Hyrije Çekani, inxhinierja që s’e braktisi pasionin! Këndon muzikë klasike në pedonale! Emocionet e takimit me profesor Robert Radonë
Pas takimit të Robert Radosë me ish-nxënësen e vet që performon në rrugë muzikë klasike, Report tv e ndoqi artisten amatore gjatë një mbrëmje interpretimi në Pedonale, ku ndau me ne historinë e saj.
Takimi mes ish-nxënëses Hyrije Çekani dhe muzikantit Robert Radoja preku zemrat e shumë njerëzve…
“Robert Radonë e kam pasur profesor në cikël të ulët, pasi unë nuk kam përfunduar Akademinë e Arteve, por Inxhinierinë Mekanike. Është një artist i jashtëzakonshëm! Është talent, figurë!”, shprehet këngëtarja amatore, Hyrije Çekani.
Pas artistes amatore që performon në Pedonale muzikë klasike prej verës që lam pas ka një histori njerëzore që me fisnikëri vendosi ta ndaj me ne…
“Pasionin për muzikën e kam që nga fëmijëria. Nëna ime ishte nga Shkodra, shtëpiake, por e fillonte dhe e mbaronte ditën duke kënduar, çka ka ndikuar tek unë”, tregon artistja e rrugës.
Hyjria ka lindur në Tiranë, por ndonëse ushqente pasionin për muzikën dhe ëndërronte të bëhej këngëtare, ajo zgjodhi inxhinierinë mekanike.
“Duke pasur dy vëllezër të cilët nuk ndoqën rrugën e babait, një inxhinier i dëgjuar, punëtor e i ndershëm, për të cilin ne si familje kishim debulesë, unë si vajzë ndjeva si detyrë si thirrje të brendshme që të trashëgoja profesionin e babait”, shprehet ajo më tej.
Ka punuar për 13 vjet në industrinë mekanike, më pas në një biznes privat, duke vijuar me profesionin e përkthimit. Është njohëse e disa gjuhëve çka e ndihmon me tekstin e këngëve që performon.
“Italisht, rusisht dhe anglisht janë tre gjuhët bazë, të cilat i kam të mbrojtura”, thotw artistja amatore.
Ndonëse nuk e ndoqi si profesion, Dashurinë për këngën u mundua të mos e braktisë, herë pas here merrte pjesë në festivale si këngëtare amatore.
“Kam marrë pjesë si këngëtare amatore, sigurisht jo me perfeksion teknik duke qenë se kisha marrë tjetër drejtim… Por pasioni për për këngën ka qenë i vazhdueshëm”, tregon Hyrija.
Kur lodhja, por edhe taksat, nisën të peshojnë, disi më shumë, në moshë pensioni vendosi që të ripërqafojë ëndrrën e dikurshme në një miniskenë të improvizuar me shpresën se kjo krahas saj do të gëzonte edhe kalimtarët… Muzika klasike përbënte një sfidë më vete.
“Muzika klasike është shumë tërheqëse! Është e jashtëzakonshme… për aq sa e kam prekur arrij të kap shumë ide që janë shumë të bukura dhe që më herët nuk i kam pas ditur . Përpos kësaj unë kam një tërheqje për gjërat e vjetra, më pëlqejnë dhe kam dëshirë t’i rinovoj”, shton më tej.
Të qenit pjesë për afro tri vjet e Korit të Kënushëm, të drejtuar nga Don Corrado ka qenë një ndihmesë për të…
“Fillimisht më ndihmoi shumë fakti që mora pjesë në ‘coro cantabile’ në Katedralen Katolike në Tiranë. Me tej, jam përpjekur të pasuroj repertorin por edhe të kënduarit”, thotë.
Ka momente që e lumturojnë, kërcimi i gëzueshëm i një vogëlusheje… apo këto duartrokitje të sinqerta…
“Ka raste të tilla kur të rinjtë fillojnë dhe kërcejnë. Veçmas të huajt. Kujtoj se grupe të rinjsh italianë që kanë ardhur kryesisht në periudhën e verës dhe të vjeshtës, kërkonin të këndonin me mua shumë alegro, shumë të gëzuar”, tregon ajo.
Njerëzit mundohen ta inkurajojnë… Ky është fitimi i një mbrëmje që do të vijojë edhe pas intervistës…
“Sigurisht, për pensionin qesharak qe marrim ne, është diçka…. Gjatë verës njerëzit hidhnin lekë më shumë, lekë letre, tani ka më shumë ‘gjëra’ metalike (qesh). Shpenzimet ‘sjanë të pakta, pasi pajisjet anë të kushtueshme dhe Bashkisë i paguajmë tarifë…”, thotë më tej Hyrija.
Pavarësisht sfidave, Hyjria ka dëshirë të vazhdojë të këndojë, aty në skajet e Pedonales. Herë afër Galerisë së Arteve e të tjera pranë Kalasë së Tiranës ku si bijë tironse ndjen se ka diçka arkaike… që i fal grimca lumturie.
“Do të doja ta vazhdoja që të kishte vlerën e vet tek unë dhe të kthehej në përvojë, paçka se ka vështirësi, do doja të vazhdoja”, thotë Hyrije. /Shqiptarja.com