Kush ia dorëzoi kurorën e Skënderbeut monarkut Viktor Emanueli në Romë! Roli i Ali Asllanit gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë organizoi mbrëmjen poetike kushtuar poetit, diplomatit dhe kryebashkiakut të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX, Ali Asllani.
Në skenën e teatrit “Petro Marko” u ngjitën aktorët Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Rozeta Ferri dhe Artan Islami, duke performuar vargjet lirike të poetit vlonjat. Ata u shoqëruan nga muzika e Aulon Naçit në piano dhe kuartetit të harqeve, i përbërë nga Dejon Bendaj, Vilson Guri, Albana Kola, Dorina Laro dhe në fyell e cylë dyjare Vendim Kapaj, me pjesëmarrjen e sopranos Suada Gjergji. Interpretimet janë përcjellë mes duartrokitje nga të pranishmit. Drejtoresha e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Jetona Koçibelli, falënderoi artistët për bashkëpunimin dhe realizimin e kësaj mbrëmje, ndërsa kryebashkiaku Ermal Dredha e vlerësoi aktivitetin si një nderim të merituar për Ali Asllanin.
Aktiviteti u ideua nga Rozeta Ferri, nën kujdesin artistik të regjisores Driada Dervishi dhe u frymëzua nga vepra e poetit Asllani: “Ah ky mall, ky mall i çmendur”. Ali Asllani u lind në Trevllazër. Ngeli jetim në moshë të re, kur ishte ende 6 vjeç. Me ndihmën e të afërmve dhe miqve të të atit, mundi të ndiqte ‘Ruzhdijen’ e Vlorës. Gjithashtu ndiqte shkollën greke që të mund të mësonte alfabetin grek. Më 1898 nisi të studionte në shkollën Zosimea të Janinës. Gjatë kësaj periudhe nisi të thurte poezi në turqisht dhe persisht. Shkoi të studionte mjekësi në Stamboll, por pas një viti e la. Me ndihmën e Ismail Qemal Vlorës dhe Mulla Xhaferr Drashovicës mundi të kalonte provimin hyrës në Institutin e Lartë administrativ “Mülkiye” në Stamboll, ku u diplomua më 1906. Pas shkollës, kreu stazhin në Janinë.
Në vitin 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare osmane, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtonte internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës. Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt me ndërhyrjen e Shahin bej Kolonjës, por me kusht që të punonte në viset shqiptare.
Deri më 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvendës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”.
Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934, përsëri ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Asllani qe pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga kryeministri Vërlaci dhe ministri Ypi, që i dërguan kurorën e Skënderbeut monarkut italian Viktor Emanuelit në Romë.
Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Me ardhjen e regjimit komunist është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi më vonë iu pre. Ka botuar vjersha që në moshë të re.
U bë i njohur me poemën “Hanko Halla”, që u botua në vitin 1942. U gjet në dorëshkrim përkthimi i gjysmës së dytë të viteve ’40 të kujtimeve të Syrja bej Vlorës, përkthim i cili nga dialekti i përdorur dhe nga inicialet A.A., mendohet të jetë i Ali Asllanit. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.
/Gazeta Panorama