Krenari / Mbreti Charles nderon pedagogun shqiptar Andi Hoxhaj! Profesori merr titullin ‘Oficer i Urdhrit të Perandorisë Britanike’
Mbreti i Anglisë Charles III, nderon me titullin “OBE- Oficer i Urdhrit të Perandorisë Britanike”, pedagogun e drejtësisë në “University College London”, Andi Hoxhaj.
Emri i Hoxhajt gjendet mes disa personaliteteve të tjera, të nderuar për kontribut në fusha të ndryshme me rastin e festave të fundvitit. Universiteti ku ai jep leksione në fushën e drejtësisë, njihet si një prej më prestigjozëve në botë.
Ky nderim i është dhënë për “shërbime në marrëdhëniet mes Anglisë dhe Shqipërisë”.
Pedagogu shqiptar shkruan në rrjetet sociale: Gjatë gjithë jetës sime, kam pasur fatin të takoj shumë njerëz që më kanë mbështetur gjatë rrugës dhe ju jam mirënjohës të gjithëve. Jam vërtet i nderuar që më jepet ky titull nga Madhëria e Tij Mbreti.
Lajmi cilësohet si mjaft pozitiv në një kohë që shqiptarët më së shumti janë lakuar për emigrim dhe aktivitete të paligjshme në Britaninë e Madhe.