“Lartësia fizike e Gjergj Kastrioti Skënderbeut” [të dhënat e autorëve të ndryshëm u mblodhën dhe u përgatitën nga Brunilda Ternova]
Në historiografinë shqiptare, por edhe atë botërore, na kanë mbërritur pak informacione në lidhje me shtatlartësin e trupit dhe dukjen fizike të Skënderbeut, por, duke u bazuar tek shumica e biografëve dhe autorëve të ndryshëm si Marin Barleti, Dhimitër Frangu, at Giuseppe Valentini, Luigi Machiaveli, etj, mund të themi pa frikë se kemi krijuar një farë ideje mbi pamjen fizike të tij.
Kështu kemi përshkrimin sintetik të Skënderbeut në moshë të re nga kronisti arbëror Marin Barleti (1460-1512): «Shtati i tij i lartë dhe i hedhur, krahët që s’ishin parë më të bukura te njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e atletëve; gjerësia e supeve e admirueshme; ngjyra e bardhë në të kuq e trupit të derdhur; shikimi i syve as i egër, as i fjetur, por shumë i këndshëm. Këto ia rritnin shumë virtytet dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore». [Rif: shkruar në latinisht “Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis” u botua në Romë në fillim të shekullit të 16-të.]
Po kështu historiani Kristo Frashëri (1920-2016), i cili citon Dhimitër Frëngun (Drisht, 1443 – Trevi, 1525): «ai hante shumë pak dhe i mjaftonin pesë orë gjumë; duronte vapën dhe acarin; flinte përdhe mbi qilim». Shton se flinte i veshur me armët dhe ato nuk i hiqte nga brezi as kur flinte-sigurisht e ka fjalën për ditët e luftimeve. Duronte çdo lloj vuajtjeje fizike e «me një të rënë» mund t’ia këpuste «kokën një bualli të egërsuar». [referencat në artikujt “Letrat e Skënderbeut” (1986) dhe “Për mbrojtjen e atdheut” (1987), të integruar më pas në Vëllimi III – “Studime për epokën e Skënderbeut” (1989) dhe në monografinë “Skënderbeu: jeta dhe vepra” (2002)]
Abaz Ermenji (1913 – 2003), në veprën “Vendi që zë Skënderbeu në historinë Shqiptare” shprehet se ai është «i gjatë, i zhdërvjelltë, […] i fortë […], me trajtat e një atleti të përsosur, i bukur, fisnik e madhështor».
Pos dokumentit të cekur më lartë, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit ruhet një Codex Latin; URB. LAT. 512, ku autori Luigi Machiaveli, ka punuar një pikturë bazuar në një stemë origjinale të Skënderbeut dhe ka lënë disa shënime për shtatlartësinë dhe dukjen e tij fizike. Në kodeks është shënuar viti i saktë i punimit të stemës dhe të një pikture. Viti është 1467, pra vizita e fundit e Skënderbeut që i ka bërë Vatikanit. Machiaveli kur përshkruan Skënderbeun, pohon: “Është një burrë i shtyrë në moshë, me tipare shumë fisnike. Ka një mjekër të zbardhur, po të rregulluar me gusto. Sytë i shkëlqejnë shumë dhe ka një hundëshqiponjë. Flokët e thinjura i ka të prera shkurt. Është veshur me petkë napolitane, mëndafshi. Gjatësia e tij është 1.98 m”. Ky shënim në mënyrë të prerë, për herë të parë, na jep shtatlartësinë e saktë të Skënderbeut. Machiaveli pastaj ka punuar stemën, të cilën e kishte para vetes me rastin e kësaj vizite dhe e cila është autentike. Poshtë stemës janë 4 rreshta tekst, të cilët lexohen: “Castrioti questj vene de Albania erano valentj homenj et f. il bon portamento de fece Schanderbecho in Albania el fo fare del Consegio del 1467, et delj suj ne sono al presente”.
Në mesin e studjuesve një rol shumë të veçant për të dhënat që ka sjell, është At Giuseppe Valentini (1900-1979) i cili ishte një nga albanologët më të njohur të shekullit XX që ka publikuar vepra për historinë, numizmatikën dhe artin shqiptar. At Valentini u lind më 1900 në Padova (Itali), u diplomua për filozofi në vitin 1924 dhe më pas për teologji në vitin 1928. Kur ishte vetëm 20 vjeç, mbërriti në Shqipëri me detyrën e misionarit jezuit. Ndërmjet viteve 1922-1932 ushtroi profesionin e mësuesit në Gjimnazin Jezuit të Shkodrës. Ndërsa vepra e tij e parë për Shqipërinë titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”, një vepër e cila u botua në gjuhën shqipe dhe italiane. Më tej ai shkruan në gjuhën shqipe një biografi të Garcia Moreno-s dhe në vitet që pasojnë, merret me shumë përkthime në gjuhën shqipe të autorëve të njohur botërorë dhe, paralelisht, disa studime historike mbi shqiptarët dhe studime të tjera letrare mbi autorët shqiptarë.
Nga viti 1932 deri më 1943 drejtoi revistën “LEKA”, e së bashku me të revistën “Lajmtari i zemrës së Krishtit”. Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini largohet nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture”. Në Itali ai nisi të botojë shumë tekste për Shqipërinë. Në vitin 1955 ai bëhet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themelon dhe drejton “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”.
Në vitin 1971, në revistën “Shejzat”, Nr 1-3, 1971 (shkëputur nga botimi i “Plejad”) ai publikon një artikull interesant që bazohet në një dokument venedikas të 8 korrik 1457. Ky dokument që ruhet në Arkivin Shtetëror të Venedikut, flet për Skënderbeun (1405-1468) dhe terthorazi na jep infomacione mbi gjatësinë e trupit të tij. [Arkivi i Venedikut fondi: Senatus de Maritimis provinciis et negotiis Deliberationes [Sen. Mar.] Registro VI, C., f. 26V-27V]. Dokumenti është i shkruar në gjuhën italiane dhe latine dhe përbëhet prej tri faqesh tekst, është dërguar nga kancelaria e Skënderbeut, përmes kancelarit [noterit] dhe njëherësh përfaqësuesit të tij diplomatik në Venedik, priftit apostolik Giorgio Pellini (Xhorxhio Pelini), abat i Shën Marisë së Ratacit pranë Antivarit (Tivarit).
Dokumenti në fjalë përbëhet nga nëntë kapituj të ndryshëm, dhe secili në vete përbën një tërësi të veçantë. Në kapitullin e dytë është ky tekst: “Ad Secundum. Guarda per J panni Jquali me hano promesso de dar do veste alano, che me diano le Veste lequal son per mi, chomo hano dado ali altri signori, perche dixeno che me po esser de braza 16 de veste, deche signori guarde quanti brazi da panno me pono esser do veste, tanto me dadi, Mo signori, quello che piaxe ala vostra Signoria quelo farete de quello panno che bexognera per mi”.
Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe: “E dyta. Shikoni, në lidhje me cohën që më kanë premtuar, për dy petka në vit, që të më japin petka të përshtatshme për mua, si ju kanë dhënë zotërinjve të tjerë; pasi që, sipas pohimit të tyre, nuk më mjaftojnë 16 kutë, për dy palë petka; por, zotërinj, shikoni se sa kutë më nevojiten, për dy palë petka dhe aq më dërgoni; sidoqoftë, zotërinj, ajo që ju pëlqen, Zotërisë Suaj, atë gjë, do të bëni në lidhje me cohën, që është e nevojshme për mua”.
Ishte praktikë e kohës, që Senati Venedikas, qytetarëve të tij të nderit t’ju dhuronte, veshje dhe cohë luksi, për petka solemne; ndër të tjerë edhe princave shqiptarë, ku bënte pjesë edhe Skënderbeu. Rezulton – jo vetëm nga ky detaj, por edhe nga shumë burime dokumentesh venedikase – se dhurimi i rrobave apo veshjeve luksoze për mbretërit, princat apo njerëzve të shquar të ishte një traditë e kohës e sanksionuar edhe në bazë të marrëveshjeve dypalëshe. Nga relacioni në fjalë, dëshmohet se në atë kohë venedikasit u dhuronin princërve kryesorë shqiptarë, çdo vit, nga 16 krahë rroba për dy palë veshje, d.m.th.: 8 krahë rroba për veshje. Duket, pra, që Skënderbeut 8 krahë për një veshje nuk i mjaftonin, andaj kërkonte më shumë, kjo falë edhe shtatlartësisë së tij duke theksuar: “zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje”.
Atëherë Senati i përgjigjet: “Responsio. Et si capitulum sit clarum et aperte loquatur, inclinati tamen ad ea que sibi grate sint, ordinabimus quod sibi denture brachia 18 scarlatini secundum consuetudines pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur”.
Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe: “Vendim. Që kapitulli të jetë i qartë, e të flasim hapur, me gjithë këtë, të nisur në atë rrugë, që të jetë e pranuar për Të, do të urdhërojmë që t‘i jepen: 18 kutë skarlatini, sipas zakonit, për dy palë petka, për Shkëlqesinë [Madhërinë, sh.a.] e Tij, për sa vendoset në kapitull”. Pra në përgjigje, Senati venedikas i dërgon 18 kut stof skarlat e jo 16 kut.
Sipas interpretimit të Valentinit, tetë krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar prej 1.75 metra. “Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin tetë krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 metra. Nëse ai ka kërkuar qoftë edhe vetëm një krah më shumë rroba, rezulton që ai ka qenë goxha shtatlartë, sepse nëse për një trup 1.75 metra i mjaftonin tetë krahë rroba, atëherë me nëntë krahë rroba mund të mbulohet një trup prej 1.98 metra. Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth dy metra i gjatë”, ka thënë ai.
Ndërkaq në anën tjetër, për të pasur një ide se si mund të jetë dukur veshja e Skënderbeut, mjafton të përmendet fakti që 1 krah venedikas ishte 0.58 m, rrjedhimisht, i bie që trupi i mbretit tonë arbëror, mbulohej me veshje të bëra nga 10.44 metra stof (0.58 x 9 = 5.22; 5.22 x 2 = 10.44).
Dihet mjaft mirë se venedikasit, edhe pse nuk mund të quhen tamam koprracë, nuk ishin kurrsesi dorëlëshuar. Kësisoj, përderisa i dhanë Skënderbeut një krah rroba më shumë për veshjet që kërkonte, kjo do të thotë se atij i nevojiteshin pikërisht aq. Disa elemente nga këto petka luksi na janë ruajtur në piktura dhe medaljone të Skënderbeut, të cilat mjaftojnë për të bërë një rikonstruktim komplet të një apo disa petkave luksi venedikase që i mbante Skënderbeu në raste solemne. Këtu nuk janë llogaritur petkat e tjera, si dhuratë të marra nga: Napoli, Lisbona, Barcelona, Malta, Milano, Dubrovniku… etj.
Duke qenë se ishte një njeri real por edhe një legjendë e gjallë, ashtu si shumë princa të tjerë evropianë që luftuan kundër Perandorisë Otomane, shpesh figura e tij përflitet. Debatet për dhuntitë fizike të njerëzve të shquar nisin gjithnjë atëherë kur nuk ka më dyshime për ekzistencën dhe origjinën e tyre. Edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, nuk i ka shpëtuar debateve: fillimisht i mohohej ekzistenca, pastaj origjina shqiptare, e pasi këto u bënë të ditura botërisht, u fillua të debatohej për gjatësinë e trupit. Në epokën moderne, njerëzit kërkojnë me të drejtë saktësimin e të dhënave, por fatkeqsisht ka edhe prej atyre që përfitojnë nga rasti dhe mezi presin ta poshtërojnë figurën e tij ndaj duam t’u kujtojmë këtyre përgojuesve se, të thuash “Skënderbe” do të thotë “Shqipëri”.