Ish drejtoresha e bankës dhe bashkëshortja e ish kryetarit të PS-së Tropojë padit Berishën: Më burgosi shtatëzanë më vranë fëmijën në bark për hakmarrje ndaj tim shoqi, shpresoj te SPAK
Fatbardha Dega erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të treguar historinë e saj të abortit në qelitë e Bajram Currit. Zonja Dega tregoi në Shqip, DritareTv, detajet e ngjarjes më tragjike të jetës së saj, për të cilën ajo akuzon Sali Berishën.
“E shoh në ekranet e Shqipërisë, këtu në Nju-Jork, sesi e ledhatojnë me përkujdesje, se është në moshë, se është opozitar. Jo, ai është kriminel. Ai vrau fëmijën tim të palindur dhe ndaj vendosa të flas tani, 32 vjet më pas.”
Zonja Dega tregon me detaje si e futën në burg, ndërsa ishte shtatzënë atë mesnatë të 32 viteve më parë, në Bajram Curr, sepse ajo, bashkëshorti i saj ishin të angazhuar politikisht. U fabrikuan prova që ajo të arrestohej për korrupsion në ‘92-shin, me dëshmi të rreme, atëherë kur ishte drejtoreshë e Bankës së Shtetit në Tropojë.
Dhe sot akuzon emër për emër, ata që i morën jetën foshnjës se saj, nga gjyqtarë e prokurorë, e deri Sali Berisha, që e quan autor të vëllavrasjes në vend. Sot, 32-vjet që kur është larguar nga Shqipëria për në SHBA, Fatbardha Dega ka besim më shumë se kurrë se SPAK-u do të vendosë drejtësi edhe për foshnjën që ajo humbi në 1992-shin edhe për prindërit që nuk i pa derisa vdiqën, sepse kishte frike të kthehej në Shqipëri.
Më poshtë pjesë nga rrëfimi i zonjës Fatbardha Dega nga Nju-Jorku!
“Fillimi i Lëvizjes Demokratike në Shqipëri më gjeti mua në detyrën e Drejtoreshës së Bankës të Shtetit në Tropojë, ndërsa im shoq ishte drejtues i PS-së së Tropojës duke qenë më parë Sekretar i Komitetit të PPSH-së.
Më 9 janar të vitit 1991 vjen Sali Berisha me një grup me vete, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Arben Imamin, për të prezantuar PD-në në Tropojë dhe atë ditë populli i Tropojës bëri një antimiting të fuqishëm që krijoi një situatë shumë delikate për ruajtjen e paqes ndërmjet grupimeve të ndryshme politike dhe im shoq, Agimi, si drejtues i PS-së në Tropojë u kujdes qe situata te mos rrëshqiste në një konflikt të përgjakshëm politik. Por Sali Berisha dhe njerëzit e tij akuzuan tim shoq dhe udhëheqjen e PS-së se kishin dorë në organizimin e tij gjë e cila ishte e qartë në dritë të diellit se nuk ishte e vërtete. E vërteta është që Tropoja nuk e pranoi Berishen, sepse e njihte. As atëherë, as kurrë. Dhe ai nuk e fali.
Ndjenja për revansh dhe hakmarrje kundër tim shoq dhe familjes sonë u rrit jashtëzakonisht shumë për t’u shfaqur hapur në një ngjarje tjetër po kaq të rrezikshme gjatë një turi elektoral të kryetarit të PS-së Fatos Nano në Tropojë në fund të janarit të vitit 1992 që do të shënonte fundin e qeverisjes së PS-së dhe ardhjen në pushtet të PD-së dhe Berishës. Kur erdhi Fatos Nano në Tropojë, Berisha organizoi bandat për t’i bërë atentat.
Për shkak të një organizimi me tendenca të hapura të ushtrimit terrorit nga PD-ja e Tropojës (sipas porosive të Azem Hajdarit dhe Berishës) ishte paraparë për t’u gjakosur Tropoja atë ditë me çdo kusht. Mitingu nuk u be. Fatosi atë ditë u strehua në shtëpinë tonë në Bajram Curr . E tërë familja jone dhe fisi ynë u vu në dispozicion të mbrojtjes dhe nxjerrjes së tij nga Tropoja pa dëmtim. Turma e bandave terroriste të kohës rrethoi shtëpinë tonë për disa orë dhe tentuan 2-3 herë për të hyrë brenda dhe për ta rrëmbyer Fatosin. Pas mesnate ne mundëm ta nxjerrim Fatosin dhe grupin e tij nga Tropoja nëpërmjet Qafës së Luzhës-Krume-Kukës-Tiranë pa pasur asnjë problem.
Por nga ky moment dhe me të ardhur në pushtet më 22 mars tërbimi i Berishës, Hajdarit e grupit të tyre ishte i papërmbajtshëm kundër familjes sonë. Duke qenë se im-shoq ishte figurë politike, ata e patën më të vështirë për ta çuar në burg, ndonëse planet për asgjësimin fizik të tij kanë qenë të parapërgatitura me kohë. Po kështu edhe kunatin tim Hamdi Dega gazetar i ATSH-së dhe një nga zërat më kritike në shtypin vendas dhe atë të huaj, kundër politikave destruktive të Berishës dhe PD-së së kohës nuk e kishin krejt të kollajtë ta godisnin publikisht.
Kështu që ata zgjodhën goditjen time si i vetmi person që isha në punë shteti në ato momente dhe pas 2-3 kontrolleve nga Kontrolli i Shtetit dhe dy nga Banka e Shqipërisë ata nuk gjetën asnjë shkelje ligjore apo veprimtari tjetër të paligjshme(si korrupsion apo mitmarrje) Berisha dhe kupola e PD-së urdhërojnë edhe njëherë Blerim Çelën, (kryetar i Kontrollit të Shtetit në atë kohë) që të çojë një grup tjetër në Bankën e Tropojës dhe ata nuk do të ktheheshin në Tiranë pa gjetur problemet që u kishe diktuar shefi. Ashtu bënë dhe fabrikuan një sërë gjoja shkeljesh e gabimesh.
Më 9 shtator 1992 në orën 12 të natës kur unë isha e shtrirë me dy vogëlushët e mi, 7 dhe 5 vjeç, në krevat, bie zilja dhe pasi e hapi vjehrra ime sheh në derë më shumë se 12 policë që kishin ardhur për të më marrë mua. Më mbyllen në qelinë e burgut duke u ndodhur në kushte nga me çnjerëzoret që mund të mendohen).
Ishte një qeli jo më e madhe se trupi im, me një dërrasë të shtruar. Më prunë pas 2 ditësh një batanije, nuk kishte as dritare. Në qeli mund të ketë pasur edhe të pafajshëm, por edhe shumë kriminelë. Burgu ka qenë kalvari im më i tmerrshëm. Megjithëse u thashë që isha shtatzëne, askush nuk donte të dëgjonte. Atë natë im shoq nuk ishte në shtëpi dhe pas dy ditësh ai më solli një avokat nga Tirana dhe filloi odiseja ime e tmerrshme në burgun famëkeq të Barjam Currit. Unë u gjykova për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.
Historia e fëmijës që dështova në burgun e
Avokati im kërkoi që të ndiqesha në “arrest shtëpie”, por prokurori dhe detashmenti i tij politik nuk lejuan të bëhej kjo.
Pas 1.5 muajsh më kapen dhimbje të tmerrshme barku dhe për katër ditë rresht nuk më erdhi një ndihmë mjekësore. Isha në gjendje tejet të rendë shëndetësore dhe pashe që isha mbytur në gjak. Gjaku kishte dalë përtej derës së qelisë.
Kërkova ndihmë mjekësore urgjente, por ata pasi thirrën mjekun të më kontrollonte aty ai kërkoi që urgjentisht të më dërgonin në spital pasi jeta ime ishte në rrezik. Më lanë me gjakderdhje për shumë kohë në qeli. Pasi më pa gjinekologia dhe më dha ndihmën e nevojshme mjekësore, më tregoi se unë e kisha humbur fëmijën dhe më tha se do më mbante disa dite aty, pasi jeta ime ishte në rrezik.
Pas 3-4 ditësh në spital ata terroriste të veshur me pushtet më kthyen në qeli ku qëndrova deri më 5 ose 6 dhjetor, kur edhe u lirova në sallën e gjyqit. Gjyqi im u zhvillua pothuajse për një javë, morën pjesë mbi 80-90 dëshmitarë dhe asnjë nga akuzat e ngritura kundër meje nuk u vërtetua ku si unë, ashtu dhe avokati im rrëzuan aktakuzën duke treguar se pas saj kishte vetëm motive politike.
Burgosja ime jo vetëm që ishte burgosja e të parit njëri nga radhët e opozitës socialiste, por shënoi edhe viktimën e parë tragjike të pushtetit despotik e autokratik të vendosur në Shqipëri nën sundimin e Sali Berishes. Unë isha zgjedhur për të paguar çmimin e rëndë me humbjen e fëmijës tim në qelitë e burgut. Ajo foshnje e paardhur në jetë vazhdon të bërtasë në kupë të qiellit dhe kërkon vendosjen e drejtësisë.
Këtë po e kërkoj tani pasi më parë nuk kisha asnjë besim se mund ta siguroja me atë drejtësi të ndyrë që Shqipëria ka pasur nder vite. SPAK-u dhe Reforma në Drejtësi më dhanë forcë dhe kurajë se tani mund të kërkoj drejtësi.
Në rrethanat e reja të krijuara nuk mbeti asnjë alternative tjetër përveçse largimit nga Shqipëria. Më 17 mars të vitit 1993, bashkë me dy fëmijët tanë, në kushte ilegale kaluam kufirin në Maqedoni dhe nga Shkupi fluturuam për në Gjermani dhe pas 5-6 vjetësh atje u zhvendosëm në SHBA ku ndërtuam me jo pak sakrifica një jetë të re, por të lumtur dhe dinjitet.
SHBA-ja u bë shtëpia jone e dashur ku ne kemi fituar e arritur gjithçka kemi ëndërruar. Unë dhe Agimi pas evaluimit të diplomave tona bëmë dy master. Unë në Accounting e Financë dhe Agimi bëri edhe PhD në Computerized Engineering Design. Unë kam punuar në disa firma të njohura si sinor Accounting specialist-kryesisht Property Management dhe Real Estate dhe kudo jam vlerësuar e promovuar për rezultatet e arritura. Agimi ka punuar në partnership me dy firma amerikane Engineering Consulting dhe ka marrë pjesë në mbi 60-projekte në 22 vende të botës në të 5-të kontinente.
Të tre fëmijët, dy që lindën në Shqipëri dhe Zoti më dha një djalë pas humbjes në qeli, janë shkolluar në shkolla mjaft prestigjioze këtu në SHBA dhe të tre janë të punësuar në firma dhe kompani të njohura botërore. Unë tani jam gjyshe, por asnjë dite nuk kam harruar, as falur atë që më vrau fëmijën e palindur. Sali Berishën. Ndaj dola, t’u them atyre që e ndjekin, mjaft, mjaft me vëllavrasje në këtë vend. Lëreni Salinë dhe shikoni Shqipërinë. Ai nuk mund të na vrasë dot më.“- e mbylli rrëfimin e saj në Shqip, Fatbardha Dega./K.C/dritare.net