Hartë e rrallë: Fiset shqiptare në Mal të Zi në kohën e princit, Petër Njegushit II (1830-1851)
Aristokrati nga fisi i Vasojeviqëve, Nikolla, ose siç e quante vetëm me sqimë në frëngjisht ‘Prince des Wassoevitch’, ka lënë pas një mal përsiatjesh për viset kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Fryt i penës së tij janë jo pak shënime interesante në frëngjisht në lidhje me gjendjen e fiseve shqiptare brenda Malit të Zi të vjetër në kohën e princit, Petër Njegushit II (1830-1851). Portali konica.al publikon një hartë interesante të vitit 1839 që ka si autor vetë princin e Vasojeviqëve.
Duke njohur në mënyrë intime fiset shqiptare, ai ravijëzon vendndodhjen e kuçëve, palabardhasve, piperëve, hotëve, krasniqëve dhe vasojeviqëve. Katër fiset e fundit, sipas shënimeve të Nikollës, e hiqnin origjinën e tyre nga një i parë i përbashkët. Në origjinal harta mban diçiturën përshkruese “Hartë e fiseve të pavarura dhe luftarake të Shqipërisë”.