kotzias ne hame sufllaqe, dëgjojmë edhe muzikë greke (sepse s’kemi komplekse) , bile ju dhamë edhe 90 nga 100 heronj të 1821, ashtu si fustanellën dhe shumë nga mitet qe sot i konsideroni tuajat…
Sigurisht unë besoj që këto elementë ministri Kotzias i di shumë mirë, ndaj nuk mundem të pranoj sesi një politikan me eksperiencë kërkon të nxisë një debat shterpë e aspak frytdhënes mes dy vendeve.
Zoti minister duhet ta dijë që çështja e zonave minoritare nuk është përcaktuar nga politika shqiptare , por nga Lidhja e Kombeve e kjo është pranuar edhe nga vetë shteti grek.
Nga krahu tjetër është e vështirë të flasësh për të drejta kur ende mban ligjin e luftës me një vend fqinj, e kjo e fshehur nën një petk më shumë se absurd .
Italia sulmoi Greqinë nga territori i pushtuar shqiptar dhe për këtë arsye në 1940 u vendos ligji i luftës. Gjithçka bëhet thuajse qesharake kur mendon se shteti grek një ligj të tillë e pezulloi me Italinë sulmuese, ndersa me Shqipërinë e pushtuar jo.
Në fakt shtetarët e vendit fqinj e dinë mjaft mirë se ky ligj lufte ka lidhje me një çeshtje të vetme, pronat e popullësisë çame. Abrogimi i këtij ligji u jep mundësinë të larguarve të kërkojnë pronat e tyre, si një e drejtë ligjore dhe e sanksionuar në të gjitha konventat europiane të miratuara edhe nga shteti grek. Ky është thelbi, edhe pse ai nuk pranohet.
Kjo është çeshtja që mban peng debate të tilla, e që zoti Kotzias e anashkalon. Çështja Çame nuk është një fantazëm, as një shpikje apo fantazi nacionaliste shqiptare, por një realitet për të cilin edhe sot e kësaj dite ka njerëz që tregojnë e dëshmojnë.
Sa i takon një tjetër akuze edhe më anormale për bashkëpunimin e popullësisë shqiptare çame me pushtuesit, ministri duhet të heshtë.
Nuk është e drejtë dhe as etike për një politikan si zoti Nikos Kotzias, të përfshihet në çështje të tilla, aq më tepër kur fotografitë e vjetra të viteve 1934 – 1936 tregojnë Hitlerin dhe krahun e tij të djathtë Gebels në miqësine e veçantë të Kostandin Kotzias paraardhës i tij.
Ende nuk e kam kuptuar këtë inisiative qorre për të acaruar artificialisht marrëdhëniet mes dy popujve fqinj, për të yshtur e shtyrë në konflikte që nuk egzistojnë, për të përplasur komunitetet nën britmat ekstremiste të versionit më të denjë mesjetar.
Janë të njejtat tentakula që perpiqen të mbështjellin e krijojnë situata në Himarë duke politizuar e përdorur një çështje që për hir të së vërtetës është problem në të gjithë Shqipërinë.
Familja ime p.sh. n. degëzimin libohovit ka prona të shumta ende të pakthyera, e këtu sigurisht nuk po flas për ato në Janinë apo më tej, por për të tilla të vendosura në krahinën e Dropullit. Ne kemi kërkuar, kemi klithur, jemi vërtitur e vazhdojmë ta bëjmë akoma, e megjithatë asgjë nuk kemi marrë.
Padiskutim kjo çështje duhet të marrë zgjidhje , pa paragjykim, pa seleksionim, pa ndarje partiake, e aq më pak ndarje të tjera. Prona është e shenjtë dhe si e tillë ajo duhet trajtuar për këdo në të gjithë territorin e Shqiperisë, përfshirë edhe Himarën e banorët e saj.
Të drejtat e tyre nuk mund e nuk duhet t’i nëpërkëmbë askush. Ajo që është pjesa e pistë lidhet me përdorimin e protestave të tilla për t’i dhënë një fytyrë krejt tjetër nga ajo që duhet të kenë në të vertetë.
Ç’lidhje kanë autoritet greke, përfaqesuesit partiake apo disa personazhe të dyshimtë me këtë çeshtje? Si mund të bëhen thirrje nga një qytet shqiptar për të bllokuar në formë presioni integrimin e vetë Shqiperisë ? Pse duhen kërcëllitur dhëmbët në përpjekje për të ngjallur urrejtje jo thjesht mes Shqipërisë e Greqisë, por edhe mes vetë shqiptarëve?
I dukshëm është fakti se elementë të caktuar i japin drejtim të tillë këtyre protestave jo se u intereson çeshtja e pronave të Himarës, por sepse duan rritje artificiale të tensionit, e nga krahu tjetër përmes tij të përfitojnë mbështje, ose e thënë më qartë fonde , kredite politike apo ndonjë tjetër edhe leje ndërtimi kalave bregdetare.
Ky ështe interesi i vërtetë që fshihet pas petkut të gjoja problemit grek të pronave në këtë zonë. Ndaj një kryediplomat si zoti Kotzias nuk duhet të përfshihet në këtë vorbull, sepse historia , të vërtetat, dëshmitë , dokumentat, as nuk mund të ndryshohen, e as të manipulohen.
E ato flasin qartë për shqiptarët e Greqisë, ata që janë larguar, e ata që ende e mbartin gjuhën shqipe brez pas brezi edhe sot në këto territore. Për këtë çeshtje Zoti Kotzias duhet të flasë, për të tjerat është e kotë, sepse nuk ekzistojnë .
Në Shqipëri nuk do të ketë kurrë një problem me minoritetin sepse siç e theksova më siper për ne ky komunitet është një vlerë, për të treguar se jemi europiane edhe pa qënë në Europë, se jemi bashkëjetues edhe kur na shtyjnë, se kemi me dhjetra e me qindra halle , probleme, kusure, varfëri, e komplekse të mbartura, por kurrë nuk do të krijojmë një të tillë me minoritarët. E këtë si gjithçka tjetër ju e dini shumë mirë zoti Kotzias.
PS: Ju flsini për liri, për të drejta, për mundësi, për konventa europiane, por harroni se unë një gazetar shqiptar jam ende ‘’Non Grata’’ jo sepse kam trafikuar drogë, as se kam vrare e dhunuar njeri, as se kam mbajtur armë apo jam terrorist, por thjesht e vetëm sepse kam thënë të vërtetën. Ju keni dënuar të vërtetën zoti Kotzias aspak Marinin