Lokaliteti antik i Dresnikut, pronë e shtetit një dekadë pas zbulimit
Prej se dolën në pah mozaikët unikë më 2013, disa ministra kulture ishin zotuar se do ta shpronësonin lokalitetin arkeologjik të Dresnikut afër Klinës, por prej atëherë s’u bë gjë. Tek të mërkurën është konkretizuar kjo nismë, duke shpronësuar 7.8 hektarë. Një Vendim si ky është konsideruar si hapi më madhor në trashëgiminë arkeologjike të vendit, i cili hap një kapitull të ri për gjetjet e periudhës antike
Për herë ta parë shteti ia ka dalë që të shpronësojë një lokalitet arkeologjik. Nëpërmjet Vendimit përfundimtar, Qeveria e Kosovës të mërkurën i ka dhënë fund procesit të shpronësimit të lokalitetit arkeologjik të Dresnikut. Sipas procedurës, brenda dhjetë ditësh Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare dhe pastaj bëhet edhe formalisht punë e kryer. Ky Vendim shihet si më i rëndësishmi deri tash në raport me trashëgiminë arkeologjike. Lokaliteti në periferi të Klinës – i njohur për mozaikët unikë të shekujve të parë, të cilët dolën në dritë një dekadë më parë – tashmë është bërë pronë publike.
“Miratohet shpronësimi për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit (të cilat preken nga realizimi i Projektit: Mbrojtja dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore, Konservimi dhe Investimi në ‘Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut’ pjesë e trashëgimisë në mbrojtje të përhershme (Nr. unik TKRKS2A005, Zona Kadastrale Dresnik, Komuna e Klinës, sipas tabelës bashkëngjitur këtij Vendimi”, shkruhet në pikën e parë të Vendimit që menjëherë pas votimit në Qeveri është nënshkruar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Palët e interesit, sipas Vendimit, kanë mundësi ankese vetëm sa i përket lartësisë së shumës së kompensimit.
Hapja e kapitullit të ri për thesarin arkeologjik
Ky Vendim i Qeverisë është parë tejet i rëndësishëm nga prijësi i punimeve në këtë lokalitet, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala. Ai ka thënë se mbi të gjitha ky Vendim siguron investimet e bëra deri më tash në lokalitet, i cili që prej vitit 2016 është futur në Listën e Trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire.
“Krejt investimet e bëra nga shteti tash bëhen publike. Hapen perspektiva të reja për hulumtime dhe po ashtu krijohet qasje për vizita nga shkollat e për aktivitete kulturore. Në krejt kuptimin e fjalës lokaliteti arkeologjik do të jetë publik, i hapur për të gjithë dhe bëhet park arkeologjik në tokë publike”, ka thënë Shala. Sipas tij, tash mund të bëhet plani i menaxhimit pasi janë krijuar kushtet bazë.
“Është hapi më i rëndësishëm deri më tash në arkeologji”, ka thënë Shala për shpronësimin e 7.8 hektarëve.
Vendimi i Qeverisë është parë si hap i madh edhe nga Ministria e Kulturës. Sipas këtij institucioni, tashmë është hapur rruga për investime në lokalitet.
“Do të vazhdojë zbatimi i Projektit për Ruajtjen e Lokalitetit Arkeologjik, i cili bashkëfinancohet nga MKRS dhe Ambasada e SHBA-së. Në këtë fazë planifikohen hartimi i planeve për konservim, menaxhim dhe promovim të lokalitetit. Me pas, planifikohen investimet për konservimin e pasurive të gjetura në këtë lokalitet dhe përgatitja e infrastrukturës së nevojshme për të ofruar qasje të publikut në lokalitet”, shkruhet në përgjigjen e Kabinetit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Procesi i shpronësimit të lokalitetit kishte nisur një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila riktheu vëmendjen te Dresniku. Marrëveshja qe nënshkruar më 26 shtator, kurse në Qeveri, Vendimi që i ka hapur rrugë shpronësimit qe votuar në ditën e 27-të të atij muaji.
Qenë fondet e SHBA-së që kanë rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut” siguron 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka ndarë 51 mijë e 830 euro.
Sipas Planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova” janë partnerët zbatues.
Burimet e KOHËS kishin treguar se shpronësimi ishte kusht i Ambasadës së SHBA-së për të financuar projektin.
Sensacioni botëror dhe premtimet shumëvjeçare për shpronësim
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla. Qe Valla i cili nxori në dritë sensacionin arkeologjik. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtaten ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre. Srblak, pronare e një pjese të lokalitetit, kishte kujtuar se vjehrri i tij kishte dëgjuar se kjo tokë fsheh diçka, prandaj ajo nuk është punuar. Ka pasur zotime prej zyrtarëve më të lartë se do të shndërrohet në park arkeologjik, përderisa shpronësimi konsiderohej edhe si punë e lehtë. Më 2014 një temë të tille e hapi asokohe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Pasardhësi i tij në këtë pozitë, Kujtim Gashi, në shtatorin e vitit 2018 do ta deklaronte prerazi se “Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë”. I pari është ai i Ulpianës, i inauguruar më 2016. Asgjë s’u bë për një dekadë.
Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ai që përcakton vlerën monetare të shpronësimit.
“…Kompensimi i paguhet pronarit në bazë të vlerës në treg të pronës dhe reflektimit të kushteve të pronës. Niveli i kompensimit përcaktohet nga një komision i pavarur i themeluar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, përcaktohet në nenin katër të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.
Shpronësimi i pronave të tilla përcaktohet edhe me Ligjin për Shpronësimet e Pronave të Paluajtshme. Sipas nenit 3.4 të këtij ligji, shpronësimi mund të bëhet për “mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe vendeve me rëndësi arkeologjike, historike ose shkencore, por vetëm nëse vendi është përcaktuar si i tillë në mënyrë të ligjshme me një rezolutë të Kuvendit”. Ky ligj përcakton edhe një arsye tjetër që prona duhet t’i nënshtrohet shpronësimit.
“Nëse pronari i pronës së paluajtshme në të cilën ndodhet monumenti ose vendi refuzon ta mbrojë atë ose për shkak të pamundësisë objektive nuk mundet ta mbrojë monumentin ose vendin”, shkruan në nenin pasues.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
“Kjo lloj Aule mund t’u përkasë vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilin u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi”, shkruhet në përshkrim. Po ashtu, janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekujve III dhe IV, si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri.
Kur u zbulua mozaiku, në Kosovë ia mësynë edhe mediat botërore si “EuroNews” e “Associated Press”. Asokohe arkeologët kishin ardhur në përfundim se mozaiku i Dresnikut shtrihet në një “Vila urbane” (godinë urbane) e gërmimet e 2014-s kishin çuar arkeologët në hipoteza se bëhet fjalë për një qytet të tërë që mund shtrihet në së paku 30 hektarë. Por punimet e mëvonshme do ta dëshmonin se bëhet fjalë për një vilë aristokrate me mundësi që të jetë perandorake.
Shpronësimi është kërkesë e kahershme edhe për lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, i vetmi park arkeologjik në Kosovë i inauguruar më 2016. Edhe për shpronësimin e këtij lokaliteti Qeveria është në proces.