Historiani francez Gustave Glotz: “Dyndja Dorike erdhi nga Shqipëria… Akejtë dhe Dorët ishin fise nga Iliria
Dyndjet Dorike (1200 p.e.s)
Duke u vetëshpërndarë, akejt ishin zgjeruar rrezikshëm në një mënyrë të dobët. Duke shkuar në çdo breg të Mesdheut, ata lanë shumë boshllëqe pas tyre. Gradualisht grupe të së njëjtës racë [me akejt], që flisnin një dialekt të së njëjtës gjuhë dolën prej Ilirisë dhe kaluan nëpër Pind, duke zbritur gjithnjë e më tepër drejt jugut. Dorët po hynin në histori. Rreth 1200-s, ky infiltrim i ngadaltë u shndërrua në një dyndje. Mbase ai u spraps për njëfarë kohe; kalatë e Mikenës duhet të kenë bërë detyrën që pritej prej tyre. Por Heraklidët [bijtë e Herakliut, sic quheshin dorët] u kthyen triumfues me ushtritë e tre fiseve të tyre. Disa ndoqën rrugët e Perëndimit dhe pushtuan Epirin, Etolinë, Akarnaninë dhe Elisin; të tjerët, duke përparuar nga Lindja, nënshtruan Fokisin, Korintin, Argolisin, Lakoninë dhe Mesenian. Në Peloponez, akejt u detyruan që, ose të nënshtroheshin, ose të strehoheshin maleve të Arkadisë. Pas kontinentit u erdhi radha e ishujve jugorë: Melosi dhe Thera, Kreta, dhe pastaj Karpatosi, Kosi dhe Rodi ranë pre e zaptuesve.
Egërsia e këtij sulmi nga gjithkah, shpërndau fluturimthi te njerëzit, llahtar. Pati trazira e ngjeshje të egra. Të pushtuarit kërkonin shtëpi të reja me çdo kusht dhe ata u bënë të tmerrshëm për të tjerët. Turbullirat ishin të zakonshme. “Ishujt nuk gjenin paqe”, thotë një dokument i Rameses III; dhe po kështu ishte pjesa kontinentale. Shumë akej kërkuan strehim te vëllezërit e tyre në Atikë. Një rrymë e fortë emigrimi lindi në tërë Azinë e Vogël dhe transformoi civilizimin e saj. Ionia priti akejt e çdo vendi, përfshirë këtu, pa dyshim, popullsi nga Pylosi. Delosi u bë qendra religjioze e kësaj Akaie atiko-ioniane. Rreth së njëjtës kohë, mushki, frigjianët, rrëzuan hititët dhe morën kryeqendrën e tyre, Pterian; ishte fundi i një fuqie e cila kishte kundërpeshuar atë të faraonëve dhe që sprapsi atë të asirianëve. Një dinasti e heraklidëve u bë sunduese e Lidisë.
Dhe pastaj një masë egjeasish, përfshirë “pelestët” ose “kheretimët” (kretanët) dhe “zakaritë” (teukrët ose burrat nga Zakro) u shfaqën në kufijtë e Egjiptit. Kishin ardhur nga toka dhe nga deti, me gratë e fëmijët e tyre të grumbulluar tog mbi qerret me buaj. “Nuk kish njeri që t’i mbante!”. Rameses III ia doli t’i ndalojë në Magadil, por nuk mundi t’i pengojë ata që të vendosen në vendin që mori nga palestët emrin Palestinë (1193). Ajo që ndodhi me botën mikenase, pas pushtimit të 1200-s, nuk mund të krahasohet në asnjë mënyrë me atë që i kishte ndodhur Kretës, dyqind vjet më parë. Akejtë, të përshtatur me civilizimin kretan, kishin ruajtur trashëgiminë e tij, edhe pse e lanë që të mpaket. Dorët, të ardhur nga egërsia e Shqipërisë [“Albania”, sic!], shkatërruan gjithçka mbeti prej tij.
Kalimi i tyre, nga Korinti në Spartë, u shënua nga një vazhdë rrënojash. Në Kretë portet u braktisën, për të kapur majat në brendësi, dhe mbetjeve të mjeruara të Knososit iu dha flaka. Kësaj radhe, për qytetin që dikur ishte “Zonja e Mesdheut”, gjithçka kishte mbaruar, me të vërtetë; mbi rrënojat e nxira, të varrosura nga shekujt, tre mijë vjet do të kaploheshin nga heshtja e vdekjes. I gjithë ky shkatërrim, nuk ishte, jo!, shenjë e një stuhie lokale e të përkohshme, por ishte shenjë e një kataklizmi universal dhe përfundimtar. Civilizimi i bukur i Bronzit ra, kur u shfaq Hekuri.
Si përfundim:
Logjikisht Iliria është themeli i lavdisë së “Greqisë” së lashtë … Dyndja Dorike erdhi nga “Shqipëria” siç shprehet tekstualisht Glotz, Akejtë dhe Dorët ishin fise nga Iliria. Dyndja ilire e vitit 1200 p.e.s, mori para Akejt, Hititët etj., dhe ndali në Egjipt. Ramsesi thoshte për ta: “Nuk ka burrë që t’i mbajë.”
Filmat hollivudianë me spartanë dorë “grekë” që luftojnë me persë, janë mitologji moderne politike, realizuar artistikisht për zbavitje, por që në pavërtetësinë e tyre i shërbejnë gjeopolitikës së sotme në rajon. /Përgatiti Elis Buba /usalbanianmediagroup
Ref. —————————
Titulli: The Aegean Civilization
Autori: Gustave Glotz
Botimi i parë: Routledge & Kegan Paul Ltd. 1923
Gustave Glotz (17 shkurt 1862, Haguenau, Bas-Rhin – 16 prill 1935, Paris) ishte një historian francez i Greqisë së lashtë. Ai ishte një mbështetës i teorisë se historia nuk ndjek kurrë një kurs të thjeshtë dhe logjik. Më 1920, ai u bë anëtar i “Académie des inscriptions et belles-lettres,” dhe u emërua president i saj në 1928. Veçanërisht shënohet puna e tij mbi historinë ekonomike të Greqisë dhe qytetërimit të lashtë.