“Lenini” shqiptar: Aktori me 150 role, që e nisi karrierën me pushkë në krah si partizan

Lazër Filipi i takon brezit të atyre artistëve që themeluan teatrin shqiptar. Edhe pse kujtohet nga të gjithë për rolin e Leninit, kjo edhe për shkak të një ngjashmërie vizive me këtë të fundit, Lazër Filipi ka interpretuar dhjetëra role, fillimisht në teatër, në vepra kombëtare dhe kryevepra botërore e më pas në kinematografi, ku ka interpretuar karaktere, batutat e të cilëve janë bërë pjesë e së folurës së përditshme të shqiptarëve.

Biografia

Lazër Filipi lindi më 7 shkurt 1921, në katundin Shirq të Bregut të Bunës, në Shkodër. Kur ishte fare i vogël, familja e tij u vendos në qytetin e Shkodrës, ku kreu edhe shkollën fillore “28 Nandori”. Në vitin 1938 ai u vendos në Tiranë, ku kaloi rininë dhe më pas u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare.

Pasi doli në ilegalitet u bë pjesë e Brigadës së 27- të. Gjatë luftës, në vitin 1943, në çetën Krujë-Ishëm ka interpretuar rolin e tij të parë, atë të Lekës, në dramën “Vdekje Fashizmit-Liri Popullit” të Aleksandër Banushit.

Pas Çlirimit nisi jetën teatrore si aktor profesionist në Teatrin Popullor, me premierën e parë të këtij teatri, “Topazi”, të Marcel Panjol, në rolin e kryeshërbëtorit, më 30 maj 1945. Më tej ndoqi studimet e larta për aktor në Zagreb dhe më pas në Akademinë e Arteve në Pragë, ku edhe u diplomua.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Lazër Filipi bashkohet me lëvizjen antifashiste për të luftuar armikun. Gjëndja e mjeruar e Shqipërisë në ato vite bëri që edhe veprimtaritë e shoqërive kulturore të ishin më të pakta.

Kështu, krijimi i grupeve teatrale-artistike amatore brënda çetave apo lëvizjeve nacionalçlirimtare dhanë një ndihmë të madhe në këtë aspekt. I tillë është edhe krijimi i Teatrit të Rinisë Antifashiste, në vitin 1943, me të cilën Lazër Filipi interpretoi rolin e tij të parë në pjesën “Kryengritje Shqiptare”, shfaqur në More të Krujës dhe vënë në skenë nga Kolec Ilia.

Pas Kongresit të Përmetit, 24-28 maj 1944, krijohet grupi teatral “Grupi i Priskës”. Kjo trupë vuri në skenë disa pjesë; “Partizani”, “Burgu” dhe “Nëna” e shkrimtarit Fatmir Gjata. Lazër Filipi është një ndër më aktivët e këti grupi ku nuk mungojnë edhe figura të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare si Naim Frashëri “Artist i Popullit”, etj.

Pas mbarimit të luftës, krahas angazhimeve në trupën teatrale, Lazri ndoqi studimet për dramaturgji.

Në vitin 1947 vijon studimet për aktor në Zagreb (Kroaci) por, si pasojë e prishjes diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, detyrohet t’i ndërpres. Më pas këto studime i vazhdon dhe i përfundon në vitin 1950 në ish-Çekosllavaki (që nga viti 1992 e ndarë në dy shtete; Republika Çeke dhe Republika Sllovake).

Mbasi mbaron studimet kthehet në Atdhe. Me përvojën e fituar në vitet e rinisë dhe me një pjekuri artistike të zgjeruar gjatë studimeve, Lazër Filipi i kthehet publikut me një galeri të tërë rolesh që do ta bëjnë atë një ndër aktorët më të dashur në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare.

Ndër interpretimet që mbesit të paharruara në kujtesën e artdashësve janë: Babai i Ofelisë në dramën “Hamleti” të Shekspirit, xha Shozi në dramën “Familja e peshkatarit” të Artistit të Popullit Sulejman Pitarka, Klarku në dramën “Arturo Ui” të poetit dhe dramaturgut gjerman Bertold Brecht, Lenini në dramën “Orët e Kremlinit” të shkrimtarit rus Nikolai Podovin, etj.

Të shumta janë rolet e Lazër Filipit edhe në kinematografi. Ai është ndër aktorët që ka interpretuar në filmin e parë tërësisht shqiptar “Tana”, në vitin 1958. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si: xha Demiri në filmin “Fortuna”, Ropi në filmin “Kapidani, etj.

Edhe pas daljes në pencion, në vitin 1977, Lazër Filipi vazhdoi angazhimet në teatër dhe kinematografi.

Në vitin 1991 krijon trupën teatrore “Tirana”. Me këtë trupë interpreton në disa drama: “Ali Pashë Tepelena”, “Fati i një refugjati”, “Napoleon Bonaparte”, etj.

Në vitin 2004 interpreton me trupën e Teatrit Kombëtar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulaha.

Çmimet

Lazër Filipi është nderuan me disa tituj dhe çmime: Çmimi i Parë i Republikë për interpretimin e rolit të Leninit në dramën “Orët e Kremlinit”, në vitin 1957.

Çmimi Special për interpretimin e rolit Shaqo Bregu në filmin “Në fillim të verës”, në vitin 1976.

Për merita të larta në fushën e artit skenik, në vitin 2005 është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Interpretime në teatër: Kryengritje Shqiptare (1943), Partizani (1944), Nëna (1944), Burgu (1944), Topazi (1945), Dashnori Gjido (1945), Rrugaçi (1945), Martesa (1946), Çështje familjare (1956), Orët e Kremlinit (1957), Mashenka (1958), Hamleti (1960), Dhelpra dhe rrushtë (1961), Zonja e Bujtinës (1962), Qeni i kopshtarit (1963), Banorët e shkallës nr.6 (1963), Tre ditët e kjametit (1964), Roje nën llampat e neonit (1965), Ljubov Jarovaja (1965), Përkolgjinajt (1966), Cuca e maleve (1967), Heronjtë e Linasit (1968), Shokët (1969), Arturo Ui (1971), Sinjali i kuq (1973), Prefekti (1973), Familja e Peshkatarit (1974), Ali Pashë Tepelena (2003), Streha e të harruarve (2004), Napoleon Bonaparti (2005), etj.

Regjisor: “Heronjtë e Linasit” e Sulejman Pitarka.
Asistent regjizor: “19 ditë” e Fadil Paçrami.
Skenarist: “Dashuria që u mbijetoi flakëve”, “Nënë Tereza”.

Interpretime në kinematografi: Tana (1958), Fortuna (1959), Oshëtimë në bregdet (1966), Përse bie kjo daulle (1969), Ndërgjegjja (1972), Kapedani (1972), Shpërthimi (1974), Në fillim të verës (1975), Pylli i lirisë (1976), Shembja e idhujve (1977), Këshilltarët (1977), Nusja (1980), Një emër midis njerëzve (1983), Koha nuk pret (1984), Në emër të lirisë (1987), Misioni përtej detit (1988), Balada e Kurbinit (1989), Enigma (1991), Tradhëti bashkëshortore (2000), Ne dhe Lenini (2009), etj.

Skenarist: “Shpërthimi”.

Scroll to Top