Kënga arbëreshe “Na martohet Jurendina” e lashtë sa gjuha shqipe (VIDEO)
Këngetari Pino Kakoca (1957), është një arbëresh nga katundi Shënd Dimitër Koroni në Kalabri, prej nga ishte edhe shkrimtari e poeti, Jeronim de Rada. Fakti se kjo pjesë e ka ruajtur më shumë fanatizëm traditën shqiptare dëshmohet edhe përmes kësaj këngë arbëreshe e cila është e lashtë po aq sa gjuha shqipe, shkruan KultPlus.
Kjo këngë flet për martesën e Jurendinës, ndërsa fton burra, gra e vasha të stolisura që të jenë pjesë e këtij ahengu për ta përcjellur martesën e saj me dhurata, valle, daulle, çifteli e dolli.
KultPlus po ju përcjellë këtë këngë arbëreshe të shoqëruar me pamje të jetës dhe kulturës arbëreshe në Itali, atje ku ata ruajtën traditën për 600 vite me radhë.
- “Ngini (ngitni, ngani), oj gjindë të mira
- Me dhurat’ e me dafina
- Se martohet Jurendina
- E ju, gra më të mëdha
- Vjershëroni ju në dasmë
- Lumturinë e Jurendinës
- E ju, vashës të stolisur
- Dridhni vallet të nisur
- Me daull e çifteli
- Ngrëni qelqet për dolli
- Më fund e helqni këta raki
- Për harenë e Jurendinës
- Dehëni burra se na ndodhet
- Një ditë çë s’mënd harrohet
- Na martohet Jurendina
- Qesh, oj më’, pa lot ndër sy
- Nusja vete në Venetì
- E Kostandini është besnik”.
Arbëreshët e Italisë Jugore (pjesa më e madhe) janë me prejardhje nga Shqipëria Jugore nga emigrimet e viteve 1400-1500-ës, si dhe nga viset arvanite të Greqisë jugore të po atyre viteve (pjesa më e madhe e tyre nga Labëria/Viset Çame nën Sarandë (Xarra, Butrinti, Markati apo Konispoli). / KultPlus.com