Kombi apo feja, cilën e vendosni ju të parët?
Pyetja: Cila është më para, kombi apo feja?!
Përgjigjja:
Së pari, më duhet të theksoj se kjo thënie duhet të jetë e tejkaluar te njerëzit e shekullit XX, ngase si e tillë, është e gabuar, sepse kombi apo etnia, sipas fjalorit të sotëm, ka të bëjë me aspektin gjenetik, gjegjësisht njëri lindet shqiptar, tjetri arab, tjetri turk etj. Këtë gjë nuk e zgjedh unë, por është caktim i Allahut si do të lindi unë, shqiptar apo pjesëtar i ndonjë etnie tjetër. Allahu në Kuran ka thënë: “Ne ju kemi bërë popuj e fise“, më pas, në ajet qëndron se kjo është bërë që njerëzit të njihen mes veti. Pra, këtë na e ka bërë Allahu i Madhërishëm dhe nuk na ka lënë që ne vetë ta zgjedhim etninë.
Kur është në pyetje feja, feja ka të bëjë me diçka krejt tjetër prej etnisë, gjegjësisht ka të bëjë me besimin dhe bindjet, si dhe ka rregulla dhe parime që e rregullojnë jetën e njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Kështu, fjala vjen, kombi apo etnia, nuk ka të bëjë me Pejgamberë, me libra, me xhenet e me xhehenem, me hallall e me haram, por këto gjëra i sqaron feja. Feja na mëson çka është e lejuar e çka është e ndaluar, e jo etnia. Etnia e ka vendin e vet në aspektin e prejardhjes, ndërkaq feja e ka vendin e vet në aspektin e besimit dhe bindjes. Për atë, e shoh se thënia: “feja apo kombi, cila është para”, është thënie e gabuar, ngase me këtë barazohen apo krahasohen dy gjëra të ndryshme. Në aspektin sociologjik, këto dy nocione kanë definicione të ndryshme, dhe nuk ka pse të krahasohen në këtë kuptim.
Nëse mendohet me këtë se, cila ka qenë para, pra a kanë qenë njerëzit të ndarë në etni apo sipas fesë, themi se njeriu i parë ka qenë njeri i krijuar prej dheut, dhe nuk ka patur etni të caktuar, ndërkaq ka patur fe, pra ka qenë musliman. Njeriu i parë, gjegjësisht Ademi a.s. është baba i njerëzimit, që do të thotë, baba i gjithë popujve, fiseve dhe njerëzve. Kjo është sipas bindjes tonë të mbështetur në argumente të vërteta se njeriu është prej dheu e jo prej majmuni.
Për atë, gjykoj që kjo thënie është e pakuptimtë, pa vend, dhe nuk dua të paragjykoj, por përdoret nga njerëz të cilët nuk duan ti zbatojnë rregullat fetare, dhe zënë behane pa lidhje se cila është para, feja apo kombi. Unë personalisht dyshoj edhe në patriotizmin e atyre njerëzve dhe në sinqeritetin e tyre se shumë na e dashkan kombin.
Unë jam aty ku duhet të jem kur më kërkon feja, dhe jam aty ku duhet të jem kur më kërkon kombi. Fjalët tjera janë muhabete të kota.
Në fund ti pyes ata: Edhe pse pyetja është gabim, por ja, të themi se kombi, sipas jush, është para. Po mirë, a thua ajo që kombi është para ju ndalon të faleni. Vallë çka duhesha të bëni ju për komb që nuk mund ta falni sabahun, dhe falja e namazit të sabahut dhe të namazeve tjera, çka ju pengon në aspektin etnik?! Më thuani, kë e pengon namazi i sabahut, apo namazet tjera, kombin,? Dhe më thuani, çka ju i kontribuoni kombit, nëse pini alkool dhe bëheni të dehur që se dini veten ku jeni? Këto janë muhabete të njerëzve që e kanë humbur rrugën në oborr. Në botën tjetër, Allahu nuk të pyet se çfarë kombi ke patur, sepse kjo nuk është relevante për në dynjanë tjetër, atje do të pyetemi a e kemi besuar Allahun dhe a i kemi zbatuar detyrat që na i ka kërkuar Allahu në dynja. Tash më thuaj, pse kombi të ndalon t’i kryesh këto detyra?! Kjo është humbje kohe, duhet të jemi në nivel të kryerjes së detyrave tona edhe fetare edhe kombëtare. Feja e ka besimin e etnia ka të bëjë me prejardhjen nga gjaku dhe këto dy gjëra nuk përzihen. Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu