I vetmi që hetoi zhdukjen e Remzi Hoxhës! 12 vite nga vdekja e mistershme e prokurorit Xhevat Hana, vëllai kërkon drejtësi: E vranë bishat e pushtetit
Sot mbushen plot 12 vite nga ndarja nga jeta e prokurorit të Krimeve të Rënda Xhevat Hana. Vdekja e tij edhe sot e kësaj dite konsiderohet një mister pasi familjarët hodhën menjëherë dyshimet se Hana është vrarë duke e helmuar për të mos hetuar ngjarjet e bujshme në vend.
Vëllai i tij, Selami Hana nëpërmjet një postimi në facebook, ku kujton 12 vjetorin e ndarjes nga jeta të prokurorit, kërkon drejtësi, duke hedhur akuza për një krim të mirëfilltë të pushtetit të asokohe, sipas tij për të mbuluar krimet dhe vjedhjet e kryera në vend.
“Në 12-vjetorin e ndarjes padrejtësisht nga jeta të vëllait tonë, prokurorit Xhevat Hana! Kriminelët gjakpirës, bishat vrastare të pushtetit që kanë lyer duart me gjak, i morën jetën padrejtësisht dhe pabesisht në krye të detyrës, vetëm për të mbuluar krimet dhe vjedhjet që kane kryer në këtë vend dhe mbi njerëz të pafajshëm”, shkruan Selami Hana, ndërsa thekon se ka shpresa te drejtësia e re që të zbardhë ngjarjen.
Xhevat Hana me një karrierë të gjatë në drejtësi ishte një nga prokurorët më të njohur në Shqipëri. Ai njihet si i vetmi prokuror që çoi në gjykatë njerëzit e SHIK-ut të Gazidedes, përkatësisht Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Avni Koldashin që dyshohet se zhdukën biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i cili dyshohet se kishte filmuar takimin trepalësh të ish-presidentit Sali Berisha me homologët e tij në atë kohë Sllobodan Milosheviç të Serbisë dhe Kiro Gligorov të Maqedonisë në Shën Naum.