Ky është shqiptari që vuajti burg më gjatë se Mandela, plot 31 vjet

Mandela merret si simbol i qëndresës në burg për shkak të viteve që vuajti, por nē të vërtetë ka shqiptarë që kanë bërë burg edhe më shumë se ai.

Kujtim Aliaj nga Mallakastra u burgos si 16 vjeç dhe doli nga burgu 47 vjeçar, shkruan Kastriot Dervishi te naishtedikur.com

Postimi i plotë i Kastriot Dervishit

Unë nuk besoj se Mandela, që e marrin shembull të kohëgjatësisë së vuajtjes së dënimit, do dilte gjallë nga kampet dhe burgjet e regjimit komunist në Shqipëri.

Ne kemi heronjtë tanë dhe nuk kemi nevojë për shembuj ndërkombëtarë.

Prej kohësh kam evidentuar deri tani 1 mijë të dënuar që kanë vuajtur 15-38 vjet privim lirie.

Njëri ndër ta është edhe Kujtim Rustem Aliaj (1940-1995), nga Çorrushi i Mallakastrës i cili vuajti 31 vjet, 4 muaj, 15 ditë, burgim të pandërprerë.

U arrestua më 28.6.1956 në përpjekje për arratisje në sektorin e Kakavijës. U dënua me 5 vjet burgim.

U ridënua me 25 vjet në vitin 1958 kur vuante dënimin në kamp burgun e Punëtorisë së Artizanatit në Tiranë.

Tentoi të arratisej nga Reparti nr.309 Rubik, në vitin 1963, së bashku me Ahmet Manxhar Hoxha (nga Kolonja e Gjirokastrës, pushkatuar në vitin 1979) Demir Sinan Shkoza (nga Priska e Madhe Tiranë, dënuar me vdekje).

U dënua sërish me 25 vjet heqje lirie.

U lirua nga burgimi më 13.11.1987.

(Nga disa dëshmi të marra, fotografia në të cilën është Kujtimi 23 vjeçar, besohet se është bërë në prag të arratisjes së tij në vitin 1963 në Repartin nr.309 Rubik. I shpreh mirënjohjen z.Eduart Aranitasi që pati mirësinë të ma dërgojë).

Scroll to Top