Ish truproja e Azem Hajdarit: Berisha organizatori i vrasjes së Azemit, bllokoi zbardhjen e krimit
Vrasja e Azem Hajdarit, e konsideruar si vrasja e shekullit, vijon të mbetet e mjegulluar dhe plot mistere, ndonëse kanë kaluar 15 vjet. Heroi i demokracisë, Azem Hajdari, dje u nderua nga politika shqiptare, për t’u prehur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por për zbardhjen e vrasjes së tij nuk tha asnjë fjalë. Ish-truproja i Azem Hajdarit, aktualisht kryetar i Shoqatës “Azem Hajdari”, Marjan Gryka, akuzoi Sali Berishën si organizator i vrasjes së Azem Hajdarit.
“Berisha për 8 vite nuk pati kurajon as të përmendë rihapjen e çështjes “Hajdari”, sepse siç e kemi deklaruar edhe si shoqatë, ai vetë është i përlyer në organizimin e kësaj vrasje, bashkë me mikun e tij të sotëm Fatos Nanon. Ka ardhur koha që Berisha të dalë para drejtësisë për shumë akuza të bëra ndaj tij nga ne, por edhe nga ish opozita. Edi Rama si dhjetorist dhe si njeri me vlera nuk duhet t’i humbë shpresat e shqiptarëve se vrasësit e 21 Janarit do të arrestohen, edhe se shoqata “Azem Hajdari” pret që kryeministri i ri të japë sinjalin e rihapjes së dosjes. Sot Berisha kërkon që të fshijë gjurmët e tij në vrasjen e shekullit”, tha ai.
Fshehja e vrasësve
Gryka akuzon Sali Berishën për bllokimin e zbardhjes së vrasjes së Azem Hajdarit, pasi një gjë e tillë mund t’i krijonte shqetësime dhe mund të kompromentonte pozitat e tij. Gryka shprehet se Sali Berisha premtoi hapjen e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit, por gjatë tetë viteve në pushtet nuk tha asnjë fjalë për këtë çështje. “Berisha kishte premtuar se do të bënte të pamundurën sa të vinte në pushtet për rihapjen e zbardhjen e çështjes së ish deputetit Azem Hajdari. Por nuk e bëri dhe nuk po e bën e nuk dëshiron ta bëjë, mbasi hapja e dosjes “Hajdari” krijon shqetësime për Berishën. Kujtoj, që të njëjtën gjë kishte premtuar Sali Berisha dhe në vitin 1992, kur deklaroi se do të hapte gjoja hetimet për ngjarjen e 2 prillit në Shkodër, por nuk e bëri këtë akt”, theksoi ai. I pyetur për vrasësit, Gryka thekson se atentatorët i di vetëm Sali Berisha. Ai tha se Berisha mori në gjirin e tij ish-ministrin e Brendshëm, Neritan Cekën, i cili i bëri 7 atentate Azem Hajdarit. “Këtë e di më mirë zoti Berisha. Të gjithë shqiptarët kujtojnë atë ditë të 14 shtatorit, kur Berisha dhe gjithë lakenjtë e tij u vunë mbas shtratit që mbante Azem Hajdarin dhe po thërriste se ‘Nano dhe Gjinushi janë ata që e kanë vrarë liderin e demokracisë’. Koha tregon se në asnjë moment nuk u vërtetua kjo dhe kurrë as vetë Sali Berisha nuk u ingranua në një hetim të tillë. Përkundrazi, kryeministri, ish-shefi i opozitës në atë kohë, si për “çudi” të të gjithëve nuk mori pjesë fare në procesin hetimor dhe gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit, por akuzonte kryeprokurorët, herë Arben Rakipin e herë Dhori Sollakun dhe më pas “laviren e bulevardit” (kjo e thënë nga z. Berisha), ish Silvia Konti! Sot Berisha ka në gjirin e tij pikërisht Neritan Cekën, atë që kur gëzonte postin e ish ministrit të Brendshëm, i bëri atentat 7 herë Azem Hajdarit (si në ngjarjen e Milotit, etj)”, theksoi ai.
Akuza Berishës
Gryka ka deklaruar se ka prova dhe fakte kundër Sali Berishës. “Sot, mbas 15 vjetësh, mendoj se ka ardhur koha t’i themi gjërat troç dhe pa as më të voglin ngurrim e komplikacion. Unë paraprakisht, dua të bëj me dije të gjithë opinionin publik dhe sigurisht në mënyrë të veçantë kreun e PD, Sali Berisha se do të paraqesë në kohën më të afërt 4 video filmime me fjalime, biseda dhe fakte që tregojnë prova “anti-Berishë” në lidhje me vrasjen e Azemit. Aty do të tregohet qartë fakti, se përse Sali Berisha nuk ka dashur kurrë ta zbardhë vrasjen e Azem Hajdarit, gjë e cila ndodh për shumë arsye, por arsyen e vërtetë dhe me domethënëse të këtij mbulimi e di vetëm Saliu”, tha ai.
Linja anti-Berishë
Ish-truproja i Azem Hajdarit, aktualisht kryetar i Shoqatës “Azem Hajdari”, Marjan Gryka, ka pohuar se Azemi ishte një i djathtë tipik i pazëvendësueshëm dhe nuk pajtohej me arnimet karrieriste që bënte Berisha vetëm për të marrë votën dhe nuk zbatonte asnjë premtim ndaj elektoratit. Pra, një rehabilitim i figurës së Azemit, do të nxirrte zbuluar busullën me të cilën drejtohet sot PD. “Shembujt janë në mendjen e njerëzve të thjeshtë, pasi vetë Azemi ishte në ballë të shumë demonstrimeve anti-Berishë që atëherë, deri sa u bë njësh me grevën e urisë së minatorëve në 1996 dhe me Sindikatat e Pavarura, për të rrëzuar qeverinë e PD, kur Berisha e përjashtoi Azemin nga PD, e shkarkoi nga funksioni i kryetarit të Komisionit të Rendit e SHIK-ut, i hoqi imunitetin si deputet. Dhe Azemi u deklarua deputet i pavarur dhe me plot sulme të egra e survejime nga i ndjeri Bashkim Gazidede, derisa arriti kulmin dhe forcat e rendit ndërhyjnë në një takim me sindikatat në Korçë, për ta arrestuar, ku situata degjeneroi deri aty sa Azemi kaloi në përleshje fizike. Urdhri ishte dhënë nga lart, pra nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha i cili synonte të ‘asgjësonte” politikisht Azemin”, ka deklaruar ai.
Faktet që implikojnë Sali Berishën
Sali Berisha nuk pranoi të dëshmonte për Azem Hajdarin
Përdori vrasjen e tij për të ardhur në pushtet me dhunë në ’98
Truprojat e tij janë implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit
Pak para vrasjes, Azem Hajdari ka qenë në zyrë më Berishën
Sali Berisha nuk tentoi të hapte dosjen e vrasjes së Hajdarit gjatë 8 viteve në pushtet
Sali Berisha mori në gjirin e tij armiqtë e Azem Hajdarit
Azem Hajdari ishte rivali më i fortë i Berishës në PD
Berisha përdori pas 16 vitesh eshtrat e Azem Hajdarit për presion ndaj Ramës
Pyetje për Berishën
– Pse, sot 8 vjet që je në pushtet, nuk ke marrë as nismën më elementare, që çështja “Hajdari” të ridalë në skenë, fillimisht për hetime të mëtejshme dhe më pas për një gjyq të drejtë ndaj atyre që e kanë bërë këtë krim?
– A do të vazhdosh ta ofendosh akoma më shumë emrin e Azem Hajdarit me makinacionet e tua politike, duke bashkëpunuar me ata që vetë i akuzove për vrasjen e tij?
– Zoti Berisha, kush e vrau Azem Hajdarin zoti kryeministër, ish shok i tij?
– Pse nuk pranove dhe nuk shkove në gjyqin për të zbardhur ato që dije (siç i the disa minuta mbas vrasjes?)
– A vazhdon të mendosh sot, apo i mohon deklaratat që bëre, se Fatos Nano dhe Skënder Gjinushi fshiheshin mbas dorës gjakatare, që vrau Azem Hajdarin?
– Sa do t’ju dëmtonte ose jo, juve dhe bashkëpunëtorëve të tu, zbardhja e të vërtetës për vrasjen e Azem Hajdarit?
Biografia e Azem Hajdarit
– Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
– I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
– Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
– Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
– Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
– Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
– Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;
Aktiviteti Politik
– Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
– Dhjetor 1990 – shkurt – Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
– 1991 – 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
– 31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
– 22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
– 26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
– 29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojës;
– 1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
– Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
– Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
– 1995 – 1998 – President i klubit të futbollit “Vllaznia” – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale
Vlerësime për Heroin e Demokracisë
– Urdhëri i Flamurit;
– Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës;
– Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003;
– Urdhëri “Nderi i Kombit” (2002);
– Pishtar i Demokracisë;
– “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i pothuajse të gjithë bashkive e komunave të Shqipërisë. Adriatik Doçi