Historitë prekëse shqiptare të përcjella përmes fotove të Kryqit të Kuq Amerikan, 1919-1920
Nga Albert Vataj
Nëse nuk do të ishin këto foto, do të ishte e pamundur të përkufizoje qartë se cila ishte Shqipëria e fillimshekullit të shkuar. Ndoshta këto fokusime janë më të spikaturat e panoramës së mjeruar, dhe mund të mos përbëjnë përgjithësim të gjendjes në të cilën ishin shqiptarët e asaj kohe, por ajo që gjeti ky mision humanitar, ajo që pa dhe ajo me të cilën u përballën ata, ishte e trishtueshme.
Siç dihet, më 3 prill 1919 mbërriti në Shqipërinë e drobitur nga varfëria, skamja dhe udhëkryqja e fatit, një nga misionet humanitare më prestigjioze që njihte koha, Kryqi i Kuq Amerikan. Kryqi i Kuq amerikan erdhi në Shqipëri jo vetëm për të shpërndarë ndihma humanitare, poe edhe për të ofruar asistencë mjekësore, ilaçe dhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës sociale, kryesisht asaj higjeno-sanitare.
Historia e seciles foto është sintezë e ngjarjeve ngjethëse që përfaqësuesit e Kryeqit të Kuq Amerikan përcollën përmes fotove, si e vërteta e trisht e Shqipërisë së 1919-1920, kohë kur ky mision humanitar erdhi në vendin tonë për të zbutur sadopak dhe për të kthyer shpresën.
Këto dy motra të gjora kanë ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të mbërritur në Tiranë. Në kryeqytet, shumica e fshatarëve erdhën për të gjetur shpëtimin. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe për të shmangur verbërinë e plotë i duhej një ilaç që u shpërnda nga Farmacia e Kryqit të Kuq të SHBA-së në Tiranë. Histori prekëse shqiptare e ruajtur në një foto në Bibliotekën e Kongresit në Uashington.
Motrat kishin sjellë dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan si shpërblim për vizitën dhe mjekimin. Sepse kjo ishte mënyra e vetme, me të cilën paguhej një shërbim. Fshatarëve u duheshin dhënë gjërat e pakta më të mira, për të lexuar apo shkruar një letër, për të këmbyer mallë me mallë, për të jetuar siç thjeshtë nuk mund të imagjinohej.
Po, ishte koha kur në Shqipëri kishte një krizë të rëndë ekonomike. Njerëzit vdisnin shpesh nga varfëria dhe kriza kishte pllakosur Shqipërinë, një plagë e pakuruar të kushtonte një gjymtyrë apo jetën. Luftërat e gjata, tranzicioni i vështirë politik dhe mosmarrëveshjet e mëvonshme të qeverive shqiptare, paqëndrueshmëria dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të fuqive të huaja pothuajse e kishin kthyer situatën shqiptare në kolaps. Në qytet situata ishte tragjike. Në fshatra situata ishte pak më ndryshe.
Me gjithë prapambetjen që ekzistonte në fshatin shqiptar, duke u marrë me ekonominë e tyre familjare, situata ishte disi ndryshe. Dhe siç ishte zakon gjithmonë në Shqipëri që mjeku konsiderohej zot dhe stimulohej, vajzat e mjera fshatare kishin marrë pak gjëra me vete. Kur mjeku tha se ilaçi ishte falas, ata refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Kjo histori e vërtetë shqiptare që flet shumë për karakterin dhe moralin, së bashku me fotografinë, ruhet në Bibliotekën e Kongresit në Uashington.
Kujtojmë se më 1919, me kërkesën e qeverisë shqiptare, Kryqi i Kuq Amerikan mbërrin në Shqipëri për të shpërndarë ndihma humanitare; vendi ishte rrënuar nga Lufta e Parë dhe varfëria e skajshme. Kryqi i Kuq i vendosi zyrat kryesore në Tiranë dhe ngriti qendra të tjera në Durrës, Shkodër dhe Elbasan, të cilat u pajisën me mjekë, infermiere, dentistë dhe personel tjetër ndihmës. Shumica e furnizimeve me ushqime, barna dhe veshje u sollën me anije në Durrës, ndërsa spitale e klinika u ngritën në çdo qendër. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Kryqi i Kuq Amerikan hapi edhe shkolla fillore të pajisura me libra, fletore dhe mjete të tjera mësimi, si dhe morri në punë, me pagesë, arsimtarë shqiptarë.
Kryqi i Kuq amerikan që shoqërohej nga staf i kualifikuar dhe vullnetarë të apasionuar, i vendosi zyrat kryesore në Tiranë dhe ngriti qendra të tjera në Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Këto qendra u pajisën me mjekë, infermiere, dentistë dhe personel tjetër ndihmës. Shumica e furnizimeve me ushqime, barna dhe veshje u sollën me anije në Durrës, ndërsa spitale e klinika u ngritën në çdo qendër. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Kryqi i Kuq Amerikan hapi edhe shkolla fillore të pajisura me libra, fletore dhe mjete të tjera mësimi, si dhe mori në punë, me pagesë, arsimtarë shqiptarë. Shquan për një kontribut të vlertë në ndihmën e kryerjes së punës së këtij misioni edhe shumë burra dhe gra, jo vetëm si përkthyes por edhe si njohës dhe urëlidhës me mentalitetin, kodet zakonore dhe normat fetare të njerëzve që merrni shërbim dhe përfitonin ndihmë nga ky mision.
Ra në sy sidomos përkujdesja e veçantë për fëmijët jetimë dhe lufta për zbutjen e varfërisë në një vend që sapo kishte dalë i dërrmuar nga një luftë shkatërrimtare, e cila kombinohej me aktivitete plotësuese, sikurse ishte ngritja e kampeve të hapura për fëmijët dhe mësimi falas i gjuhës angleze. Ky mision arriti të shërojë sadopak plagën lënguese të varfërisë dhe skamjes, por dhe të shpërndante dije dhe besim te mirësia, humaniteti dhe shërbesa.