Filmi për Adem Jasharin, Milaim Zeka flet për herë të parë në “E Diell”
Milaim Zeka i ftuar në rubrikën “Galeri” në “E Diell” ka folur për herë të parë si autor i filmit për Adem Jasharin.
Gjatë intervistës ai ka dhënë detaje se si i lindi ideja për filmin me titull “I vdekuri i gjallë”.
Milaim Zeka: Me qenë i sinqertë kur kemi bërë bisedë bashkë me ty dhe autorin Glentin me kolegë në Top Channel që njihen për një kohë të gjatë i kam bërë një pyetje testuese, u kam thënë a i keni parë pamjet e Adem Jasharit me Hamzën? Të gjithë thonë po. I keni parë videoklipet nëpër këngë? Po thonë. E dini kush është autori i këtij filmi? Të gjithë kanë thënë nuk e dimë. Meqenëse Topi për mua ka bërë veprimin më njerëzor e më kombëtar të të gjitha kohërat që përzgjodhi këngën për Adem Jasharin ‘Mora fjalë’ mendova që të bënim një bisedë rreth filmit që ka një histori të veçantë.
Ed Manushi: Si lindi ideja për të bërë një film për Adem Jasharin?
Milaim Zeka: Unë dhe familja Jashari jemi kushërinj, jemi çuna tezesh, nëna ime dhe nëna e Jasharit janë nga i njëjti fshat, nga Llausha e Drenicës, kur ndodhi heroizmi i Jasharajve unë që prej arratisjes sime nga ish-Jugosllavia isha në kontakt me vëllanë e Adem Jasharit, Rifat Jasharin, ai burri me mustaqe që e keni parë në çdo manifestim. Duke biseduar me djalin e Adem Jasharit, vendosëm të merrsha arkivën personale të familjes, incizime që i kishin dërgu në Gjermani me i rujt dhe u thash që do të bënim një film kushtrimtar për të gjithë ata që do të kthehen në luftë, sepse filmi është bërë në 1998, e bëra në televizionin e Suedisë me ndihmën e një kroati, i vetmi që më ka ndihmuar, dhe e pata titulluar ‘I vdekuri i gjallë’. Pata thënë që këta djem e vajza do të shfaqen në çdo vend dhe çdo kohë ashtu siç do të jetojë i vdekuri i gjallë në mesin e ne të gjallëve të vdekur, Adem Jashari.