“Gjithçka nisi pasi më shpëtoi mamanë” njihuni me Lola Toromanin, mjeken popullore që ecën në hapat e dr.Arqile Botit
Lola Toromani merret prej shumë vitesh me mjekësinë alternative dhe përdorimin e bimëve për probleme të caktuara shëndetësore. E ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ajo rrëfeu se si filloi të merrej me njohjen e bimëve pasi iu sëmur mamaja.
Ndërsa mjekët nuk i kishin dhënë shpresa për jetën për shkak se vuante nga gurët në tëmth, Toromani tregoi se mjeku i njohur Arqile Boti i dha asaj një ilaç bimor që e shpëtoi nënën e saj nga vdekja. Pas kësaj, nisi edhe rrugëtimi në mjekësinë alternative, për të cilën u frymëzua nga Boti.
“E kuptova se përderisa mjeku të thotë se nuk ka më shpresa, atëherë vrapoja dhe nuk dija se kë të takoja. Në moment, mblodha forcat dhe thashë: Arqile Boti. E mora mamanë pa fletëdalje dhe e çova në shtëpi pasi kishte gurë në tëmth. Gjendja ishte e fundit. Gjetëm adresën e Botit. Erdhi. I dha një ilaç bimor me pika. Në fillim merrte dy pika dhe kishte aromën e bimëve. Sapo e piu herën e parë, hapi sytë dhe filloi të pinte nga pak kështu. Mamaja jetoi deri para një viti. Pas dy vitesh, që u qetësua gjendja, i hoqën tëmthin. Më pas u dhashë totalisht pas studimeve. Lexoja çdo gjë për bimët dhe filloja të rrija më pranë Arqile Botit. Ai thoshte sëmundjen, unë gjeja bimën. Ndërkohë që ai gjente diagnozën, unë i kisha studiuar bimët. Jepte bimë dhe falas, edhe librat i shpërndante gjithashtu falas. Dhe kështu filloi.”, -u shpreh mes të tjerash mjekja popullore.
Toromani tregoi se ka pasur probleme me veshkat pasi kur ka qenë e vogël ka rënë nga kati i tretë. “Mua më kanë ndihmuar sepse kam vuajtur me veshkat. Kur kam qenë e vogël, kam rënë nga kati i tretë dhe kam shpëtuar. Ndërsa veshka e djathtë më është dëmtuar. Unë jetoj më shumë me çajra sesa me ushqim.”, -tha ajo.