Intervista/ Nga çanta me para te vdekja e dëshmitarëve, Romeo Kara: Meta është bërë rahmet për së gjalli, i zhytur kokë e këmbë te CEZ-DIA!

Juristi ka treguar për “Pamfletin” udhëtimet e Metës në Pragë dhe si kanë vdekur në mënyrë të dyshimtë dëshmitarët e kësaj dosje.

Juristi Romeo Kara ka zbërthyer dosjen CEZ-DIA. Në një intervistë për “Pamfletin”, juristi u është përgjigjur edhe akuzave të Ilir Metës ndaj tij. Kara ka rrëfyer një bisedë me Elvis Matën, i cili është dëshmitari kyç i kësaj dosje. Mata i ka treguar se si Ismailaj i ka dërguar Metës në shtëpi një çantë me 200 mln lekë. Po ashtu Kara ka treguar për “Pamfletin” udhëtimet e Metës në Pragë dhe si kanë vdekur në mënyrë të dyshimtë dëshmitarët e kësaj dosje.

Intervista:

-Zoti Kara, pas afro 6 vitesh duket sikur gjërat po lëvizin për aferën CEZ-DIA. Mendoni se SPAK do i shkojë deri në fund dosjes dhe do të marr të pandehur Ilir Metën?

Duke parë zhvillimet e fundit, trendin pozitiv të rritjes së efektivitetit të punës së SPAK-ut, interesimin në rritje të faktorit ndërkombëtar për instalimin e ndëshkimit për politikanët e korruptuar si dhe çoroditjen e pashembullt të Metës pasi doli nga SPAK-u, kam besimin e plotë se, më në fund procesi i hetimit po përfundon dhe shumë shpejt do të jemi në momentin e komunikimit të akuzës për Metën dhe disa ish-funksionarë të tjerë të lartë pas tij, këtu dhe në Çeki.

-Duke qenë se ju keni folur shpesh për këtë dosje dhe shumë detaje dihen, ka disa elementë të tjerë shumë interesantë. Ju keni pasur kontakte me dëshmitarin kyç, Elvis Matën, i cili mesa di unë ka folur për çanta me para që futeshin në shtëpinë e Ilir Metës. Si është e vërteta?

Shkurt dhe qartë, me të thënë dhe me të shkruar, Elvis Mataj ka deklaruar se, Ismailaj i ka dërguar Metës në shtëpi, afër me ish-restorant Berlinin në ish-Bllok, një çantë lëkurë ngjyrë kafe në të cilën ishin brenda ose 200 mijë euro ose 200 milionë lekë shqiptare. Kjo gjë ka ndodhur diku nga fundi i vitit 2010 ose fillimi i vitit 2011.

-Sipas burimeve të mia, SPAK ka siguruar prova për udhëtime të dyshimta të Metës në Pragë, atje dhe ku u kopsit pakti. Ju jeni i vetmi që keni folur për udhëtime të Metës, mundtë na thoni më shumë detaje?

Është mëse e sigurt se në fund të nëntorit 2010 Meta ka udhëtuar me Ismailajn për në Prage ku kanë takuar dy drejtuesit më të larte të CEZ-Group, Martin Roman dhe Tomas Pleskash.

Ata kanë udhëtuar së bashku, kaluar në Rinas së bashku, me bileta avioni të paguara prej CEZ-it dhe kanë qëndruar në të njëjtin hotel ne Prage, Hotel Mandarin.

Tre dite përpara se të niseshin në udhëtim Ismailaj është paguar me urgjencë për një punë të pakryer edhe sot me një shume rreth 1.5 milionë euro, ndërsa pak ditë pasi u kthyen ERE miratoi vendimin famëkeq për uljen e çmimit të energjisë që KESH-i i shiste CEZ-it duke dëmtuar buxhetin e shtetit me minimumin 30 milionë euro në vit.

Për të qenë sa me incognito në Pragë, nuk kanë udhëtuar me makinat e ambasadës, por me një tjetër makinë për të cilën dimë targën, llojin dhe ngjyrën: Mercedes i zi me targë AOE 507.

Pas këtij udhëtimi dhe qokave që përmenda, Bordi i CEZ Group miratoi kontratën DIA-CEZ për mbledhjen e borxheve.

-Dy dëshmitarët kryesor të kësaj afere, si Qazim Tepshi dhe Zamir Stefani nuk jetojnë më. Pse sipas jush ka mister në vdekjen e tyre?

Ka një mister të shtuar për vdekjen e tyre, pasi të dy kanë pasur lidhje me afera të ndryshme që kanë patur të bëjnë me Metën.

Megjithatë i takon SPAK-ut të hetojë për këtë çështje.  Çdo gjë deri më tani është në kuadrin e hipotezave.

-Keni një përgjigje ndaj akuzave të Ilir Metës ndaj jush?

Si gjithmonë, Meta, Berisha dhe çdo politikan kur përballet me drejtësinë mundohen ta politizojnë punën e organeve të drejtësisë si dhe të godasin kallëzuesin kur nuk mund të godasin kallëzimin.

Pikërisht kur ata bien në këtë lloj niveli, unë bindem se, ata janë vërtet në hall.

Jam akuzuar prej tij se jam përdorur nga Rama politikisht për ta bërë atë kallëzim në vitin 2019 kur Metës i hipi delli i ndershmërisë familjarisht dhe denoncoi aferën e inceneratorëve.

Kjo është një shpifje e pamenduar gjatë prej tij, pasi iu kthye në bumerang, sepse kallëzimi im është bëre pikërisht në 18 Tetor 2017, jo vetëm pa asnjë ndikim politik, por në kundërshtim me interesat e të gjithë politikës të kohës.

Kjo gjë provohet katërcipërisht nga media e kohës, YouTube dhe Google.

Më ka akuzuar për kallëzues të rremë, por, mesa duket ai nuk po e beson realitetin dhe nuk po e kupton, nëse është në ëndërr apo në zgjëndërr.

Besoj se, vizita e tij në Pragë me Ismailajn nuk është e rreme dhe intervista e gruas së Ismailajt ndaj tij nuk është e rreme.

As deklarimet e Jozef Hejsekut dhe Elvis Matës nuk janë të rreme.

As vendimi i ERE-s nuk është i rremë, vendim të cilin e pranoi edhe vetë ai më në fund se ishte i paligjshëm dhe në kundërshtim me interesat e Shtetit Shqiptar.

As paratë që ka marrë nga Ismailaj nuk ishin fallso.

E rreme ka qenë vetëm bindja e tij se, ndëshkimi ligjor për njerëz si ai, nuk do ta shihte kurrë dritën e diellit në Shqipëri.

Edhe pse miqësia e tij me Ismailajn është botërisht e njohur, ai guxoi dhe e mohoi atë.

Duke mohuar atë miqësi, ai në të vërtetë pohoi fajësinë e tij.

Sidoqoftë, SPAK-u ka pasur mjaftueshëm kohë për të verifikuar vërtetësinë e kallëzimit tim dhe këtë gjë e di mirë edhe Meta, por e ka të pamundur ta pranojë.

Megjithatë, nuk duhen marrë shumë seriozisht, akuzat çapraz që lëshon një njeri i bërë rahmet për së gjalli.

Mendja është gjë e madhe…

Kur nuk ke turp, të gjitha i bën./Pamfleti

Scroll to Top