Letra ku Mustafa Kruja e akuzon Esat Pashën si njeri të Serbisë
Mustafa Kruja i rrëfen priftit pukjan se si sundoi Esat Pashë Toptani pas ikjes së Princ Vidit. Kjo letër e tij për fratin pukjan, është ndër më tragjiket për fatin e Shqipërisë. Është një nga përshkrimet e panjohura se si Esat Pasha arriti të bënte zap të gjitha qytetet e Shqipërisë me ndihmën e ushtrisë serbe. Por, Kruja sjell dëshmi që patën pasojë drejtpërdrejt në jetën e familjen e tij, i detyruar të kërkonte në gjithë Shqipërinë mbështetje për barbarinë që po shfaqte mbi shqiptarët Esat Pasha.
Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme (botuara nga “OMSCA-1), ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, pasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar.
Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, një nga nënshkruesit e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze.
Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.
Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët.
Plasi kryengritja reakcjonare e Shqipnís së Mesme kundra Wiedit. Esati, i paditun si nxitës, për mue pa të drejtë, i asaj kryengritjeje, u kap e italjanët i a muerën princit tue e shtrëngue qi të kufizohej me dëbimin e tij prej Shqipnije.
Me 2 shtatuer 1914 edhe princi vetë u shtrëngue me e lânë Shqipnín. Po atë ditë ikën n’Italí edhe shumic’e nacjonalistavet qi ndodheshin në Durrës, e ndër ta edhe un bashkë me Luigj Gurakuqin e tjerë shokë, qi zdrypëm në Bari. Ajo ditë e zezë mue më gjet vetëm me 20 napoljona në xhep: hoqa e i lashë familjes gjymsën e me gjymsën tjetër mujta me jetue 5 javë në Bari, posë dyve të fundit qi ruejta për nji biljetë vapori Bari-Shëngjin e sa me mbërrîmë deri në Rrëshê të Thkellës. Atje, t’a marrmen vesht Ahmet Beg Zogolli, çoi e më grishi në konak të vet në Mat. Kemi qênë njohun me tê qyshë në Stamboll, ku ai ishte nja 12-13 vjeç e un 19. Ndêjta mik i mbretit t’ardhshëm të Shqiptarvet katër muej e mbandej u ktheva prap në Rrëshê.
Të lëshuemen Princ Wiedi Shqipnín, a, mâ drejt me thânë, qytetin e Durrsit, se në këtê ishte kufizue zotnim’ i tij, Esat Pasha s’pat vonue me kthye, për me zânë vêndin e tij, prej Italije e me pelqimin e ksaj, qi ishte e kënaqun pse kishte mbërrîmë me pamë të larguem prej bregut linduer t’Adrijatikut nji princ gjerman e mâ fort mik t’Austro-Hungarís sesa të vetin. Ai hŷni në Shqipní nëpër Jugoslllaví, tue mbëledhun në krahinën dibrane e matjane nji fuqí besnikësh të vet e tue hângër nji drekë ke Zogolli. Vëllai i parë i ksaj dere feudale, Xhelal Begu, njeri i mirë por i pa-aftë, i rânë mbas pijet e pa asnji lakmí politike, shkoi me tê e mbet siç ishte edhe mâ parë, krejt i tij për gjithmonë, ndërsa tjetri, Ahmet Begu, djalë i ri nja njizetvjeçar a pak mâ tepër, shumë i zgjuet e plot me ambicje, s’luejti prej shtëpís së vet.
Esati u prit prej parís reakcjonare (ky adjektiv duhet marrë me kuptimin politik të thjeshtë, kombtar e fetar, por jo shoqnuer) qi kishte dëbue Wiedin, pa enthusjazëm e me dyshime. Ai ra në Tiranë e vot e zûni selín e Princ Wiedit në Durrës, ku formoi nji qeverí me elementa pa kurrfarë personaliteti e natyrisht diktatorjale. Krijoi nji flamur të ri për Shqipnín e tij: me nji yll të bardhë mbi fushë të kuqe, bojnat e Tyrqís, por pa hânën e saj. Kurse rebelat t’anë kishin vûmë kudo flamurin e Tyrqís të plotë, ashtu siç e kishim pasun për shumë qindvjet robnije. Shpejt reakcjoni i shpalli luftë edhe Esatit, qi lypi ndihmën e Serbís mbasi mbet edhe ai i rrethuem në Durrës si Wiedi.
Njisí ushtarake sërbe pushtuen, si masë prekaucjonale, Oroshin e Mirditës, kapën e i çuen Esatit për dhuntí disa krenë, e n’anë tjetër nëpër Martanesh e Elbasan shkuen deri në Tiranë, të pritun gjithkund me scaramucce prej kundrështarvet tyrkomana t’Esat Pashës, qi u bânë, tekembramja, miza kualsh. Esat Toptani u bâ kështu i zot’i gjithë qyteteve të Shqipnís, posë Shkodrës ku vazhdonte regjimi internacjonal i përparshëm, i kthyem, mbas shpërndamjes së përfaqësuesve të huej për shkak të luftës, në nji regjim oligarqik nën kryesín e Prengë Bibë-Dodës. Malet kishin mbetun si gjithmonë.
Sërbt kishin kthye në vênd të vet: Esati s’kish mâ nevojë për ta. Nisi menjiherë me vêndosun kudo pushtetin e vet, me emnue njerëz besnikë nëpër zyrat e me kapun rebelat e kundrështarët e arratisun. Mbas do kohe më vjen rendi mue. I kthyem, si thashë, prej sarajesh të Zogollit në nji dugajë të nji bashkqytetari t’em në Rrëshê, nji ditë prej ditsh qe po marr nji ultimatum t’Esatit nëpër komandantin e Krujës: “Në qoftë se mbrênda 15 ditve s’ke me ramë në dorë, s’ke pse pyet mâ për njerzit e tu!” Kështu thonte ai ultimatum. E njimênd, sa mashkuj të Merlikaj ishin, i kishte kap’e burgosun në Durrës, posë nji kushrîni të parë qi ishte arratisun. Im atë e deri im ungj, Xhiu i Fajës, ishin ndër ta. E un, po mos të bijshem në dorë, s’kishem pse pyetshem mâ për këta gjind, do me thânë se do të çarteshin të tânë për mue.
Ç’bân njeriu i ndërgjegjshëm në nji rasë të këtilë? Ishem djalosh 27-28 vjeçar, e më dhimbej jeta, si gjithkuj. Nji ultimatum aq’i furishëm dhe luft’e kalueme e ime kundra diktatorit s’lêjshin vênd me u mashtrue. Por në fund të shpirtit t’em fshihej nji tjetër frikë, qi më kërcnohej mâ e mndershme se deka. Dikur, imtimit të tij për bashkëpunim i ishem përgjegjun me nji letër ku, e mbaj mend mirë, këndoheshin edhe nje-këto fjalë tekstuale: “Juve Ju ka falë Perëndija nji emën të madh e nji kâmbë të naltë, pare e gjâ; un s’kam veçse nji nderë, po t’a humb edhe këtê, s’më jet mâ kurrgjâ tjetër!” Drojshem tash se për të marrë gjakun e ksaj së fyemje të rândë indirekte, mos të më vênte para dilemës me zgjedhun ndërmjet bashkëpunimit me tê, qi e kishem quejtun çnderim, e dekës në litar, në të cilën rasë mund të më lëshonte zêmra me pranue anën e parë. Apo s’ishte tue më tundue djalli, edhe vetëm tue mendue eventualitetin e ksaj dileme, me i thânë vetes nga nji herë, tinzisht, përmbrênda: “Kush e di? Ndoshta do Zoti e ka nevojë, si dikur, për bashkëpunim t’em e shpëtoj deket!”
Kishem pranë, kur e mora at’ultimatum, të zon’e dugajës, analfabet, bajraktarin e Rrëshênit edhe Refik Beg Toptanin, i arratisun si un edhe ky. Nuk po zgjatem – se teper gjatë madje shkoi ky përshkrim – me dramën mjaft interesante të bisedimit me këta tre shokë n’atë ças. Kruetan’ i im dijti me më diftue udhën mâ t’arsyeshmen; më tha: “Ti Mustafë mos na pyet ne për nji punë kaqë delikate, por nisu e shko në Shkodër, ku ke shokë qi munden me të kshillue!” Sepse thema e bisedës kjo po ishte: “Si me i a bâmë?” At’udhë qi më kshilloi bashkqytetari, Xhafer Taga, zgjodha edhe un, por jo pa pyetun me nji letër edhe Ahmet Beg Zogollin. Përgjegja e këtij qe evasive : më vênte në beft kundrejt nji “kameleoni” si Esati, por s’më thonte se a duhej të pranojshem dekën për vete apo për të mijt.
Në Shkodër mblodha në kshill dhetë shokë intelektualë dhe u vûna përpara dokumentin fatpremë. U thashë: “Do të gjykoni ju, sikur t’ishi un, e un do të bâj si t’a vêndoni ju me shumicë; kam ardhun te ju për me i shpëtue nji subjektiviteti qi rândon tepër mbi gjykimin t’em, ju, sido-kudo jeni mâ të lirë, mâ objektivë”. Këtyne u vûna përpara edhe dilemën intime qi më torturonte. 9 më kshilluen me u dorzue, i dhetti, Salih Nivica, tue e xhveshun vetin nga çdo ndienjë njerzore e morale, gjykoi: “Un e njoh Esat Toptanin për nji bishë : po i rae në dorë, ti ke me mbarue e mbarim’i yt kishte me qênë nji dâm aq’i madh për nji Shqipní kaqë të vorfën për shokët e tú, qi nji vetvrasë e jote si kjo qi të kshillojnë tjerët, mbas mendimit t’em do t’ishte nji krim kundra atdheut, nji tradhtí ; gjint e tú, edhe sikur të sakrifikohen të tânë, në fund të fundit janë aqë Shqiptarë qi desin e kurrgjâ mâ tepër…”
U nisa për Durrës n’e nesre qi hŷni Mal’ i Zí në Shkodër, me ethe në shtat se mos po më ndalshin me m’internue si bânë me do personalitete politike aso kohe. Dola në Lesh pa incidente. Vota mâ parë në Krujë për me përshëndetun për të mbrapmen herë gjithë farefisin t’em e me pamë komandantin qi pat qênë ndërmjets’i ultimatumit. Ky më la të lirë me shkue vetë në Durrës. Atje kishem edhe familjen t’eme, mbetun në grá e kalamâj. Ishem martue para nja 20 muejsh (tetuer 1913 – korrik 1915) e më kishte lemë djal’i parë kur ishem në Rrëshê (5 fruer). Vota fill e në shtëpí, pashë nânën, foshnjen qi kishem krijue për me vuejtun sod ndër burgjet komuniste t’Atdheut, për të cilin un po u bâjshem flí, gruen e re qi kam mundue tepër me jetën t’eme politike e qi sod, në pleqní, shpresoj se s’âsht tue më mallkue në fushën e përqëndrimit të t’internuemve atje larg në krahinën e Tepelenës, vllaznit e motrën, edhe çova e thirra nji mik për t’ i a dërgue personalisht Pashës qi t’i thonte se më kishte nën vullnetin e tij për cilin burg qi të kishte vênd edhe për mue (të burgosunit ishin aqë shumë në Durrës aso kohe, qi ishin zânë shtëpija me qirá e kthyem në burgje, mbasi ai i vërteti ishte mbushun kaherë). I u luta vetëm qi mos të më çonte gjindarmë në shtëpí për me më marrë, se kudo qi të urdhnonte, do të shkojshem me kâmbët e mija sikur kishem votun der aty.
Ndërmjetsi i ishte lutun me më lânë atë natë në shtëpí me gjinden t’eme, por kot. Porsa u kthye ndërmjetsi, bashkë me tê vota në burgun e madh ku kishte urdhnue Pasha e ku paska pasun ende vênd për mue. Atje gjeta edhe axhën t’em, shi nj’atë Xhín e Fajës qi aq fort i a kishte rritun emnin e oxhakut e të personës së tij. Kur më pa, me e pasë premë gjak s’i dilte. E kur i thashë, për t’a ligjue dorzimin t’em, se drojshem për tê e tjerët të familjes, m’u idhnue e m’u përgjegj me atë hije të rândë burrnijet qi e shquente : “Paj flaka t’i kish mbërrîmë në kupë të qiellit krejt familjes me sa ka e ça ka, veç tý mos të të shihshem këtu!” Nesret para mesdite, të tanë burrat të Merlikaj u liruen prej burgjesh me kusht qi mbrênda dý orëve t’u nisshin për Krujë.
Deri kah gjysa e dhetorit mbeta në burg të Durrsit. Në mos u gabofsha, në muej të nândorit më paskish plasun nâna 45-vjeçare prej idhnimit, por mue s’më diftoi kush. E shkreta, pak kohë mâ parë, paskish pasë fshehun nji revole e shkue me tê në Durrës (se im atë e kishte pasë marrë familjen e çue në Krujë) për me votun te Esati e me i u lutun qi të më lironte, e, po t’i a mohonte këtë lutje, për me e vramë! Ç’nuk bân dashunij’ e nji nâne!… Por bûjka atë natë te nji mik e ky mbërrijka me i a mbushun mênden me e kthye për Krujë. Zjarm i luftës kishte marrë Evropën mbarë, e Austrija po i avitej kufînit të Shqipnís. Esati do t’ikte. Shumë prej rebelvet qi, mbas Princ Wiedit, i kishin vûmë pushkën edhe atij, i kishte vjerrë. Me mue u suell burrë. Nuk bâni asnjânën prej dý anve të dilemës qi kishem drashun un. Shërbimet qi i kishte bâmë familj’e ime s’i kishte harruem. E kufizoi veprimin e tij kundra nesh me nevojën e projës së personës e të sundimit të tij. Por tue u përgatitun për ikje, s’kishte dashun qi të burgosunit e tij të vijshin e t’i lirojshin Austrijakët. Ishim kund nja 300 burra, ndër të cilët vetëm nja 15 intelektualë e tjerët të gjithë katundarë të dënuem me burgim ase ende të pagjykuem, krejt fajtorë politikë. Nji natë prej netsh na ngarkuen si bagtí në nji vapor italjan e na qitën në Brindisi, prej andej në burgun e Barit. Mbas gjashtë javësh na nisën për ishullin e Favignana-s në perëndim të Siqilís.
Kështu, un, mbas 5-6 muej burgu në Durrës, prej gjysës së dhetorit 1915 e mbrapa, gjithë kohën e luftës së parë botore e kalova n’Italí: mbas burgut të Barit, i internuem në Favignana, mbas 16 muejsh pata lejën me u trasferue individualisht në Caserta, ku studjonte im vëlla. Mbas dy muejsh tjerë, pa pritun e pa kujtue, marr nji telegramë prej Rome të nënshkruem Scalabrini, Capo Ufficio Albania del Ministero degli Affari Esteri me 150 lireta shpenzime udhtimi për me u paraqitun n’atë zyrë. Ishte nji gjâzë (enigëm) e vështirë me u zgidhun kjo, por sigurisht premtuese. Puna paska qênë kështu: në rivalitetin franko-italjan, Esat’ i ynë paska marrë anën e mâ të fortit e i paska kthye shpinën Italís. Kjo tash paska nisun me afrue kundrështarët e tij, kudo qi ishin.
Mue më priti nënkryetar’ i zyrës Castoldi, qi pat luejtun nji rol në Shqipní gjatë mbretnimit të shkurtën të Wiedit. Në Bari botohej aso kohe nji faqe e përditshme shqip e Corriere delle Puglie -vet prej nji miku t’em, Sotir Gjikës. Prej Caserte un i pata pasë dërgue disa artikuj këtij. Tash Castoldi, me methodat klasike të diplomatís italjane, mue më priti me njimijë ndjesa për padrejtsín qi m’ ishte bâmë, natyrisht “pa dashun” e prej intrigave të nji miku të pabesë si Esat Toptani! Më deklaroi mbandej se ishem krejt i lirë me ndêjtun e me shkue ku të dojshem, aty mbrênda edhe zona e shpallun e ndalueme për të huej, si brigjet e Adrijatikut. As mue s’m’u lidh gjuha; lypa me dalë prej Italije për me kthye në Shqipní via Zvicër, po të mujshem, ndryshe me u ndalun në këtë vênd ku kishte edhe të tjerë shqiptarë nacjonalista. Kjo kërkesë m’u mohue. Lypa atëbotë me shkue në Bari si bashkpuntuer i Gjikës, qi më kishte kërkue me 200 lireta (atëherë ar) në muejt. N’atë rasë u bâna nderë edhe shokve të mjerimit qi kishem lânë në Favignana. I nxora të tânë andej: të pakët intelektualë qi ishin, u lanë të lirë me banue ku të dojshin, nja dy të rijve u dhanë bursa studimi, katundarët i çuen ndër koloní shqiptare të Siqilís.
Si redaktor i shqipes së gazetës së Barit nën drejtimin e Gjikës e mbrapa po ashtu në Kuvêndin e përjavshëm thjesht shqip në Romë, punova deri në mbarim të luftës. Nji artikull’i im pat qênë tue më fikun në Romë. Kshillojshem Shqiptarët e zonës italjane në Shqipní (Vlonë e Gjirokastër) si edhe ata qi kishin kërkue me u shkrue vullnetarë me aljatët e Okqidentit prej kolonive a qi aljatët dojshin me mbledhun, mos me luftue në frontin shqiptar, mbasi me plumbat e tyne do të vritshin n’anën tjetër vllazën e jo anmiq! Shka s’bân guxim’ i të riut! Më shpëtoi Castoldi, qi, si ekspert i politikës shqiptare, kishte fuqí të madhe në Consulta (atëherë selij’e ministrís së jashtme) e si kolonel i karabinjervet, për karrjerën e tij origjinale, i shkonte fjala edhe në ministrí të luftës qi lypte me më çue para gjyqit ushtarak. Ai numër i gazetës qe ndalun në Vlonë prej komandës së përgjithshme pa u shpërdamë, e ngjeti, deri në Zvicër, ku munden e tërhoqën.
Mbaroi lufta e, edhe un si gjithë tjerët qi gjatë saj kishin ndodhun përjashta, u ktheva n’Atdhe. Shqipnija, në pjesën mâ të madhen, qe pushtue prej Italjanvet me mâ të madhin gzim të gjithë nacjonalistave shqiptarë qi drojshin mos t’ i a mbërrijshin mâ shpejt Sërbt për me i a dorzue Esat Pashës.
Tash fillon për Shqipnín e për mue nji jetë plot me shtërgata e tallaze politike qi kanë për të lânë gjurma të thella e të pashlyeshme, nga të cilat ato mâ të rândsishmet quhen : Kongres’i Durrsit, Qeverij’ e dytë e Turkhan Pashës, Përfaqsim’ i Shqipnís në Konferencën e Paqës, Kongres’ i Lushnjes e Ahmet Zogu. Këto po i lâmë për nji letër tjetër.
Po të thom me gjuhën e Frangut të Bardhë, it me shëndet.