Historia e panjohur e djalit dhe e nipit të Skënderbeut nga arkivat e Venecies
Emri dhe fama e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e kthyen heroin në një referencë historike dhe element identifikimi kombëtar e kulturor për shqiptarët e të gjitha kohërave, etë gjitha viseve, e të gjitha besimeve.
Po çfarë ndodhi me pasardhësit e tij?
Historiani Pëllumb Xhufi në një shkrim në gazetën DITA flet për fatin e djalit dhe nipit të Skënderbeut.
Në fakt, asnjë prej tyre nuk e pati gjeninë e Skënderbeut e nuk u ngrit dot në lartësinë e kryeparit.
I biri, Gjon Kastrioti, në vitin 1481 u dërgua në Shqipëri nga mbreti Ferrante i Napolit për të ndezur aty zjarrin e kryengritjes antiosmane.
Por dështoi.
I biri i Gjonit, që kishte emrin e gjyshit, Gjergj ishte i dhënë pas jetës mondane, i pëlqente të shpenzonte e të vishej bukur.
Aji i propozoi Senatit të Venedikut ta mbështeste financiarisht për të kryer në Shqipëri një ekspeditë ushtarake:
Pas debatesh të gjata e të ndezura, në mars 1501, Senati e mori vendimin për nisjen e ekspeditës.
Por ekspedita e Gjergjit të ri nisi dhe mbaroi me pushtimin pa luftë të Ishull-Lezhës, të cilën, ai e ktheu në një “rezidencë” mondane, ku priste e përcillte përfaqësues lokalë dhe zyrtarë osmanë.
Sipas kronikanit venedikas Sanudo, mjaftonte një shenjë e gruas, dhe Gjergji linte përgjysëm çdo bisedë “shtetërore” për t’ia kushtuar asaj gjithë vëmendjen e vet.
Ndër pasardhësit e Skënderbeut në diasporën italiane, më i denjë për emrin e lavdishëm që mbante, edhe pse nuk i përkiste linjës së drejtpërdrejtë të familjes, ishte Alfonsi.
Në zonën e Labërisë e të Himarës e njihnin mjaft mirë, pasi ai forcoi lidhjet me ta dhe organizoi aty operacione zbulimi e deri kryengritje të armatosura kundër osmanëve.
Por djali i tij, Antoni, qëlloi plangprishës. Pasi e shkriu pasurinë në festa mondane e duke bredhur nëpër botë, gjeti vdekjen në Venecie gjatë Karnevaleve të vitit 1549 i qëlluar për vdekje me shpatë pas një sherri për një grua.
Kjo vdekje tragjike do të mbyllte, në mënyrë melankonike, historinë e Kastriotëve të Italisë.
Por dokumente të viteve 1601-1605 të Arkivit të Venecies, të gjetura së fundi, na njohin me një pinjoll të panjohur të Kastriotëve. Bëhet fjalë për Françesk Kastriotin, një kapiten i shquar në shërbim të Venedikut kundër uskokëve.
Uskokët ishin piratë kroatë të ashpër dhe mizorë që sulmonin anijet tregtare veneciane.
Këta të fundit ngritën kundër tyre një ushtri speciale e cila drejtohej nga dy shqiptarë, Pal Gjini, me gradën gjeneral dh kapiteni Francesko ose Franko Kastrioti.
Formacioni anti-uskok i Shqiptarëve, që arriti numrin e 800 luftëtarëve, i sulmoi uskokët në çerdhen e tyre, në Senjë dhe i shkatërroi ata sipas kronikave veneciane.
Në sistemin e arkivave, posaçërisht atyre të Venecies, ka të dhëna të tjera për pasardhës të Kastriotëve që pritet të zbulohen.