Historiani grek: Ilirët janë popull i lashtë, shqipja më e vjetër se latinishtja
Në shumë raste faktet e dokumentuara rreth shqiptarëve ndër shekuj janë lexuar subjektivisht nga historianët grekë. Edhe pse mbetet i ndikuar nga nacionalizmi i zakonshëm i historianëve grekë, Dhimitri Bethanis pranon se ilirët janë të lashtë, po aq sa grekët.
Një fakt i pakundërshtueshëm historik, por i pranuar hapur nga një historian grek, përbën risi.
Në kundërshtim nga historianët e tjerë grekë ai e sheh figurën e Skënderbeut si shqiptare, duke dalluar elementin përbashkues të heroit tonë kombëtar. Sipas historianit, Skënderbeu bashkoi grekët e shqiptarët kundër armikut të përbashkët, Turqisë.
Bethanis thekson idenë që Shqipëria dhe Greqia përgjatë gjithë historisë kanë qenë vende vllazërore, ndërsa shprehet se janë disa historianë të paditur shqiptarë dhe grekë që po krijojnë armiqësi të kota.
Sipas tij, ilirët janë të lashtë dhe gjuha shqipe është më e vjetër se latinishtja, por ai sajon disa ura komunikimi, kur komenton alfabetin. Ai shprehet se shqiptarët nuk kanë pasur alfabet dhe deri në krijimin e alfabetit që njohim sot, kanë përdorur shkronjat greke. Por, kjo ka gjasë të jetë e pavërtetë. Nëse i referohemi teorisë së Aristidh Kolës që thotë se “shtrati iliro-helen është i përbashkët, ai pellazgjik”, mund të dalë e vërtetë e kundërta, pra që alfabeti grek të jetë pellazg, pse jo ilir.
Megjithatë dokumentet për të faktuar njërën apo tjetrën tezë, nuk ka si gjenden në thellësi të kohëve mijëra vjet të lashta.
Historiani grek, Dhimitri Bethanis flet edhe për elemente të tjera përbashkuese mes Greqisë e Shqipërisë, të cilat edhe pse janë të rreme nuk vënë në dyshim faktin më të rëndësishëm historik, që edhe Bethanis thekson në këtë material: Ilirët janë popull i lashtë.