Ikja e të rinjëve, Balluku: Nuk ka eksod, por lëvizje demografike
Në një takim me të rinjtë e programit “LEAD Albania”, zv/Kryeministrja Belinda Balluku thotë se largimin e shqiptarëve nga vendi nuk e konsideron një eksod.
“Ky nuk është një eksod nga Shqipëria, kjo është një lëvizje demografike postopandemike që po i ndodh gjithë Europës, botës. Ka një lëvizje edhe të mjekësve italianë që shkojnë drejt SHBA.”
Nga ana tjetër Balluku vlerëson faktin se sot shumë të rinj zgjedhin të kontribuojnë për vendin duke u angazhuar në programe siç është “LEAD Albania”, përmes së cilit ata bëhen pjesë e qeverisjes qendrore dhe lokale.
“Kemi shumë punë po jemi pak njerëz, ne ju presim me krahëhapur. Dyert e çdo ministrie, agjencie, kryeministrie janë të hapura për ju, me dëshirën që ju të kontribuoni për vendin tuaj….”
Sipas Ballukut reformat e ndërmarra në vend kanë ndryshuar tashmë edhe perceptimin e ndërkombëtarëve sa i përket mënyrës së funksionimit të qeverisë shqiptare.
“Qeveria shqiptare ka një administratë teknike që punon për popullin dhe për asnjë parti..”
“LEAD Albania” synon t’u sigurojë të rinjve profesionistë përvojë në procesin e qeverisjes, dhe organizohet nën kujdesin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. / Tv Klan