“Ladi i Barcelonës”: Si u thurr komploti i vrasjes së Azem Hajdarit. Dy nga autorët, pinë kafe dhe ikën
Vladimir Zhuli, ose siç shumëkush e njeh si Ladi, prej 30 vitesh punon për t’i shërbyer njerëzve pijen e tyre të preferuar. Prej shumë vitesh ai ka drejtuar një nga baret më të njohura në Tiranë, “Barcelona”, pranë Akademisë së Arteve.
Ai tregoi në emisioni Real People se në lokalin e tij janë lidhur shumë çifte e janë pajtuar shumë politikanë. Ladi ndau një histori të rrallë nga lokali i tij i vjetër, që lidhet me vrasjen e Azem Hajdarit në 1998.
“Mua te Barcelona e vjetër më vinin gjithë gardistët. Ndodhi vrasja e Azem Hajdarit. 2 nga ata që ishin autorë të vrasjes sipas këtyre ishin një ditë para aty në lokal, ishin një grup, pinë kafe dhe ikën. I respektova sic bëja me të gjithë klientët. Pasi u vra Azem Hajdari të gjitha faqet e para të gazetave shkruanin: komploti i vrasjes së Azem Hajdarit u thur te lokal Barcelona”, tregoi ai.
“Ladi i Barcelonës” rrëfen rrugëtimin në biznes
Vladimir Zhuli, rrëfeu në Real People vështirësitë në ngritjen e një prej lokaleve më të njohur të Tiranës dikur, lokal Barcelona. Zhuli u shpreh se rrugëtimin në biznes e nisi pas rënies së komunizmit, përmes një qoske ku shiste qofte dhe pasi krijoi kapitalin e parë ekonomik, mundi që në vitin 94 të hapte lokalin e tij.
“U bënë 29-vjet që punoj në këtë fushë. Ndërmarrja filloi të shpërbëhej, por unë e kapa situatën, bleva kabinën e rojes në ndërmarje. E bleva 4 mijë lekë të vjetra që ishte rroga e 15 ditëve. Kabina ishte nja 2 metra me 1 metër e gjysmë e gjerë. E vendosa pranë Drejtorisë së Policisë. Bashkë me vëllain shisnim qofte, rakinë e kishim tonën se prodhonim në shtëpi me kuintalë. E vendosa aty se aty ishte lagjja ime dhe ishim rritur. Ishte koha që qofte bëheshin dhe qentë dhe macet por ne duke na njohur kishin besim dhe vinin.
Unë kisha çunin 3-4 vjeç, unë merrja qoften dhe ja jepja të hante që të tregoja që ne bënim qofte me mish të mirë. Arritëm shisnim deri në 1 mijë qofte, grija deri në 80 kilogramë mish në ditë. E mbajtëm deri në 94-ën dhe bazën ekonomike që krijova doja të bëja një local. Mblodha 22 milionë me paratë e atëhershme. 3-4 lokale kishte Tirana në atë kohë dhe unë doja të bëja diçka. Bleva një ekspres në Itali, rreth 3500 dollarë, pastaj bleva karriget dhe tavolinat dhe akoma nuk e kisha gjet lokalin. I bija Tiranës vërdallë dhe gjeta një vend te Akademia e Arteve, bleva një skelet 11 mijë dollarë dhe ndërtova një nga lokalet më të bukur aty”, tha Zhuli./TEMA