Ilir Peposhi: Një mesazh për emigrantët, kthehuni se Shqipëria bëhet!
Rubrika “Jeta ime” në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv sot i dedikohet një shqiptari të veçantë, nga atë të paktë që mendojnë se Shqipëria bëhet. Ilir Peposhi jetoi 16 vjet në Gjermani, por e la për Shqipërinë. Sot ai erdhi në emisionin Shqip, me mesazhin që emigrantët shqiptarë duhet të kthehen një orë e më parë në Atdhe, se Shqipëria bëhet po dite të punosh dhe t’i realizosh ëndrrat në vendin tënd.
“U ktheva në Shqipëri në korrik të 2006-ës dhe çdo qindarkë që fitova e mendova ta investoj në Shqipëri dhe asnjë para në Gjermani. Kisha shumë besim që Shqipëria do të bëhet. Unë e shikoj më shumë të vështirë situatën në Gjermani se sa në Shqipëri. Mbase kjo vjen si pasojë që pjesa dërrmuese e atyre që janë problematikë, rinisë, kanë ikur. Por Shqipëria është vend i qetë. Gjermania nuk është kështu. Gjermania është e tmerrshme, vendet e zhvilluara janë shumë të egra. Ndaj vendosa të kthehem.
Nuk mendoj që të gjithë duan të kthehen. Por as nuk është e vërtetë që të gjithë duan të ikin. Ka një grup që shkon për të bërë para, kanë halle në Shqipëri, borxhe dhe atje mund ta mbledhësh lekun më shpejt. Një grup tjetër, nuk pranon fëmija të kthehen sepse kanë lindur atje. Një grup tjetër nuk e ka guximin dhe forcën të kthehen. Por unë u bëj thirrje atyre që e kanë një shtëpi këtu dhe kanë fituar një kualifikim dhe kanë një profesion, të mos rrinë as edhe një ditë më tepër. Edhe në Shqipëri ka punë. Po flas për Tiranën dhe Durrësin, që e njoh. Nuk merr më shumë para atje. Edhe çmimet janë rritur. Në Shqipëri një metër katrorë pllakë të shtosh merr deri në 10 euro. Kush ka një profesion, ka një shtëpi këtu, ka vullnetin për punë, gabon që rri në emigracion.”, tha zoti Peposhi në DritareTv./K.C/dritare.net