LAJM I KEQ/ Ja sa do rritet çmimi i bukës nga 1 Nëntori
Nga 1 nëntori nis zbatimin vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), për aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë në orarin e pikut të furrave prodhuese të bukës dhe pastiçerive.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, ka treguar se çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Por kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të bukës.
Më tej, ekspertja tregon se prodhuesit pohojnë se rritjen e çmimit të energjisë, do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë sipas saj nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.
Sa do të rritet çmimi i energjisë konkretisht dhe kush do të preket nga kjo rritje?
Sipas këtij vendimi, çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 15% për katër orët e pikut të prodhimit të bukës. Kjo rritje pritet të ndikojë në koston e prodhimit dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve përfundimtare që ofrohen për konsumatorët. Sipas vendimit, orari i pikës për aplikimin e çmimit të energjisë është si në vijim: Nga 1 nëntor deri më 31 mars: çmimi do të jetë në fuqi nga ora 18:00 deri në 22:00; nga 1 prill deri më 31 tetor: çmimi do të aplikohet nga ora 19:00 deri në 23:00. Sipas pikës 2 të vendimit, tani që ka hyrë në fuqi, çmimi i energjisë aktive në orarin e pikut do të jetë si më poshtë: Kategoria I: Furra Buke/ Prodhim mielli do të paguajë 8.74 lekë/kWh, nga 7.6 lekë/kWh që ishte më parë; Kategoria II: Furrë Buke/ produkte mielli shoqëruese, pastiçeri nga 9.5 lekë në orarin e pikut çmimi i energjisë do të jetë 10.93; Kategoria III: Furra Buke/Prodhim mielli, Pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres) çmimi nga 12 lekë do të jetë në 13.8 lekë/kWh.
Cili është komenti juaj për këtë vendim? Mund të na jepni disa detaje më të thelluara lidhur me të?
Ky vendim është marrë për shkak se ngarkohet rrjeti gjatë orarit të pikut. Furrat e bukës kanë mundësinë të zgjedhin një orar tjetër për prodhimin e bukës, duke minimizuar kështu ndikimin në kostot e energjisë. Kjo do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të burimeve dhe do të lehtësojë ngarkesën në rrjet.
Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit. A është e mundur që ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre normalisht duke shmangur orarin e pikut?
Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit për rritjen e çmimit të energjisë në orarin e pikut, pasi kjo do të rrisë kostot e prodhimit dhe, për pasojë, do të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Shumë nga këta prodhues kanë pohuar se po planifikojnë të rrisin çmimin e bukës me 15 deri në 20 lekë. Prodhuesit e bukës e konsiderojnë këtë vendim si të padrejtë, pasi besojnë se duhet të kenë lehtësira në kushte të tilla. Ata po përballen me vështirësi financiare si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe rritjes së pagave të punonjësve. Sipas tyre, një rritje tjetër në kostot e energjisë do t’i vështirësojë akoma më shumë situatën dhe do të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre.