FOTO: Pamjet tronditëse të Trebickës së vrarë, GËRDECI siç nuk e kemi lexuar kurrë!
Efraim Diveroli dhe David Packouz ishin dy djem amerikanë me ëndrrën që të bëheshin miliarderë përmes trafikut të armëve. Në një moment të karrierës si trafikantë kompania e tyre AEY arrin të sigurojnë një kontratë qindramilionëshe nga ushtria amerikane për të furnizuar me fishekë ushtrinë afgane të Karzait. Packouz kishte gjetur çmime shumë të leverdisshme te furnitorë hungarezë e çekë por qe Diveroli që këmbëngulte që duhet të vinin në përdorim lidhjet e nivelit të lartë që kishte në Shqipëri trafikanti zviceran, Heinrich Thomet. Në fakt, kjo qe e logjikshme.
Shqiptarët nuk kërkonin depozitimin e ndonjë shume të madhe parash si garanci, gjë që e bënte më të lehtë punën për AEY, që do blinte sasi të mëdha fishekësh. Struktura përmes së cilës AEY blinte municionet shqiptare përmbushte standardet e botës së trafikimit të paligjshëm të armëve, ku gjithë çështja është të fshihet burimi origjinal i mallit, si dhe përdoruesi përfundimtar.
Procedura qe tërësisht legale, vetëm se shtoheshin hallkat e procedimit. Municionin kompania eksportuese shqiptare MEICO ia shiste një kompanie që e kish ngritur aty për aty sekseri zviceran Thomet, që quhej “Evdin” e që bazën e kishte në Qipro. Më pas “Evdin” i shiste fishekët tek AEY.
Kështu edhe Thomet merrte pjesën që i takonte si sekser, po edhe AEY dhe qeveria e SHBA-ve shmangte implikimet që mund të rridhnin prej biznesit me një vend kaq të famshëm për korrupsionin e vet, dhe kaq të paparashikueshëm sa Shqipëria.
Kishte vetëm një problem: Kur Diveroli kishte bërë llogaritë e ofertës për tenderin, nuk kishte arritur të parashikonte kostot e transportit, sepse nuk e kishte parashikuar rritjen e çmimit të naftës. Ushtria amerikane i kishte dhënë leje që t’i paketonte fishekët në kuti kartoni, po kjo s’qe e lehtë të bëhej në një vend aq jofunksional siç është Shqipëria. Kështu që, Diveroli, mori një tjetër shok nga sinagoga e vet, Alex Podrizki, dhe e çoi në Tiranë që të mbikëqyrte në detaj punën që po bëhej.
Po shenjat e rrezikut nuk u zvogëluan as nga mbikëqyrja në terren.
Kur Podrizki shkoi në Shqipëri pa se municioni magazinohej në një bunker, ndërkohë që punëtorët përdornin sëpata për të hapur kutitë me fishekë, pa e hequr nga buza cigaren e ndezur edhe pse dhoma qe e mbushur me barut. Vetë municioni, edhe pse i prodhuar para disa dekadave, dukej në gjendje pune, ama fishekët ishin të paketuar në ca teneqe të ndryshkura e të stivosura në arka druri që po kalbej.
Ç’qe më e keqja, Podrizki vuri re se kutitë e teneqesë ku mbaheshin fishekët që njiheshin prej vendasve si “kuti sardelesh” ishin të mbuluara nga germa kineze. Podrizki atëherë mori në telefon Packouz që ndodhej në Miami dhe i shpjegoi që fishekët ishin prodhim kinez.
Packouz-it sa nuk i ra pika. Jo vetëm që ishte e ndaluar të shiteshin armë të prodhuara në Kinë, po kjo ishte specifikisht e shkruar në kontratën afgane, nuk lejohej furnizimi me municione kineze.
Por ndoshta AEY mund ta vinte në diskutim këtë pikë, sepse municioni ndoshta nuk e shkelte embargon, sepse qe importuar në Shqipëri shumë vjet para se kjo embargo të hynte në fuqi, në kohët kur qeverisja komuniste shqiptare kishte hyrë në aleancë me Maon. Kishte dhe precedentë për një argument të tillë, sepse vetëm 1 vit më parë ushtria amerikane kishte pranuar me shumë kënaqësi municionin kinez që kishte transportuar prej Shqipërisë AEY.
Po kësaj radhe, kur Diveroli i shkroi këshilltarit ligjor të Departamentit të Shtetit për ta pyetur nëse mund të përdorte fishekë kinezë të prodhuara para embargos, mori një përgjigje të prerë: jo pa dekret presidencial. Mirëpo duke patur parasysh afatet e kontratës, tani nuk kishte më kohë që të gjendej një tjetër furnitor. Hungarezët mund të gjenin gjysmën e sasisë së kërkuar, po gjithsesi municioni i tyre nuk do të qe gati deri në vjeshtë. Çekët mund ta gjenin të gjithë sasinë por kërkonin 1 milion dollarë.
Çdo vonesë rrezikonte kontratën. “Ushtria amerikane po na bënte presion për municionet”- thotë Packouz. “Atyre u duhej sa më shpejt që të qe e mundur.”
Kështu që dy miqtë gjetën një rrugë të tretë. Si trafikantë armësh ata s’e kishin problem anashkalimin e ligjit përkundrazi kjo qe rutinë e përditshme për dy djemtë. Madje kishin shpikur edhe një fjalë kod për anashkalimin e ligjit, e quanin “synetllëk”. Kështu Packouz i dërgoi një email Podrizkit që ndodhej ende në Shqipëri dhe e instruktoi t’i paketonte fishekët nga e para, me kuti që nuk kishin shkronja kineze.
Kish ardhur koha për “synetllëk”.
I gjendur vetëm në një qytet të huaj Podrizki bëri atë që mundi. Mori një libër telefonash dhe gjeti një prodhues kutish kartoni që quhej Kosta Trebicka. Dy burrat lanë takim në një lokal pranë Sky Tower në qendër të qytetit. Trebicka i tha Podrizkit që mund t’i ofronte kuti kartoni aq të forta sa të mbanin municionet, e në të njëjtën kohë mund të gjente dhe punëtorë për paketimin.
Një javë më vonë Podrizki e mori në telefon për ta pyetur nëse Trebicka mund të gjente aq punëtorë sa duhen për të paketuar 100 milionë kuti me municion, për t’i nxjerrë nga “kutitë e sardeleve” prej teneqeje dhe për t’i mbyllur në kartonat e reja të sapoporositura.
Trebickës kjo kërkesë iu duk tepër e çuditshme. Pse duhej gjithë kjo punë e kotë? Podrizki i dredhoi pyetjes, duke u përgjigjur se paketimi me kartona ishte i nevojshëm për ta bërë ngarkesën më të lehtë në peshë, e për të kursyer para në transportin ajror.
Pas një pazari të zgjatur, ku u përfshi dhe Diveroli që nga Miami, Trebicka ra dakord që të bënte punën për 280.000 dollarë dhe mori një skuadër me burra që filluan të ripaketonin fishekët.
Ndërkohë që vazhdonte punën në magazinën e municioneve, Trebickës filluan t’i rriteshin dyshimet. Ai mori në telefon ambasadën amerikane dhe u takua me atasheun ekonomik. Ndërkohë që pinin kafe në një bar të quajtur “Chocolate” Trebicka i tha në mirëbesim atasheut që kutitë e municioneve bartnin shenja kineze. Mos vallë qe problem ky?
Po zyrtari amerikan i tha që të mos kishte merak. Ambasada kishte kohë që po kërkonte para për të shkatërruar municionin, kështu që dërgimi i tij në Afganistan do ua lehtësonte punën. AEY deri më tani s’paraqitej si problem.
Mirëpo Diveroli nuk e përmbajti dot tahmanë e vet. Në një telefonatë nga Miami ai i kërkoi Trebickës që të përdorte kontaktet e veta në qeveri për të marrë vesh se sa e blinte municionin në të vërtetë sekseri Thomet. AEY i blinte fishekët nga Thomet për diçka më tepër se katër cent pakon, e pastaj ia shiste Pentagonit për 10 cent. Mirëpo Diveroli dyshonte që Thomet po përfitonte më shumë se ç’duhej nga ky muhabet.
Doli që kishte të drejtë.
Ca ditë më vonë Trebicka raportoi që Thomet po i paguante qeverisë shqiptare vetëm 2 cent për pako, domethënë po merrte nga AEY dyfishin e çmimit, thjesht duke qenë sekser. Kjo e nxehu Diverolin që i kërkoi Trebickës të vihej në kontakt me lidhjet e tij në Shqipëri e të gjente një mënyrë që ta nxirrte krejt jashtë loje Thomet-në.
Trebicka e dha ndihmën e vet me kënaqësi. Ai mendoi se shqiptarët do përfitonin më shumë po të vendoseshin në kontakt drejtpërdrejt me AEY. Në fund të fundit po të nxirrej jashtë loje Thomet, do kishte më shumë para për të gjithë.
Mirëpo kur Trebicka mori takim me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, veprimet e tij patën efektin e kundërt: pala shqiptare nxori jashtë loje vetë Kosta Trebickën duke informuar AEY që punën e paketimit do ta bënte një shok i djalit të kryeministrit.
Ajo që nuk ishte kuptuar nga Kosta Trebicka ishte fakti se Thomet paguante ryshfet për shqiptarët një pjesë të fitimit të madh që nxirrte nga ky pazar. Kështu që ishte e pamundur të nxirrje nga loja Thomet-në, sepse pikërisht përmes tij fitonin para nën dorë dhe shqiptarët.
Diveroli shkoi vetë në Shqipëri dhe u përpoq që të ndërhynte për të mbajtur në punë Trebickën, po nuk pati aq fuqi sa të kthente pas vendimin e marrë. Trebicka kështu duhej të përballonte vetë pagesat për punëtorët, si dhe kostot për gjithë ato paketime që kishte prodhuar për municionet.
I nxehur për këtë fakt ai mori në telefon Diverolin, ndërkohë që fshehtazi vendosi ta regjistronte bisedën.
Në atë telefonatë Trebicka kërcënoi se do tregonte gjithçka tek CIA. “Nëse shqiptarët duan të vazhdojmë bashkëpunimin, unë nuk e hap gojën”, premtoi Trebicka. “Do bëj ç’të më thuash ti”.
Diveroli i tha se s’kishte më mundësi të bënte asgjë. Kishte shumë garipë të përfshirë tek pala shqiptare, dhe kjo e bënte punën shumë të rrezikshme. “Muhabeti shkon gjer te kryeministri e te i biri,” tha në telefon Diveroli. “Kjo mafia është tepër e fortë për mua. S’e luftoj dot këtë mafia. Ka shkuar lart muhabeti. Kafshët kanë dalë jashtë kontrolli”.
Ndërsa gjërat në Shqipëri ishin thuajse zbuluar, hallet s’kishin të mbaruar për Diverolin. Marrja e kontratës afgane i kishte krijuar shumë armiq AEY-së. Një shitës armësh në SHBA ishte ankuar deri në Departament të Shtetit duke pretenduar që AEY po blinte kallashnikovë kinezë për t’i çuar në Irak. Pretendimi qe i rremë, mirëpo gjithsesi Pentagoni kishte nisur hetimet.
Në 23 gusht 2007, pikërisht në ditën kur Packouz dhe Diveroli po ndanin kompaninë në dy pjesë zyrat e AEY në plazhin e Miamit u sulmuan nga FBI. Pasi i urdhëruan djemtë të largoheshin, ata sekuestruan gjithë dosjet elektronike e dokumentet e kompanisë.
Ky kontroll nxori në dritë emailet për shenjat kineze në kutitë e municionit që vinte nga Shqipëria, si dhe komplotin e ripaketimit. Po aty ishin emrat edhe datat. Që të mos dënohej rëndë Packouz vendosi të bashkëpunonte, po kështu edhe Podrizki.
Mirëpo Diveroli vazhdoi të dërgonte municion në Afganistan, ndërkohë që ushtria amerikane vazhdonte ta pranonte.
Por tanimë procesi i ripaketimit në Shqipëri ishte gjithnjë e më difektoz. Ca nga arkat e drunjta ishin mbushur me milingona, dhe një pjesë e municionit qe dëmtuar nga uji. Ndërkohë Nju Jork Tajms, e informuar nga një avokat i Kosta Trebickës, në mars 2008 botoi një shkrim të titulluar “Nën hetim furnizuesi i armëve për Afganistanin”.
Para se të publikohej shkrimi, Packouzit i kishin thënë që nuk do dënohej për tregtimin e municioneve të prodhuara në kohën para embargos, mirëpo me të dalë artikulli në Tajms, të tre njerëzit e përfshirë në këtë Pazar, Packouz, Podrizki dhe Diveroli u vendosën përballë 71 akuzave për mashtrim. Të ballafaquar me një seri provash, të tre u shpallën fajtorë.
Sekseri zviceran Heinrich Thomet ndërkohë u zhduk nga skena, dhe ca zëra thonë që është parë së fundmi në Bosnje.
Pasi u publikua gjithë historia, Kosta Trebicka urdhëtoi për në SHBA për të folur me hetuesit e kongresit si dhe me prokurorët federalë. Shumë shpejt e zuri frika se mos qeveria amerikane e arrestonte dhe atë vetë. Ndërkohë, sapo u kthye në Shqipëri u gjend i përfshirë si dëshmitar kyç në një çështje që përfshinte gangsterë e mafiozë të lidhur me kryeministrin.
Por një pasdite të shtatorit 2008 Trebicka u gjet i vrarë në një “aksident” misterioz, ku makina e tij s’dihet se si, ia doli mbanë të rrotullohej mbi veten e vet në një rrugë të drejtë në Shqipërinë e jugut.
U gjet i gjallë nga fshatarët, por mjekët dhe policia nuk mbërritën aq shpejt sa duhet në zonë. Në fakt, një nga zyrtarët e parë që arriti në vendngjarje, qe një ish-truprojë i kryeministrit shqiptar.
Opinioni u trondit edhe më fort kur, pak kohë më vonë, kreu i një komisioni hetimor në Kongresin amerikan, Henri Uaksman (Henry Waxman), shfaqi dyshimin se ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, mund të kish miratuar fshehjen e provave për origjinën e paligjshme kineze të municioneve që u dërguan nga Shqipëria drejt Afganistanit nga një kontraktor amerikan.
Shkak për këto dyshime kishte shërbyer një deponim para këtij komisioni, që po hetonte aferën e fishekëve, i kolonelit Larry Harrison, atashe ushtarak i Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Ishte pikërisht ai që informoi për një takim që kish ndodhur, thuajse në mesnatën e 19 nëntorit të vitit 2007, mes Ambasadorit Uithers, disa zyrtarëve të tjerë të ambasadës dhe ministrit shqiptar të mbrojtjes, Fatmir Mehdiu. Dhe kish qenë ky i fundit që e kish kërkuar këtë takim të beftë, i shqetësuar nga prania në Tiranë e një gazetari të NYT që po investigonte për aferën e fishekëve.
Pata rast ta takoj asokohe gazetarin e Nju Jork Taims (NYT), Nikolas Ud (Nicholas Wood). Më duket se ka qenë mbrëmja e 19 nëntorit. Data më kujtohet nga që Ud na tha se të nesërmen do të shkonte në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas për të parë punishten e paketimit të fishekëve.
Takimin e organizoi Erion Veliaj dhe pikërisht tek një kafe pranë rrugës së Elbasanit të quajtur “Green House” nga që Ud donte të merrte një opinion nga unë për zhvillimet në Shqipëri.
Ndër të tjera, Ud na tregoi se kish intervistuar Mediun për punën e fishekëve dhe sesi më pas njerëz të Mediut, ia kishin grabitur me dhunë kasetën kameramanit shqiptar që ai kish punësuar. Duket se Mediu kish vajtur në intervistë me mendimin se do të thoshte ç’të donte rreth “sukseseve” të dikasterit që drejtonte, sikundër rëndom ndodhte me intervistat që jepte në mediat shqiptare.
Por i gërmuar nga intervistuesi, rreth tregtisë së fishekëve kinezë, i kish shpëtuar diçka që nuk duhej thënë. Prandaj urdhëroi edhe grabitjen e kasetës. Më vonë Ud publikoi një shkrim mbi këtë dhunim edhe NYT. Episodi është një tjetër fakt i kriminalizimit të thellë të segmenteve të politikës shqiptare.
Në një letër që Uaksman i dërgoi Sekretares Kondoleza Rais (Condolezza Rice) në qershor 2008 thuhet:
“Sipas majorit Harrison, ministri shqiptar i mbrojtjes, Fatmir Mediu, i telefonoi në 19 nëntor 2007, për t’i kërkuar një takim urgjent me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers II. Majori Harrison pohoi gjatë intervistës se ministri shqiptar i mbrojtjes ishte i shqetësuar se një reporter i Nju Jork Taims-it, kish në plan të inspektonte një mjedis në Aeroportin e Rinasit në Tiranë ku AEY po vazhdonte operacionin e riparimit të municioneve kineze përpara dërgimit në Afganistan, proces që përfshinte heqjen e disa municioneve nga paketimi i tyre origjinal kinez…
Majori Harrison i tha Komitetit se gjatë takimit, ministri shqiptar i Mbrojtjes kërkoi ndihmë nga ambasadori i SHBA… Ai bëri disa komente rreth asaj se si kish qenë mik i SHBA, se kish ndihmuar SHBA… Ai ndjente se SHBA i kish borxh diçka”. (Letër e Henry Waxman për Sekretaren Condolezza Rice, 23 qershor 2008. Dokumente të Kongresit të SHBA, Komiteti i Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare.)
Vetë Uithers ka pohuar publikisht, se ministri i Mbrojtjes Mediu që, po sipas ambasadorit ishte mjaft i emocionuar, i kishte kërkuar në atë takim gjëra të çuditshme, si bllokimin e investigimit të reporterit të “NYT”.
Ndërkaq, vetë Mediu, dha të kuptohet se nuk ka pasur arsye të shfaqej emocional natën e 19 nëntorit nga që, sipas tij, ligji shqiptar, e lejonte tregtimin e municioneve kineze. Kush gënjente, Uithers apo Mediu?
Tashmë është pranuar, jo vetëm nga Uithers, se më 19 nëntor Mediu kish kërkuar një takim urgjent që u zhvillua në ato orë, që përkufizohen si mesnatë. Kjo flet në favor të pohimit të Uithers lidhur me një gjendje në mos jo emocionale, jo fort të qetë të Mediut. Sepse ai kishte një urgjencë të dukshme.
Por nëse jo origjina kineze e fishekëve, kush të ketë qenë shkaku i atij alarmi dhe nxitimi? Për ne përgjigjja është: Reporteri i “NYT”.
Duket se Mediu donte që me çdo kusht të bllokohej investigimi i tij. Pse? Vetëm për origjinën kineze të fishekëve, për të cilën ai hiqej në publik moskokëçarës? Me sa duket jo. Mediu duket kishte hall se Nikolas Ud po investigonte shumë më tepër në aferën e municioneve që institucioni i tij po zhvillonte me AEY dhe me kompaninë ndërmjetëse e fantazmë të quajtur “Evdin” në Qipro. Janë vetë ato që Mediu ka thënë në takim, që e mbështesin këtë dyshim. Sipas Harrison:
“…ministri i mbrojtjes qe i shqetësuar se reporteri do të ekspozonte akuza korrupsioni kundër tij… se Nju Jork Times-i mund të shkruante një artikull rreth korrupsionit shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe arsyeja e shqetësimit të tij qe… se kjo do të ndikonte në reputacionin e tij si dhe të Shqipërisë”. (Po aty)
Por ka edhe një aspekt tjetër. Mediu synonte të mos publikoheshin, siç edhe ndodhi që në artikullin e parë të “NYT”, telefonatat e fshehta të Trebickës me Diverolin, ku përfliteshin Kryeministri Berisha dhe i biri si të përfshirë në trafikun e municioneve.
Prandaj do të ishte normale të hamendësohej se ndoshta ka qenë pikërisht Kryeministri Berisha që e ka nxitur Mediun të takojë me urgjencë ambasadorin Uithers natën e 19 nëntorit.
Është normale të dyshosh se prapa gjendjes emocionale të ministrit, fshihej ankthi i Kryeministrit. Vështirë të besosh se një ministër shqiptar, kushdo qoftë ai, do guxonte të “çonte nga krevati” ambasadorin e SHBA me kokën e tij. Dhe na duket se Mediu ka synuar ta mobilizonte Uithers dhe ambasadën për bllokimin e investigimit të “NYT”, i inspiruar nga Berisha.
Kjo duket se ka qenë forma më e lehtë e shantazhit që mund të jetë përdorur. Sepse një ministër nuk do të guxonte ta ndërmerrte një hap të tillë (të përmendte si “nder” fishekët kinezë të kontrabanduar) nëse në mos ambasadori, dikush nga ambasada amerikane, apo edhe dikush në Pentagon, nuk do të kishin pasur dijeni që Shqipëria kontrabandonte municione kineze në “interes” të SHBA në dhunim të ligjeve të SHBA.
Ka disa indicie që konfirmojnë këtë dyshim.
Në letrën e 23 Qershorit që Uaksman i dërgon Sekretares Rais, flitet edhe se: “Komiteti ka marrë gjithashtu informacion që zyrtarë të Departamentit të Shtetit u përpoqën të mbajnë fshehur takimin e 19 Nëntorit… se evidencat e marra nga Komiteti sugjerojnë që, të paktën në një rast zyrtarë të ambasadës kanë patur rol në fshehjen e origjinës kineze të municioneve, se provat ngrejnë pikëpyetje mbi rolin e Departamentit të Shtetit në dërgimin e municioneve kineze si dhe sinqeritetin e përgjigjeve të Departamentit për Komitetin”.
Ndërkaq edhe gazetari Lawson që kemi cituar më lart, shkruan se Trebicka kish marrë takim me atasheun ekonomik të ambasadës së SHBA dhe e kish vënë në dijeni për origjinën kineze të municioneve që po i shiteshin AEY. Por atasheu ekonomik i kish dhënë të kuptonte se s’kish problem. Përse? Dhe a ka njoftuar Ambasadën ky atashe dhe nëse po, përse nuk është ndërhyrë për të ndaluar kontrabandën? Sido që të ketë qenë puna, një cedim nga ligji dhe detyra ka patur.
Jo rastësisht, menjëherë pas daljes së artikullit të “NYT” që bëri shumë bujë, një punonjës i ambasadës shkruante i lehtësuar në një e-mail të tij: “Lavdi zotit nuk u përmend përfshirja e ambasadës”!
Por le të supozojmë se askush në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pra as edhe ambasadori Uithers, nuk dinte gjë për shitje të municioneve kineze një kontraktori amerikan me emrin AEY, deri në natën e 19 nëntorit 2007 kur pranohet se një gjë e tillë iu është pohuar nga Mediu. Ç‘ndodhi më pas? A u angazhua ambasadori dhe ambasada urgjentisht në denoncimin dhe ndalimin e menjëhershëm të kësaj kontrabande në kundërshtim me ligjet e SHBA? Duket që jo.
Sepse ne dimë që kontrata e AEY është pezulluar vetëm disa muaj më vonë, në mars 2008, pas shpërthimit në Gërdec. Dhe akoma më vonë është anuluar. Madje ndoshta nuk do qe anuluar as sot e kësaj dite po të mos kish ndodhur tragjedia në Gërdec.
Gjë që të bën të mendosh se fijet e aferës shkonin shumë më lart se ambasada.
Sipas deklarimeve të ambasadorit Uithers, takimi i natës së 19 nëntorit u shmang nga informacioni i Ambasadës për Komitetin e Mbikëqyrjes, sepse në atë takim nuk është përmendur fare emri i AEY! Qëndrim që kundërshtohet nga ato që majori Harrison i ka deklaruar Komitetit të Mbikëqyrjes.
“Në kohën e takimit mes ministrit të Mbrojtjes, ambasadorit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Departamentit të Shtetit, ishte e qartë se kompania blerëse me një kontratë të SHBA ishte AEY?” – citohet të jetë pyetur, ndër të tjera, majori Harrison. Dhe ky i fundit ka pohuar, nën betim, se një gjë e tillë ishte e qartë për pjesëmarrësit në bisedë.
Dhe megjithëse thuhet se Harrison ka sugjeruar që Komiteti i Mbikëqyrjes të informohej për mbledhjen e mistershme të natës së 21 Nëntorit, një gjë e tillë nuk është pranuar:
Dhe sipas asaj që ka dëshmuar Harrison, pasi ministri Mediu kish shprehur shqetësim për investigimin e reporterit të “NYT”, ai vetë (Harrison) kish sugjeruar që reporteri të mos lejohej të hynte në punishten e paketimit. Por kjo nuk qe pranuar nga të pranishmit në takim. Pas kësaj ministri Mediu i telefonoi një gjenerali të ushtrisë shqiptare dhe e instruktoi të largonte të gjithë kutitë e municioneve kineze nga punishtja e ripaketimit në mënyrë që reporteri të mos shihte gjë.
Sipas Harrison: “Ambasadori ra dakord se kjo do të zhdukte dyshimet mbi një keqbërje nëse Z. Ud (reporteri i “NYT”) ndërsa ndodhej në Rinas, nuk do të shikonte kuti me municione kineze”.
Kush gënjente, ambasadori Uidhers apo majori Harrison?
Hetimet e mëvonshme i anashkaluan të gjithë këto enigma. Askush nuk dha përgjigje për to në publik. Muaj më vonë nga këto zhvillime, ambasadori Uithers u deklarua nga Departamenti i Shtetit i papërfshirë në këtë aferë të mistershme. Nuk qe e vështirë të kuptohej që kishim të bënim me një hap politiko-diplomatik.
Askush nuk kish mundur të sqarojë bindshëm dhe me prova pyetjet e ngritura nga kongresmeni Uaksman “mbi rolin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri në aprovimin e një plani për të fshehur origjinën kineze të municioneve”. Shihet qartë se ka pasur mungesë të vullnetit politik për zbardhjen e të vërtetës. Edhe në qeverinë e Tiranës edhe në atë të Uashingtonit.
Gjë që mban gjallë dyshimin se kontrabanda e fishekëve kinezë qe një kooperim shqiptaro – amerikan jo thjesht tregtar por edhe në nivele të larta politike. Nëse do të ekzistonte vullneti politik, nuk qe aq e vështirë që deklaratat e majorit Harrison të testoheshin për vërtetësinë e tyre.
Për shembull të verifikohej, me anë të tabulateve telefonike nëse në mbledhjen e 19 Nëntorit 2008, rreth orës 23.00, Mediu i ka telefonuar gjeneralit Spahiu për të urdhëruar lëvizjen e fishekëve.
Sa parashtruam më sipër, nuk ndihmon të kuptohet se përse një ambasador amerikan në Tiranë, duhej të qe i interesuar për moszhvillimin e protestave për rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Berisha pas tragjedisë së Gërdecit.
Nëse do të shqyrtosh median e kohës, do gjesh shpjegime diplomatësh perëndimorë, opinione gazetarësh pranë qeverisë, politikanësh që pretendonin se protestat mund të prishnin imazhin e Shqipërisë duke penguar mundësinë e anëtarësimit të saj në NATO.
Në fakt SHBA qe avokatja më e vendosur e pranimit të Shqipërisë në NATO megjithëse shihej qartë se shteti më i varfër i Europës linte shumë për të dëshiruar (siç do provohej nga kriza politike e pak viteve më vonë) lidhur me ato arritje, jo vetëm në fushën ushtarake por edhe në sferat e tjera të qeverisjes, ekonomisë dhe politikës, që e bëjnë demokracinë të mundur, liberale dhe të qëndrueshme.
Ndërkaq ishte një logjikë tjetër që këmbëngulte ato ditë kundër propagandës që i paraqiste protestat e mundshme të opozitës si një prishje imazhi për Shqipërinë. Logjika që pohonte se protesta e opozitës kundër një tragjedie të shkaktuar nga papërgjegjshmëria dhe korruptimi i qeverisë, nuk qe aspak në kundërshtim me standardet e NATO-s.
Madje, po sipas kësaj logjike, moszhvillimi i protestave kundër një korrupsioni tragjik e të përgjakshëm, do të qe tregues i mungesës së demokracisë dhe përgjegjshmërisë qytetare dhe opozitare.
Ishte ironike të dëgjoje mbrojtësit e qeverisë të flisnin për ruajtje imazhi kur kupola e shpërthimit në Gërdec, të vrarët, të plagosurit dhe rrënimet e fshatrave të tëra, kishin bërë xhiron e botës duke diskredituar imazhin e ushtrisë dhe të shtetit sa nuk mund të bëhej fjalë më as për imazh, dhe as për standarde të tjera.
Ndoshta që “amerikanët” këmbëngulnin për mos organizimin e protestave që mund të çonin në rënien e qeverisë Berisha, edhe nga frika se mos një gjë e tillë bënte që të dilte më në pah roli i ambasadës dhe më gjerë, i segmenteve të administratës, në tolerimin e trafikut të fishekëve kinezë.
Sepse nëse “Gërdeci” do përdorej si kazus politik për rrëzimin e Berishës (sikundër edhe normalisht duhej të ndodhte) ky i fundit, me shumë gjasa, do të reagonte. Dhe në këtë reagim është logjike të besosh se do të përfshiheshin edhe denoncimi i faktit që “amerikanët” kishin patur dijeni për origjinën fishekë të kinezëve dërguar në Afganistan.
Sinjalet ishin dhënë. Në një aktivitet gjatë ditëve kur sapo kish shpërthyer skandali i fishekëve, Berisha u ankua publikisht se të gjitha po bëheshin “që dikush t’i shpëtonte përgjegjësisë”. U kuptua shumë qartë se për kë e hidhte fjalën.
Por a ka qenë ambasadori amerikan i përfshirë në këtë aferë që edhe sot e kësaj dite ka mbetur, më së shumti e mbuluar në mister?
Në ditët dhe muajt pas tragjedisë të Gërdecit kam patur dyshime të forta se ambasadori Uidhers ka qenë, në një formë ose në një tjetër, i implikuar në aferën e kontrabandimit të fishekëve kinezë apo edhe në atë të punishtes së Gërdecit. Dyshimet u përforcuan edhe kur Uidhers iu përvesh punës që ta bindte kreun e opozitës, Edi Rama, të mos zhvillonte protesta që nuk mund të mos çonin në rënien e Berishës.
Një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve të jep të kuptosh se ambasadori Uidhers e ka parë befas veten në kurth, thuajse viktimë të skandalit të fishekëve. Implikimi i mundshëm i niveleve të ndryshme të diplomatëve apo zyrtarëve amerikanë në këtë aferë e nxirrte automatikisht edhe atë vetë, të implikuar qoftë edhe për mungesë kujdesi dhe parandalimi.
Si çdo njeri krejtësisht i papërlyer, duhet të jetë ndjerë i frustruar dhe i zemëruar, i keqpërdorur që akuzohej dhe duhej të mbrohej për një krim që s’e kish bërë madje, që detyrohej të ndihmonte t’i fshihej medias dhe publikut shqiptar dhe amerikan, një ministër i korruptuar shqiptar që sipas Nju Jork Taims, kishte prova se merrte rryshfet si pjesë e kontratës së municioneve të AEY.
Uidhers është ndjerë i neveritur nga që i është dashur të bëjë diplomaci me një kryeministër, djali i të cilit dhe ai vetë, ishin përfolur nga një trafikant si Diveroli, si mafia e gjithë kësaj afere të ndyrë.
Kish ardhur në Shqipëri me misionin që të përshpejtonte integrimin e këtij vendi në NATO. Dhe për këtë, ndoshta i ish thënë nga eprorët të bëjë kujdes me stabilitetin e vendit. Pavarësisht xanxës autokratike të një kryeministri dhe pushtetit të tij. Një xanxë që nuk i rezultoi e huaj as edhe për lidershipin e opozitës. Kjo ndoshta shpjegon se përse Uidhers u shfaq aq i ankthshëm dhe pengues përsa i takon protestave të opozitës pas tragjedisë të Gërdecit.
Por ishte kjo tragjedi dhe afera e fishekëve kinezë që i shfaqën befas para syve, kriminalizimin dhe korruptimin e pushtetit të Berishës. Ndoshta kish menduar se ca doza autoritarizmi edhe mund të toleroheshin përkohësisht në emër të një qëllimi më të lartë, por krimi kurrsesi. Do ishte njësoj si të kriminalizoheshe dhe të tradhtoje shqiptarë dhe amerikanë së bashku.
Ndaj menjëherë pas Gërdecit thyerja në marrëdhëniet mes Uidhers dhe Berishës është evidente dhe nuk i shpëton as syrit të gazetarëve. Kritikat për autokratizmin e Berishës, për sulmet ndaj medias, ndaj institucioneve të pavarura, Prokurorisë, Gjykatave forcohen. Uidhers përpiqet të bëjë gjithçka lejon hapësira e ngushtë e korridoreve diplomatike, për të denoncuar tek shqiptarët lakminë e pangijshme të pushtetit.
Në një rast merr takim me fëmijët e një kopshti dhe i tregon, me gjuhën e Ezopit, një përrallë për një krimb që fryhet dhe pëlcet nga lakmia. Mesazhi ishte i qartë. Fabula transmetohet në të gjithë mediat duke ngjallur sensacion në publik dhe duke nervozuar qeverinë. Por Berisha nuk do t’ia dijë.
Pikërisht në këtë moment ai shfaq natyrën e tij prej shantazhisti dhe sfiduesi autokrat. I shpall luftë ambasadorit të SHBA. Një dyluftim që kërkon ta fitojë për t’i dhënë një mësim edhe ambasadorëve të tjerë. E ka ushtruar me sukses cezarizmin duke përçarë shqiptarët. Tani mendon se suksesin mund ta përsërisë me amerikanët.
Në një intervistë të dhënë në shtator 2011, Berisha përpiqet ta paraqesë sulmin ndaj Uidhers si “transparencë”. Ai pohoi se ia kish bërë të qarta qëndrimet e tij dhe të qeverisë eprorëve të ambasadorit Uidhers. Shtoi se kështu vepronte kur kish probleme edhe me ambasadorë të tjerë. Mesazhi i autokratit për këta të fundit ishte i qartë: nëse kuturisnin të rebeloheshin si Uidhers, do të kishin probleme me qeveritë e tyre ndoshta edhe më pisk se Uidhers.
Dhe duket se ka patur sukses me shumicën prej ambasadorëve në Tiranë që rrinë squk, më keq se shqiptarët, para bëmave të autokratit. Në po këtë intervistë, dhënë në emisionin “Opinion”, duke kundërshtuar që informacionet dhe konkluzionet e kabllogrameve të Uidhers mbi zhvillimet në Shqipëri të ishin pikëpamje të qeverisë së SHBA Berisha tha: “Qëndrimi i qeverisë së SHBA nuk shkon nga Tirana në Uashington por nga Uashingtoni në Tiranë”.
Kishim të bënim jo vetëm me një taktikë cezariane për të përçarë diplomacinë e SHBA lidhur me qëndrimin e Tiranës, por edhe një mashtrim. Sepse në fakt Berisha po përpiqej, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë në mënyrë që qëndrimet e qeverisë amerikane, përsa i takon Shqipërisë, të formësoheshin jo nga informacionet e diplomatëve si Uidhers, por nga lobime e kompani si “Podesta Grup” apo prej ndikimeve të miqve të paguar të Berishës si Tom Rixh./ Marrë nga gazeta Dita