FOTOT/ Janë 696 fshatra në Greqi, të cilat kanë qenë dhe janë të banuara nga popullsi me rrënjë shqiptare
Përfundimet nga kërkimet e studiuesve arbanë si Antonio Bellushi, Aristidh Kola, Jorgo Miha, Jorgo Maruga, Athanasio Cigo, Kazaqis, Panajotopulos e të tjerë, evidentojnë se shqiptarët e Greqisë ndahen në dy grupe, ata që janë arvanitas vendas, të cilët njihen qysh në kohën antike dhe që nga shekulli 4-13, të cilët janë mbi 550 fshatra.
Janë dhe rreth 150 fshatra që banohen nga shqiptarët që grekët i quajnë allvanofonos (shqipfolës) që kanë ardhur në Greqi rreth viteve 1600. Kryesisht, fshatrat që janë banuar dhe banohen nga popullsia që flet në vatër gjuhën shqipe ndodhen në zonën e Epirit, disa janë në zonën e Thrakës, Peloponezit, Thesalisë, Livadhiasë. Në ishujt të Korfuzit, Specas, Hidrës, Psaron, Andros, Salaminës, Jo, Thirra (Santorini) e gjetkë. (Studimi i BE-së më 1987)
Fjala çam është një evoluim i termit “t’chiam” dhe përkon me emrin e një lumi të vjetër që kalonte përmes krahinë së Çamërisë. Fjala “T’chamis” haset në shumë harta të vjetra romake dhe helene, duke na treguar se emri “Çamëri” është më i vjetër se Epiri dhe është përdorur vetëm nga popullsia shqiptare ndër shekuj. Ajo që është më e rëndësishme të thuhet këtu është se, popullsia çame ka një etnitet, traditë dhe zakone të mirëfillta shqiptare.
Gjuha shqipe e folur në Çamëri, mund të theksojmë se është pikëtakimi, apo pikëpjekja e dy dialekteve tona, gegë e toskë, me elemente të lashtësisë historiko-linguistike, si gërshetim dialektesh e nëndialektesh shqipe, si një gjuhë e ruajtur me elemente origjinale të rrënjëve ilirishte.
Kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtresëzime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studiuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme në kohën e formimit të kombësisë shqiptare. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve“ se ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare. Atje nga trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjallon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive. Ato janë zot në shtëpinë e tyre.
Një tjetër vlerë të trashëgimisë kulturore të popullit çam është veshja kombëtare, për të cilën kanë folur studiues e shkrimtarë, si nga vendi edhe të huaj. Ndër të tjera, me interes të veçantë është dhe përshkrimin që i bën diplomati dhe shkrimtari François Pouqueville, i cili në vitet 1820 kishte bërë një ekspeditë në viset shqiptare dhe ndër të tjerash, kishte bërë një përshkrim rreth veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyera dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir…”.
Mjaft të bukura e të larmishme janë veshjet popullore të përdorura nga popullsia e krahinës së Çamërisë.
Deri në fund të shek. XIX veshja më e përhapur për burra si tek ata të besimit mysliman dhe tek ortodoksët, ishte ajo me fustanellë e shoqëruar me stoli të qëndisur me fije argjendi me gjunjakë, xhamadan, mëngore, këmishë të shkurtër me mëngë të gjëra, qeleshja me majucë, opingat me xhufka të kuqe dhe çorapet e bardha. Pjesë tjetër shoqëruese e kësaj veshje konsideroheshin zbukurimorja e gjoksit e punuar nga argjendarët e qytetit të Janinës si dhe silahu i zbukuruar me fije argjendi i cili i vendosur mbi brez, shërbente për të mbajtur armët e brezit si dhe koburet.
Çamëria ka dhënë një trashëgimi të madhe kulturore për popullin shqiptar duke filluar nga gjuha, veshja, këngët e zakonet dhe të gjitha këto janë vlerat që populli shqiptar duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë si thesar të çmuar.
Copëtimi i Shqipërisë u përcoll vazhdimisht, prej shumë medieve të huaja. Një ndër to, gazeta në gjuhën frënge “La Jeune Turquie”, ka botuar deklaratën në shtator, të delegatit shqiptar, Filip Noga, për gazetën “Neue Frei Presse” në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, sidomos në zonën jugore.
Çfarë ka thënë më konkretisht, patrioti shqiptar, për medien austriake
Një nga delegatët e Shqipërisë, Filip Noga, që sapo ka ardhur nga Londra në Vjenë, deklaroi për “Neue Frei Presse”:
“Kuptohet fare lehtë, se shqiptarët nuk mund të jenë të kënaqur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Që në 1880, Anglia propozoi të formonte një Shqipëri autonome që përbëhej nga katër vilajete, Janina, Kosova, Manastiri dhe Shkodra, pra, një Shqipëri shumë më të madhe se ajo e krijuar në Konferencën e Londrës.
Shqiptarët e konsiderojnë dhënien e territoreve me popullsi të pastër shqiptare ndaj Greqisë dhe Serbisë, si një padrejtësi që Evropa u bëri atyre. Ndihemi të lënduar që Krahina e Çamërisë, e cila shtrihet deri në Prevezë, me një popullsi prej 80 mijë shqiptarësh, iu dha Greqisë.
Konferenca e Londrës ka miratuar, në parim, si kufi jugor të Shqipërisë linjën e Kepit Stylos deri në Korçë dhe dhe i ka lënë komisionit ndërkombëtar detyrën për të vënë këtë vendim në ekzekutim, si dhe të vendosë përfundimisht kufirin pas një vizite në këto vende.
Komisioni duhet t’i caktojë çdo fshat Shqipërisë ose Greqisë sipas popullsisë. Ky komision ndërkombëtar, ku do të përfaqësohet nga vendimarrës të Fuqive të Mëdha dhe të Shqipërisë, ende nuk është formuar. Anëtarët ende nuk janë emëruar. Por, formimi i komisionit nuk mund të presë më, sepse afati i nisjes së tij është caktuar në ditët e para të shtatorit.
Shqiptarët i janë mirënjohës Evropës, për atë pak gjë që ka bërë për ta dhe shpresojnë se ajo do të riparojë dëmin që i ka shkaktuar Shqipërisë gjatë demarkacionit. Shqiptarët janë veçanërisht mirënjohës ndaj Austro–Hungarisë për mënyrën se si monarkia mbrojti Shqipërinë dhe kontribuoi në çlirimin e saj. Perandorin Franz–Jozef, ne e thërrasim “xhaxha” dhe “Çlirues i Shqipërisë”.
Noga shprehu gjithashtu, falënderimet e tij për shtypin austro-hungarez dhe kërkoi të bëjë publike lutjen e shqiptarëve që Greqia, t’i tërheqë trupat nga territoret që i përkasin Shqipërisë: Korça, Gjirokastra, Himara.”