Kampion në not, Gersi Stroka ka një apel për qeverinë: Kërkoj shpërblim dhe mbështetje, kam luftuar deri këtu
Edhe pse me sindromën Down, Gersi Stroka ka qenë i pandalshëm në garën e notit këtë vit në Berlin duke rrëmbyer medaljen e arit. Ai e meriton padyshim të jetë në listën e personazheve të vitit.
Sonte në “Opinion”, kampioni olimpik rrëfen se si nisi pasioni i tij për notin dhe sa punë i është dashur për të marrë pjesë në aktivitete të tilla.
“Stërvitem dy orë në ditë, por kur kam kështu gara duhet të stërvitem përditë”, tha Gersi në fillim të intervistës me Blendi Fevziun.
-A ka qenë e vështirë gara?
Gersi Stroka: Jo sepse e fitova unë. E mora unë medaljen e arit.
(Qesh Blendi Fevziu)
-Si u lidhe me notin?
Gersi Stroka: Që i vogël kisha shumë dëshirë të merrem me notin, që 9 vjeç. Tani stërvitem me profesorin.
-Kush ishte konkurrenti më i vështirë në olimpiadë?
Gersi Stroka: Ai që më iku para, ai japonezi.
-E le mbrapa në fund?
Gersi Stroka: E lashë!
Në fund Gersi pati dhe një apel për qeverinë.
Gersi Stroka: Special Olympics nuk është njohur akoma në listë, unë jam pjesë e kësaj gare, por nuk kam një nxitje apo mbështetje për të vazhduar me aktivitetet. Nga asnjë, nga qeveria këtu…E di pse e them? Sepse ka bërë shumë përpara Special Olympic-u.
-Mesazh për Edi Ramën ky. Po?
Gersi Stroka: Unë me profesorin kemi qenë këmbëngulës në gara. Unë kërkoj që këtu në Shqipëri të kem një shpërblim se kemi luftuar deri këtu.
-Të gjithë sportistët po marrin çmime me thënë të drejtën, Gersi e ka dhe më të vështirë sfidën e tij, kështu që realisht e meriton.
Gersi Stroka: Do u kërkoja institucioneve shtetërore të merren parasysh personat me aftësi të kufizuara, sepse unë kam parë disa persona që nuk janë të aftë fare, sepse nuk kanë mbështetje financiare nga shteti. Të njihet Special Olympicu se kemi bërë gjithë atë përkushtim./tvklan.al