Historia e panjohur e shkencëtares së famshme, që u pushkatua nga Enver Hoxha

Nga Dr. Ledia Dushku dhe Doris Pasha

Artikulli ‘Regjimi komunist dhe studiuesi’: rasti i biologes Sabiha Kasimati, ka si qëllim të paraqesë aspekte thelbësore të veprimtarisë së Sabiha Kasimatit, si intelektuale dhe studiuese, të vendosura në kontekstin historik të kohës. Analiza në radhë të parë synon, t’i japë përgjigje pyetjes, se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Sabiha Kasimati, para vendosjes së regjimit komunist, për të kuptuar në vijim sjelljen e regjimit karshi saj. Paraqitja në disa këndvështrime e personazhit, ndihmon lexuesin të kuptojë deri në çfarë mase sjellja e regjimit ndaj intelektualit, kushtëzohej nga veprimtaria shkencore, tiparet e profilit psikologjik, apo marrëdhënia me drejtuesit e lartë komunistë, në rastin e Sabiha Kasimatit me vetë Enver Hoxhën.

Materiali është konceptuar në një qasje kronologjike, ndërkohë që aspektet problemore, bëhen pjesë e kronologjisë përkatëse. Burimet kryesore arkivore të shfrytëzuara në përpilimin e profilit të Sabiha Kasimatit, janë: dokumentet e Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë, pjesë e fondeve të Ministrisë së Arsimit, Liceut Kombëtar të Korçës, Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, fondeve të Partisë (Strukturat dhe Organet Udhëheqëse), Kryeministrisë; dokumentet e dosjes së hetuesisë së të akuzuarve për bombën në Legatën Sovjetike dhe ato të dosjes formulare, të Eqrem Çabejt, konsultuar pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Të vlefshme për këtë punim, kanë qenë materialet e revistës së Institutit të Studimeve/Instituti i Shkencave; literatura mbi totalitarizmin, mbi komunizmin në Shqipëri dhe vendosjen e bombës në Legatën Sovjetike.

Dokumentacioni i munguar i Sigurimit të Shtetit për Sabiha Kasimatin, nuk ka dyshim se do ta kishte pasuruar profilin në fjalë. Njëkohësisht, një qasje më favorizuese për studiuesin e legjislacionit për konsultimin e arkivit të AIDSSH-së, do të shërbente për të realizuar plotësisht atë që në gjuhën shkencore njihet si, kërkim i tërthortë, në saje të të cilit do të zbuloheshin të dhëna plotësuese për Kasimatin, nga dosjet e personazheve të survejuara, pjesë e rrethit të saj shoqëror. Realizimi i plotë i këtij kërkimi, do të shërbente për të kuptuar më gjerë dhe më thellë anën e errët të regjimit komunist në marrëdhënie me individin/studiuesin në përgjithësi dhe Sabiha Kasimatin në veçanti.

Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri dhe sjellja ndaj elitës

Pas Kongresit të Përmetit të majit 1944, rruga drejt pushtetit për Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSH), dukej se ishte jo fort e largët. Rezistenca kundër pushtuesve dhe pas nëntorit të vitit 1944, fitorja ndaj tyre, u dhanë komunistëve kredite jo të pakta popullariteti, duke lehtësuar kështu ngritjen e tyre në pushtet. Pavarësisht kësaj, komunistët shqiptarë nuk ndiheshin fort të sigurt në rrugën e tyre, si të vetëm drejt legjitimimit të pushtetit.

Më 17 tetor 1945, u zhvillua Plenumi IV-ët i Komitetit Qendror të PKSH-së, i cili analizoi situatën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Enver Hoxha, në referatin e tij ‘Mbi situatën e brendshme dhe të jashtme’, theksonte se; “reaksioni jonë (opozita kundër PKSH-së) nuk i kishte rrënjët në ujë”. Sipas tij, situata ndërkombëtare kishte nxitur “reaksionin”, për t’u organizuar dhe për të krijuar një lëvizje opozitare.

Ai konsideronte si opozitarë të mundshëm, popullsinë e Veriut të Shqipërisë, e cila ishte tërësisht nën influencën e krerëve fisnorë; elementët e pakënaqur nga reformat e ndërmarra nga Qeveria Provizore Demokratike; Klerin Katolik; “shtresat e intelektualëve të pasqaruar dhe që kanë qenë ose janë në pozitat e armikut, ose në indiferencë, shtresat e tregtarëve të mëdhenj që i kanë goditur tatimet e fitimeve të jashtëzakonshme, spekulatorët e përhershëm, shtresat e bejlerëve dhe të agallarëve, që i ka prekur ligji i Reformës Agrare dhe rreth këtyre, me siguri mund të grumbullohen në rast se ne s’punojmë drejt dhe nuk zbatojmë si duhet vijën e Frontit, të gjithë ata elementë indiferentë të papërzier me politikë dhe që nuk arrijnë të kuptojnë si duhet manovrën e reaksionit dhe përpjekjet tona në këtë situatë të vështirë”.

Në të tillë situatë, u ndoq një politikë e ashpër dhe represive ndaj atyre që konsideroheshin rivalë prej komunistëve. Krijimi i ‘Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës’, ku u arrestuan dhe u vranë shumë kundërshtarë, lufta ndaj komuniteteve fetare, masat drastike ndaj shtresave të pasura dhe ashpërsimi në tërësi i luftës së klasave, ishin politika që regjimi kishte vendosur t’i ndiqte, për të siguruar me çdo kusht pushtetin e komunistëve.

Ndërkohë, deklarimi i ndërkombëtarëve në Jaltë, për të njohur vetëm ato autoritete “në të cilat të përfaqësohen gjithë elementët demokratë të popullsisë [dhe] që ndërmjet zgjedhjeve të lira, duhet sa më shpejt të formojnë qeveri që i përgjigjen vullnetit të popullit”, si dhe frika nga “armiku fqinj jugor”, ndikuan që Enver Hoxha, të shkonte në zgjedhje, të cilat do t’i zhvillonte duke kontrolluar çdo mjet informacioni dhe propagande.

Studiuesi Afrim Krasniqi, shprehet se: “Në rrethanat ku ndodhej vendi, me kundërshtarë politikë të detyruar të emigrojnë, me politikanë kritikë të arrestuar apo të internuar, me pronarë të shpronësuar, me komunitete fetare të sulmuara ashpër dhe me një makinë të fuqishme propagande, regjimi vendosi të zhvillojë zgjedhjet…, i sigurt se as teorikisht, nuk kishte më shanse për refuzimin e tij”.

Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. u zhvilluan më 2 dhjetor 1945 dhe pa ndonjë surprizë, ato u fituan nga Fronti Demokratik. Nëpërmjet tyre, Enver Hoxha kreu lëvizjen përfundimtare, që i duhej atij dhe PKSH-së, për të krijuar legjitimitetin ndërkombëtar dhe për të marrë pushtetin përfundimisht. Marrja e pushtetit “de jure”, nga komunistët dhe zhdukja e opozitës, e ktheu PKSH-në në partinë e vetme politike në Shqipëri. Shpallja e vendit Republikë Popullore, miratimi i Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë, më 14 mars 1946 dhe njohja që i dhanë zgjedhjet qeverisë së Hoxhës, legalizuan vendosjen e pushtetit të PKSH-së, ndonëse ajo vazhdonte të fshihej nën hijen e Frontit Demokratik.

10 vitet që do të vinin më pas, do të ishin vitet ku regjimi do të kërkonte të konsolidohej dhe si të tilla, do të shoqëroheshin me një propagandë dhe terror totalitar. Ndërtimi i shtetit të diktaturës, bazohej në dhunë sistematike, nëpërmjet së cilës shumë njerëz janë masakruar, vrarë e internuar. “Terrori, -shprehet studiuesja e totalitarizmit, Hannah Arendt, – bëhet total atëherë kur ai përveç opozitës, fillon dhe shtyp shoqërinë, pjesë e së cilës janë edhe intelektualët”. Krijimi i një shoqërie homogjene, është një ndër aspektet kryesore të totalitarizmit që nëpërmjet propagandës, nuk tenton vetëm të ndikojë dhe të ndryshojë jetën e individit, por futet edhe në familje, në intimitetin e tij, duke shkatërruar çdo aspekt të individualitetit njerëzor.

“Si pjesë e pandashme e ideologjisë totalitare, terrori dhe dhuna nuk u nënshtrohen rregullave të arsyes së zakonshme”, – shprehet studiuesja tjetër e totalitarizmit, Cantall Millon Desol. – “Ato realizohen përmes një aparati policor të bindur deri në verbëri dhe të mirë-disiplinuar, i cili nuk mjaftohet vetëm me dënimin e të akuzuarit, por duhet ta bëjë atë të pranojë gabimet. Nuk ekziston parti tjetër përveç partisë-shtet dhe çdo kundërshtim apo mendim kundër linjës ideologjike të partisë dënohet rëndë”. Krahas etjes për pushtet, terrori ushtrohet edhe nga tendenca për të krijuar “njeriun e ri”, që duhet të jetë i denjë për shoqërinë komuniste, e konsideruar si e përsosur. Në këtë kuadër, moment i rëndësishëm konsiderohej puna me elitën.

Për regjimin komunist në Shqipëri, në fazën e parë të tij, përqendrimi i vëmendjes në procesin e formësimit të një elite të re intelektuale, e perceptuar e tillë jo për shkak të moshës, por brumosjes ideologjike, konsiderohej moment i rëndësishëm. Kjo elitë në një të ardhme të afërt do ta ndihmonte atë në vendosjen e paqes së brendshme dhe në rezultat final do të kryente ndërtimin e socializmit. Krahas pjesës rishtare, që do të shkollohej në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Demokracive Popullore, elita e re nënkuptonte edhe reformimin e elitës së vjetër dhe edukimin e saj, me idetë e marksizëm-leninizmit.

Elita e vjetër, e arsimuar në Perëndim, me parime dhe ideologji të ndryshme nga ajo komuniste, që nuk ishte dakord me formën e regjimit që po vendosej, konsiderohej nga Enver Hoxha dhe drejtuesit më në zë komunistë shqiptarë, si rrezik potencial.

Si e tillë, ajo duhej “reformuar”, që të bashkëpunonte me regjimin, në të kundërt konsiderohej e rrezikshme dhe duhej “eliminuar”. Mënyra se si regjimi komunist u soll ndaj biologes Sabiha Kasimati, përfaqëson një model sjelljeje tepër të ashpër të shtetit karshi studiuesit, në përpjekje për të eliminuar atë, që për të konsiderohej kundërshtar politik dhe “armik i pushtetit popullor”, me rrezikshmëri të lartë.

Kush ishte Sabiha Kasimati dhe çfarë përfaqësonte ajo?

Sabiha Kasimati u lind në Edirne (Turqi e sotme), më 15 shtator të vitit 1912. Në vitin 1927, familja u vendos në Korçë. Kasimati vinte nga një familje intelektuale, ku i ati, Abdurrahmani, ishte doktor i njohur për kohën. Petro Luarasi, i cili është një nga të paktët që e kanë studiuar figurën e Sabiha Kasimatit, e përshkruan kështu rrethin e saj familjar: “Ajo u mëkua, u rrit dhe u edukua si shqiptare e kulluar në vatrën e një familjeje të madhe në numër dhe vlera, me farefis të gjerë dhe lidhje të thella, me kontribute atdhetare, kulturore e shkencore…, u mëkua me dashuri për atdheun e të parëve të saj libohovitë, diturinë dhe vlerat universale”!

Shkollimi në Liceun Kombëtar të Korçës (1928- 1931) ishte një moment i rëndësishëm në formësimin e Sabiha Kasimatit. Do të ishte Liceu ai që, krahas familjes, do të ndikonte jo vetëm në formimin profesional, por edhe në mbrujtjen e karakterit të saj. Kjo nuk ishte e rastësishme, sepse Liceu kishte një trupë mësimore të përbërë nga pedagogë të kualifikuar shqiptarë dhe francezë, një program mësimor ku nxënësit, përveçse njohurive shkencore, merrnin njohuri për edukatën morale si pjesë shumë e rëndësishme e jetës njerëzore, ndiqnin aktivitetet kulturore duke frekuentuar kinematë e qytetit, kishin lirinë e mendimit dhe formoheshin si qytetarë perëndimorë.

Si liceiste, Sabiha Kasimati ra në sy për zgjuarsinë, vullnetin, natyrën e saj çapkëne e të çlirët dhe rezultatet e larta në mësime. Por kjo ishte njëra anë e së kaluarës së saj, që lidhej me Liceun, ana tjetër kishte të bënte me rrethin e njohjes aty. Ekziston mundësia që pikërisht në Lice, Kasimati të ishte njohur me Enver Hoxhën, i cili studionte aty Pas përfundimit të Liceut, Kasimati do të punësohej në Shkollën Amerikane të Kavajës (1932-1933), për t’u rikthyer sërish në Lice, më 3 tetor 1933, tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij. Por qëndrimi në Korçë, zgjati vetëm 2 muaj, pasi ajo u detyrua që për arsye shëndetësore, të jepte dorëheqjen. Ministria e Arsimit e pranoi dorëheqjen dhe e transferoi në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, si mësuese të gjuhës frënge.

Këto do të ishin eksperiencat e para të punës së Sabiha Kasimatit, derisa të niste studimet në Itali, në vitin 1936, me bursë të plotë nga shteti shqiptar, e përgjysmuar që prej shkurtit 1937. Ajo studioi për biologji në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë në Universitetin Mbretëror të Torinos dhe u diplomua në qershor të vitit 1940. Teza e diplomës mbante titullin “Fauna Ittica d’acqua dolce dell Albania” (“Fauna iktiologjike e ujërave të ëmbla të Shqipërisë”).

Gjatë kohës si studente në Torino, Sabiha Kasimati nënshkroi një kërkesë drejtuar Ministrisë shqiptare të Arsimit, me anën e së cilës disa studentë shqiptarë, kërkuan dhënien e provimeve edhe në sezonin e vjeshtës. Në kushtet e problemeve me gjuhën italiane, lëndët e vështira dhe mungesën e teksteve, sezoni i verës konsiderohej prej tyre i pamjaftueshëm për të kryer plotësisht detyrimet shkollore. Nënshkrimi i kërkesës, tregon edhe një anë të karakterit të vajzës së Kasimatëve, guximin për të kërkuar të drejtat e saj. Kjo e bën atë, përveçse të zgjuar dhe inteligjente, edhe një njeri të vendosur, për të ngritur zërin, për të reaguar kundrejt asaj që ajo e konsideronte si padrejtësi.

Pasi u kthye nga Italia, Sabiha Kasimati, më 13 nëntor 1940, doli fituese në konkursin e shpallur për postin e ndihmës-sekretares, në personelin e administratës arsimore. Pasi kaloi periudhën e provës, ajo u emërua ndihmës-sekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941, filloi punë. Statusi i saj ndryshoi shpejt, kur më 17 nëntor të vitit 1941, u bë pjesë e trupës mësimore të Shkollës Normale Femërore “Nana e Skanderbeut”, (ish-Instituti “Nana Mbretneshë”), si mësuese e shkencave, kimisë dhe higjienës. Arsyet shëndetësore e detyruan në maj të 1943-it, të largohej nga mësimdhënia dhe të shtrohej në spital në Itali. Sabihaja ishte shëndetligë dhe vuante nga tuberkulozi. Ajo u nxor “në prituni”, për një vit, deri në maj të 1944-ës.

Pavarësisht se nuk ishte pjesë aktive në procesin mësimor, gjatë periudhës së “pritunies”, ajo mori rrogë të plotë, e cila tashmë ishte 200 franga në muaj, pasi kishte kaluar në gradë X-të, të grupit A. Mos-përmirësimi i gjendjes shëndetësore, ndikoi që Kasimatit t’i zgjatej pritmëria, deri më 1 maj të 1945-ës. Gjatë kësaj kohe, ajo do të gëzonte jo më një pagë të plotë mujore, por gjysmën e saj. Nuk mund të lihet pa u përmendur fakti që ekziston një vendim, gjatë kohës që Sabiha Kasimati ishte në kurim në Itali, që e gradoi atë nga profesoreshë e klasit IV-ët, në profesoreshë të klasit II-të, grupi A, me pagë mujore 260 franga.

Nga sa më sipër, kuptojmë që Sabiha Kasimati, ka qëndruar 2 vjet në pritmëri dhe vitin e parë, është paguar me pagë të plotë, ndërkohë që vitin e dytë, është rritur në gradë, pa qenë mësuese aktive në Institutin Femëror “Nana e Skanderbeut” dhe është paguar me gjysmë page. Kjo na bën të mendojmë që në këtë periudhë, ajo gëzonte një status të privilegjuar.

Fillesat në rrugën e shkencës

Marrëdhëniet e Sabiha Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri, nisin në janar të vitit 1943. Gjatë kohës që punonte si mësuese në Institutin “Nana e Skanderbeut”, ajo pati një bashkëbisedim me Ernest Koliqin, kryetar i Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, themeluar si Institut i Studimeve Shqiptare, në prill të vitit 1940. Marrëdhënia e saj me Koliqin, i kishte fillesat më herët, në periudhën e shkollimit në Itali, kur, sikurse vetë Kasimati shprehej: “Shkëlqesa e Juaj më përkrahu, si Titullar i Arsimit, që ishit”. Menjëherë pas bashkëbisedimit, ajo i dërgoi një letër/raport, kryetarit të Institutit, prej nga ku kuptojmë edhe arsyen e takimit.

Sabiha Kasimati i paraqiti Ernest Koliqit një projekt mirëfilli shkencor, nëpërmjet të cilit ajo kërkonte që pranë Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, të formohej “një koleksion zoologjik, tue filluar nga Dega e Iktiologjisë”, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; të përgatitej “një erbario mbasi flora shqiptare, siç dihet, ka provuar interesimin më të gjallë të botanistëve më të shquar, sidomos gjerman dhe t’Europës përgjithësisht”; të grumbulloheshin “në bashkëpunim të ngushtë dhe me Drejtorinë e Minjerave pranë Ministrisë s’Ekonomisë, llojet e ndryshme të mineraleve dhe të fosileve që gjinden në shtresat e tokës në Shqipni”.

Memorie.al

Scroll to Top